Barroso: “Të gjitha vendet e Ballkanit të anëtarësohen në BE”

484
Sigal

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso është shprehur pro anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve kandidate të Ballkanit. Në një intervistë për gazetën e njohur gjermane “Bild” të mërkurën, Barroso u shpreh se, nuk duhet të harrojmë se shumë nga këto vende vetëm para pak vitesh kanë zhvilluar luftë me njëri-tjetrin. “Anëtarësimi në BE u ofron atyre më shumë perspektivë, ai është një instrument i rëndësishëm për paqen në rajon. Sigurisht është më mirë të anëtarësojmë vendet e Ballkanit në BE, se sa t’i lejojmë të bien humnerën e errët të destabilizimit. “Në plan afatgjatë ne duhet t’i pranojmë të gjitha shtetet e Ballkanit kur ato të plotësojnë kushtet e kriteret e duhura”, – tha Barroso për gazetën “Bild”. Deklarata e Barrosos ka tërhequr vëmendjen e të gjitha mediave gjermane. Kështu pjesë të deklaratës që lidhen me anëtarësimin e Ballkanit në BE kanë botuar disa media kryesore gjermane si “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Handelsblatt”, “Die Welt”, e televizione të ndryshme si nt-v, apo agjenci të ndryshme lajmesh. Mediat gjermane përmendin hapat në rrugën drejt anëtarësimit të BE, ku Shqipëria përmendet si kandidatja e re në BE, ndërsa Kosova si një vend me perspektivë të hapur drejt unionit.