Aleancat pas-zgjedhore, ja si i shohin politikanë të vjetër, deputetët dhe gazetarët

439
Alma Çuka
“Beteja” është bërë e ashpër, por përgjigjen për fituesin e “luftës” e presim vetëm nga populli në 25 qershor. Gara po shkon drejt fundit, ndërsa dalin opsionet për koalicionet 
Shqipëria në këtë periudhë i ngjan një arene të madhe ku shohim të ndeshen për pushtet dhjetëra forca politike. E ndërsa beteja ka nisur, fitorja do të përcaktohet me votën e lirë të popullit në 25 qershor. Të gjitha forcat politike bërtasin dhe teksa u referohen sondazheve të brendshme që realizojnë, secila pretendon se është forcë e parë. Megjithatë, pavarësisht se njëra nga partitë do të dalë forcë e parë, ato nuk mund të kenë numrin e mjaftueshëm të mandateve për të formuar të vetëm qeverinë. Kjo do të kërkonte domosdoshmërish, pjesëmarrjen e forcave të tjera politike që janë në garë dhe do përfaqësohen në Kuvend. Kryeministri Edi Rama, prej ditësh i kërkon shqiptarëve votën për të marrë 71 deputet me qëllim që të krijoj i vetëm qeverinë. Kryefjala e tij në çdo takim elektoral është timoni dhe tepsia. “Më jepni votën të drejtoj timonin i vetëm dhe të mos ndaj tortën në tepsi”. Kështu u drejtohet Rama shqiptarëve. Nga ana tjetër lideri i PD-së Laulzim Basha bënë të njëjtën gjë. Thotë se do të jetë forcë e parë dhe se shqiptarët tashmë e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në këtë fushatë po sulmohet nga dy forcat e tjera politike, pretendon se është forcë e parë. Pavarësisht asaj që thuhet në fushatë, analistë, politikanë të vjetër mendojnë se në politikë jo gjithmonë është e vërtetë ajo çfarë thuhet me zë të lartë. Ekziston edhe një marrëveshje në heshtje që kur arrihet dhe bëhet publike ka nga pas edhe argumentin bindës se pse ndodh kështu. Të gjithë e kanë një përgjigje. Kjo bëhet për të mirën e shqipërisë. Gazeta “Telegraf” ka marrë mendimin e disa kandidatëve për deputet në këto zgjedhje, lidhur me mundësinë e koalicioneve paszgjedhore. 
Besim Ndregjoni, President i Unionit të Përndjekurve Politikë 

E mendoni një bashkëqeverisje të mundshme të PS-së dhe PD-së pas zgjedhjeve?
Nuk besoj në marrëveshjen. Se po të shohësh alternativat, njëra do të marrë pushtetin me timon dhe tjetri do të paraqesë Republikën e Re. Kjo e fundit nuk mund të jetë në një autobus të Rilindjes me timonier Ramën. E dyta, jemi një shoqëri që nuk kemi një shtet të konsoliduar demokratik. Nuk kemi institucione të pavarura, si Gjermania, që gjykata , prokuroria, nuk pyet për pushtetin e Merkelit. Nëse pushteti kërkon kompetencat e shtetit në Gjermani i ka të ndaluara me ligj. Kurse Shqipëria nuk e ka këtë shans. Për arsye se, Shqipëria ka një kushtetutë që është bërë copa-copa. Dhe këtë e ka bërë pushteti politik, i cili e ka përdorur si një vendim partie dhe jo si një shenjtëri të mbajtjes së shtetit dhe demokracisë në një vend. Nëse do pranoj që Republika e Re të hipi në autobusin e rilindjes me timonier Ramën, atëherë Shqipëria do pësojë disfatën më të madhe gjatë këtij sistemi politik 27 -vjeçar. Do të eliminohet opozita dhe do të kthehet oligarkia e ashtuquajtur demokratike, por që është komplet komuniste.
Paskal Milo, Kryetar i Partisë Demokracia Sociale 

