Alibeaj akuzon: Vëllai mafioz i Xhafës bredh i lirë, edhe pse është i dënuar për kokainë në Itali

603
Alibeaj akuzon: Vëllai mafioz i Fatmir Xhafës bredh i lirë dhe me imunitet politik
PD-ja: Pse ministri i Brendshëm nuk ekstradon vëllain e tij të dënuar në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?
Dje PD-ja, nëpërmjet deputetit Enkelejd Alibeaj publikoi dosjen e veprimtarisë kriminale të vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, i dënuar në Itali me vendim të formës së prerë, por i pa ekstraduar në Itali. Pyetja ndaj kryeministrit Rama është: A mundet që në qeveri të jetë akoma ministër Fatmir Xhafaj, i cili, mund të justifikohet, që ai nuk ka përgjegjësi për veprimtarinë kriminale të të vëllait, por përse deri më sot, ai nuk ka filluar procedurën e ekstradimit për në Itali, ndërkohë që e zbaton ndaj të tjerëve? A nuk bëhen shumë “rastësi” që vëllai, kushëri i (çdo) ministri të Brendshëm në Shqipëri është pjesëtar i mafies, i trafikimit ndërkombëtar të drogës? Kur, ndërkohë, Gjermania, Holanda dhe Franca, tregojnë skepticizëm për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim në BE, pikërisht, sepse qeveria shqiptare nuk lufton krimin e organizuar. 
Çfarë ka thënë Fatmir Xhafaj për të vëllain Agronin, i dënuar për kokainë në Itali
Fatmir Xhafaj nuk e mohoi dënimin e të vëllait gjatë fjalimit që mbajti në parlament, në 12 shtator të vitit 2017, kur iu përgjigj për herë të fundit akuzave të opozitës, se Agron Xhafaj është dënuar me vendim të prerë në Itali dhe qëllimisht nuk ekstradohet. Ministri i Brendshëm tentoi t’i relativizonte akuzat e asaj kohe si një “avaz” që përsëritet sa herë kërkojnë ta sulmojnë. Në anën tjetër, sikur të gjitha këto të ishin të vërteta, Fatmir Xhafaj u zhvesh nga të gjitha përgjegjësitë morale dhe ligjore, për veprimet e të afërmve të tij.

“Cilido prej tyre që ka pasur ose mund të ketë pasur në të ardhmen një shkelje ligji është madhor dhe ka të gjithë përgjegjësinë ta vuajë atë sipas ligjit dhe, as ai dhe askush tjetër nuk mund t’i japë më shumë ngarkesë, se ligji vetë i jep. Dhe, nëse një moment, do të ishte e vërtetë për sa në mënyrë të ulët më akuzoni, unë kam të gjithë të drejtën legjitime të pyes: Ku është përgjegjësia ime njerëzore dhe politike në lidhje me këtë çështje? Sa për ligjore as që mund të bëhet fjalë. Unë jam në politikë prej 20 vitesh. Jam i gatshëm të përgjigjem për gjithçka bëj e sillem në raport me interesat e vendit tim, me Kushtetutën dhe me ligjin. Jam i gatshëm në çdo kohë të përballem me përgjegjësitë e mia. Unë nuk kam ndërmend të merrem me replikë me avazin tuaj të 15 viteve, avaz që e përsërisni sa herë shtrëngoheni të më sulmoni politikisht” Madje Xhafaj sfidoi opozitën, duke i kujtuar dy ministrat, të Brendshëm dhe të Drejtësisë që u emëruan nga Lulzim Basha gjatë muajve të fushatës zgjedhore dhe që nuk kishin arritur të gjenin asnjë fakt ose provë për vëllain e tij. “Nga maji i këtij viti (2017) ju u bëtë pushtetarë në dy ministritë kryesore të ligjit, në atë të Brendshme dhe atë të Drejtësisë, ministra që u emëruan personalisht nga kryetari juaj dhe janë dyja ministritë ku janë faktet dhe provat kombëtare dhe ndërkombëtare nëse ka të tilla. Po çfarë bëtë këto 4 muaj? Si nuk gërmuat xhanëm dhe t’i zbulonit? Ku kishte rast më të mirë të më kryqëzonit me fakte dhe prova, sipas jush! Dhe as më shumë, dhe as më pak, jo vetëm kryetari juaj dhe askush tjetër i veshur si ky edhe me mandat ligjzbatuesi apo moralbërësi nuk mund të më vendosë mua nën këtë akuzë apo përgjegjës për çfarë i ka ndodhur, apo mund t’i ndodhë një pjesëtari të familjes time” u shpreh Fatmir Xhafaj.
PD nxjerr dosjen: Vëllai i ministrit Xhafaj i dënuar me 7 vjet burg për trafik droge në Itali
Partia Demokratike ka publikuar dokumentin që tregon se vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj është dënuar me shtatë vite e dy muaj burg për disa vepra penale me vendim të formës së prerë nga gjykata italiane. Vendimi për të është dhënë nga gjykata e Leçes, në vitin 2012. “E vërteta është se ministri gënjen dhe është në dijeni se vëllai i tij Agron Xhafaj, alias Goni, është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë dënimin, se kishte vëllain të pushtetshëm në Shqipëri. Faktet, provat e dënimet ja ku i keni”,- tha deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj. Në dosjen e siguruar nga PD-ja, rezulton se vëllai i Xhafajt rezulton të jetë dënuar për trafik droge, se është drejtues i një organizate kriminale në Shqipëri dhe Itali. Organizata kriminale, ku ai bënte pjesë vepronte midis Shqipërisë, Italisë, Polonisë dhe SHBA. Po ashtu Agron Xhafaj thuhet të jetë edhe furnizuesi i organizatës kriminale me heroinë, kokainë dhe hashash. PD shton se pavarësisht dënimit, ai gëzon mbrojtjen e vëllait dhe jeton i lirë në Shqipëri. “Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka jo vetëm përgjegjësi politike dhe morale në këtë çështje, por mbi të gjitha ka përgjegjësi ligjore. Është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7.2 vjet burgim”,- sqaron PD-ja.
Për çfarë është dënuar Agron Xhafaj në Itali
1. Për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar midis Evropës dhe SHBA. Marrëveshja mes grupeve kriminale, në njërin prej të cilëve bënte pjesë Agron Xhafaj ishte për shkëmbimin fillestar të 50 kg heroinë me 300 kg kokaine. Marrëveshja u ndryshua dhe parashikoi furnizimin e 40 kg heroinë, e paraprirë nga dorëzimi i një kampioni prej 1 kg të së njëjtës substancë për ta testuar lidhur me një furnizim të madh të mëvonshëm. Në operacionin për zbulimin e trafikut ndërkombëtar të drogës merrte pjesë një agjent i DEA-s. Atij iu dorëzua 1 kg heroinë, të cilën e siguroi për llogari të grupit kriminal të Italisë Agron Xhafaj.

