Alban Zusi: Strategjitë e reja të prodhimit bujqësor e blegtoral

501
Sigal

Zëvëndësministri i Bujqësisë, Alban Zusi, në intervistën për “Telegraf” zbardh strategjitë e politikës së re të ministrisë së Bujqësisë, të cilat do stimulojnë dhe nxitis interesin e fermerëve për rritjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Gjithashtu, zoti Zusi garanton edhe ngritjen e mekanizmave që do të kontrollojnë produktet bimore dhe shtazore nga mbetjet, si edhe çfarë do të ndryshojë në skemat e subvecioneve për fermerët. Zoti Zusi pohon se në ndërkohën e dy vjetëve produktet bio do të jenë në tregun shqiptar si edhe në eksport në gamën më të madhe dhe kjo në saj të politikave që studiohen dhe hartohen nga ministria e Bujqësisë.

– Zoti Zusi, cilat do të jenë risitë, që ju do të bëni funksionale ministrinë e Bujqësisë, në parametrat për t’ju përgjigjur kërkesave të kohës?

– Së pari, ne do të fillojmë me një reformë të brendshme, për të bërë që gjërat të funksionojnë institucionalisht. Së dyti, jemi duke evidentuar gjithë problematikat e mbetura pezull, që krijojnë shqetësime, qoftë me tregun, me bizneset, e mbi të gjitha, me sigurinë ushqimore. Në kuadrin e 100 ditëve, ne do të realizojmë një aksion për të garantuar sigurinë ushqimore, për ta kthyer në standardet e kërkuara nga ligji gjithë shërbimin e Inspektoratit të AKU-së, jemi duke zhbllokuar gjithë fondet e bllokuara deri tani të BE-së, në funksion të investimeve në bujqësi. Një ndër risitë do të jetë hapja e këtij institucioni ndaj institucioneve të tjera. Jemi duke e hapur këtë dikaster ndaj biznesit. Shumë shpejt do të hapim bordet këshillimore me palët e interesuara, me bizneset, me shoqërinë civile, nga bota akademike, do të shikojmë mundësinë që ta hapim edhe ndaj konsumatorit.

Cilët do të jenë stimujt e nxitjes së shtimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale?

– Ne do të orientojmë nxitjen e prodhimit drejt produkteve që ne sot importojmë. Së dyti, do të përpiqemi që të nxitim produktet, të cilat tashmë kanë një kërkesë të konsoliduar në treg. Së treti, do të nxitim përpunimin e mëtejshëm të këtyre produkteve, për t’i çuar në maksimumin e vlerës së tyre në eksport.

– Aktualisht, procedura e marrjes së subvencioneve është tepër e ndërlikuar për fermerët, aq sa ata e kanë të pamundur ta marrin, edhe pse praktikisht mbjellin bimët  dhe mbarështojnë kafshët. Ju çdo të bëni më tepër?

– Jemi në një proces diskutimi me grupet e interesit, për të gjetur një mënyrë, që përveçse të jetë transparente,  të jetë nxitëse, por të jetë edhe shumë e thjeshtë për fermerët dhe njëkohësisht, të formalizojë edhe ekonominë. Mendojmë, që një nga format më të thjeshta, është që fshatari, me faturën që ka shitur mallin, të paraqitet pranë një dege banke dhe të marrë subvencionimin.

– Qeveria e re kur do të konkretizojnë uljen e çmimit të naftës për punimet bujqësore?

– Ne jemi duke vlerësuar se cila do të jetë forma më e mirë. Skemat e subvencionimit të naftës kërkojnë procedura shumë të mira monitorimi dhe fatkeqësisht te ne ka patur edhe shpërdorime. Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm.

Si do të garantoni që prodhimet  bujqësore dhe blegtorale në treg të jenë të kontrolluara e të parrezikshme nga lëndët toksike,  për shëndetin?

– Dje patëm një takim me Institutin e Veterinarisë. Sot kemi një takim tjetër me AKU-në dhe në një kohë shumë të shpejtë, ne do të nxjerrim planit e monitorimit të mbetjeve hidrosanitare, i cili do të realizohet në praktikë nga ekspertë të AKU-së, ndërsa nga pikëpamja laboratorike dhe shkencore, do të monitorohet nga ekspertë të Institutit të Veterinarisë. Një nga objektivat e 100 -ditëshit të parë të qeverisjes, është që të vihet për herë të parë në zbatim i monitorimit të mbetjeve të produkteve ushqimore.

Cilat do të jenë politikat për të nxitur prodhimet biologjike bujqësore e blegtorale?

– Ne do t’i japim fshatarit një vlerë të shtuar, duke e orientuar të prodhojë produkte biologjike. Por duhet të kemi skema monitorimi për të garantuar që kemi prodhim biologjik. Në kuadrin kohor të 2 vjetëve, ne do të shikojmë në treg një prodhim shumë herë më të madh të produkteve biologjike.

– Ku do të mbështeteni financiarisht për të realizuar këto projekte dhe reforma të nxitjes së prodhimit bujqësor dhe blegtoral?

– Dje unë bashkëbisedova me specialistë të Institutit të Veterinarisë, të cilët më prezantuan dhe ofruan shumë projekte, për prodhimin në këtë institut të vaksinave. Kështu vlera e një vaksine të importuar shkon në 1,2 milion euro në vit, ndërkohë, ata mund ta prodhojnë me kosto 10 herë më të lirë. Por kjo kërkon një proces certifikimi, në vlerë rreth 500 mijë euro. Ata, gjithashtu kanë edhe projekte të tjera. Bashkëbiseduam edhe për forma të tjera të financimit, pasi nuk do të mbetemi rob të financimit nga buxheti i shtetit, në një ekonomi tregu. Do të shikojmë financimin e këtyre projekteve me zgjidhje alternative.

– Faleminderit!