Si i sheh koalicionet paszgjedhore?
Patjetër që do bëhen, por jo ashtu si propagandohen sot. Për mua ka katër opsione për koalicionet e ardhshme. I pari, mund të jetë dhe do bëhen përpjekje që të jetë PS me ndonjë apo dy tre parti të vogla, që do të mund të përfaqësohen në parlament, plus ndonjë të blerë nga ndonjë parti tjetër. I dyti për mua do të jetë përsëri një rikthim në ngjalat e prillit të 2013, një koalicion midis PS dhe LSI. E shoh të mundshme, pavarësisht nga gjithë ky lumë sharjesh dhe akuzash reciproke, sepse pas 2009 deri 2013 deti i sharjeve ka qenë më i thellë dhe më i gjerë dhe erdhën u ulën dhe bënë qeverinë. Opsioni i tretë, është një qeveri LSI-PD. Edhe kjo është e mundur sepse në Shqipëri asgjë nuk është e pamundur. Dhe e katërta, më pak kredibël dhe jetëshkurtër mund të jetë ajo midis PS dhe PD.
Vangjel Tavo, kandidat për deputet në qarkun e Gjirokastrës, kryesues i listës së LSI-së
Mendoni se pas 25 qershorit mes Ramës dhe Bashës do ketë një marrëveshje për qeverisje të përbashkët?
Nuk besoj asgjë. Unë besoj vetëm tek vota e popullit. Koalicionet nuk i vendosin kryetarët e partive, por është populli ai që vendos se kush do ta qeverisë dhe jam i bindur se populli tashmë e ka bërë zgjedhjen e vet dhe do ta tregojë në 25 qershor që këtë mandat do t’ia japë LSI.
Jakup Gjoçaj, gazetar

A e ka kryeministri Edi Rama fitoren e sigurt dhe me kë do të qeverisë pas 25 qershorit në koalicion?
Nëse Kryeministri Rama është kaq i sigurt, që fitoren elektorale të 18 qershorit e ka të garantuar, edhe pse u sillet shqiptarëve me arrogancë dhe cinizëm, atëherë pyesim: Cilët faktorë ia garantojnë fitoren elektorale arrogancës dhe cinizmit të kryeministrit Rama?

Çdo standart dhe çdo përvojë elektorale në të gjitha vendet, ku zgjedhjet parlamentare janë zhvilluar qoftë edhe gjysmë të lira, historikisht dëftojnë që cilido udhëheqës, që sillet ndaj votuesve me arrogancën dhe cinizmin pushtetar, i ka humbur të gjitha zgjedhjet elektorale! Madje, kryeministri Edi Rama, në dukje publikisht, demonstron që nuk bëhet hiç merak, as për balancat elektorale, derisa me aleatët e vet elektoralë, njëherë përdor karotën dhe shumë herë përdor kamxhikun. Ndërkohë, që aleatët, që i “mbushën” thesin e Aleancës ASHE me 140.000 vota në 2013, kryeministri Edi Rama i shpërfilli dhe injoroi, duke mos i vlerësuar me pjesëmarrje në qeverisje, sipas kontributit që dhanë me vota sipas marrëveshjes që nënshkroi me aleatët, me aleatin kryesor LSI, kryeministri Rama herë përdor darkat për lutje dhe herë përdor presionin me dosjet e akuzave ndaj LSI që publikon, për ta detyruar të bëhet patericë e pushtetit të tij absolut. Asnjë herë në asnjë zgjedhje parlamentare (por edhe për bashkitë) deri tani Partia Socialiste nuk ka fituar shumicën për të vetëqeverisur. Madje, në 2015, PS-ja, edhe pse në 2 vjet qeverisje, humbi 312.321 vota më pak se në zgjedhjet e 2013! Këtë realitet e di edhe kryeministri Rama. Që Partia Socialiste, me proces zgjedhor të ndershëm dhe me votim të lirë, KURRË nuk mund të fitojë zgjedhjet e vetme!!! Por as ky realitet nuk e shqetëson hiç kryeministrin Rama, që edhe tani, në fushatën elektorale, të sillet publikisht me arrogancë dhe cinizëm ndaj qytetarëve dhe të përdorë Kamxhikun dhe Karotën me aleatët e vet elektoralë. Vetëm diktatorët, që zgjedhjet parlamentare i zhvillojnë me tabela gjoja të lira, të vullnetshme nga populli, e kanë të garantuar dhe të sigurt paraprakisht rezultatin zgjedhor, ngaqë vetë procesi zgjedhor është një farsë elektorale, e ushtruar nën terrorin dhe dhunën e pushtetit!
Sigal