2. Për drejtimin e një rrjeti të shpërndarësve të lëndëve narkotike heroinë, kokainë, hashash në Bolonja.

3. Për bashkëpunim në importimin nga Shqipëria në territorin e shtetit italian dhe transportin e lëndëve narkotike, ku Agron Xhafaj bënte të mundur tërheqjen direkte të drogës së transportuar nga Shqipëria dhe të fshehur në rrethinat e bregdetit të Salentos.

4. Për bashkëpunim me persona të tjerë, për mbajtjen në mënyrë të paligjshme, dhënien dhe marrjen e lëndës narkotike, ku Agron Xhafaj kishte rolin e shpërndarjes tek blerësit të drogës së llojit heroinë dhe kanabis.

Dënimi me 7.2 vjet burg i Agron Xhafajt, i konfirmuar si vendim i formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit të Italisë, është bazuar mbi provat e prokurorisë italiane. Ajo posedon përgjime telefonike që zgjatën më shumë se një vit e gjysëm.

Përgjimet u pasuruan në mënyrë domethënëse nga sekuestrimi i një furnizimi prej 1 kg heroinë nga Shqipëria, nga dorëzimi i kontrolluar i një sasie tjetër prej 1 kg heroinë në Firence, që ishte sasia e kërkuar për testimin e cilësisë, dhe nga sekuestrimi i 2 kg hashash të përgjuara në Venecia. Kjo mundësonte përcaktimin e të dhënave për ekzistencën e një organizate kriminale për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e cila vepronte midis Shqipërisë, Italisë, Polonisë dhe SHBA për importimin e heroinës, kokainës dhe hashashit nga Shqipëria drejt brigjeve të Salentos, duke garantuar më pas shpërndarjen e tyre në territorin italian nëpërmjet një rrjeti trafikantësh shqiptarë.

Rrjeti kishte ngritur bazat logjistike në zona të ndryshme të veriut të Italisë (midis të cilave Parma, Imperia, Venecia dhe Bolonja) me degëzime në Poloni dhe SHBA. Në Bolonja drejtues i rrjetit të shpërndarjes së drogës ishte vetë Agron Xhafaj.
Shtatë pyetjet e PD për ministrin Fatmir Xhafaj, çfarë i kujtojnë për familjet mafioze
PD-ja ka publikuar dokumentin ekskluziv kundër qeverisë. Në dokumentin që e paraqitën deputeti Enkelejd Alibeaj tregohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj është dënuar me shtatë vite e dy muaj burg për disa vepra penale me vendim të formës së prerë nga gjykata italiane. Për këtë PD-ja i ka shtruar 7 pyetje ministrit Xhafaj. Një nga hipotezat që PD ngre është edhe nëse familja Xhafaj është një nga familjet mafioze që veprojnë në Shqipëri:

1. A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?

2. Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?

3. A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?

4. A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze, që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?

5. A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?

6. Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar, nëse është, apo jo, i dënuar?

7. Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?
Sigal