Kushtetuesja: Nuk ka gjoba për ndërtimin e shtëpive pa leje

271
Sigal

Gykata Kushtetuese ka rrëzuar gjobat e qeverisë për ndërtimet pa leje. Pak ditë më parë, organi më i lartë vendimarrës për pajtueshmërinë e akteve ligjore me Kushtetutën, ka marrë vendim kundër ekzekutivit pas padisë së qytetarëve. Gjykata në respektim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë vendosi rrëzimin e gjobave për kryerjen e punimeve për ndërtimet pa leje, pasi nevojat për strehim janë një domosdoshmëri

 Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën pikën që ligji parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim.

 

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar gjobat e qeverisë për ndërtimet pa leje. Ditën e sotme, gjykata ka marrë një vendim kundër ekzekutivit, pas një padie të një qytetari lidhur me ndërtimet pas tërmetit. Qeveria bëri ndryshime ligjore, duke ndalur të gjithë qytetarët që të ndërtojnë pa leje. Në kuadër të këtyre ndryshimeve u gjobit qytetari Nazif Ruçi, i cili ndërtoi për arsye strehimi sepse banesa ju dëmtua. Çështja shkoi në Gjykatën Administrative dhe kjo e fundit e përcolli në Kushtetuese. Gjykata ka vendosur të shfuqizojë pikën e parë të nenit 52, të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Njoftimi i Kushtetueses Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 22.06.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, kërkesën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 52, pika 1 të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar”. Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

  1. Shqyrtimi i çështjes i përket juridiksionit kushtetues, pasi kërkesa e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë bazohet në nenin 145, pika 2 të Kushtetutës dhe në përmbajtje parashtron argumente kushtetuese për papajtueshmërinë e ligjit në raport me parimet dhe normat kushtetuese.
  2. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, në kuptim të nenit 145, pika 2 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, legjitimohet për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues të nenit 52, pika 1, shkronja “e” të ligjit nr. 107/2014 për pjesën që kjo dispozitë parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim. Në nxjerrjen e këtij konkluzioni Gjykata ka mbajtur në konsideratë faktin se gjykata referuese po shqyrton padinë e një individi që ka kundërshtuar aktet administrative të dënimit me gjobë dhe të prishjes së objektit, që ai e ka ndërtuar pa leje për qëllime banimi pas tërmetit të vitit 2019.
  3. Neni 52, pika 1, shkronja “e” i ligjit nr. 107/2014 kufizon të drejtën e pronës private, të garantuar nga neni 41 i Kushtetutës përderisa parashikon gjobë, në kushtet kur jurisprudenca kushtetuese ka theksuar se “ detyrimet financiare, duke përfshirë edhe gjobën, janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës private, pasi pagesa e një sasie të caktuar të hollash, e barasvlershme në këtë rast me masën e gjobës, është një shumë që merret nga pasuria e individit”.
  4. Kufizimi i të drejtës kushtetuese të pronës private duhet të respektojë kriteret e përcaktuara në nenin 17 të Kushtetutës. Duke e analizuar çështjen sipas këtyre kritereve, Gjykata vlerësoi se ndonëse dënimi me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje është bërë nëpërmjet një ligji të miratuar nga Kuvendi dhe i përgjigjet interesit publik për kontrollin e ligjshëm të territorit dhe frenimin/parandalimin e ndërtimeve pa leje, mënyra e llogaritjes së masës së gjobës për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave të strehimit nuk respekton kriterin e proporcionalitetit.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pikat 1, shkronja “dh” dhe pika 2, nenit 145, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të nenit 52, pika 1, shkronja “e” të ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, në pjesën që parashikon dënimin me gjobë për kryerjen e punimeve pa leje për plotësimin e nevojave për strehim.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 – muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.