Ahmetaj ‘kurban’ i krisjes brenda kupolës së pushtetit

178
Sigal

Afera e plehrave vijon të fundos zyrtarë të lartë të shtetit. A u hoq nga detyra Ahmetaj për tu bërë kurbani i radhës që do shkojë në pranga, si i përfshirë në skandalin me inceneratorët? Agjentët e hetimin zbarkojnë në shtëpitë e Ahmetaj, zbulohen dokumente vilash nga Green Coast, në Vala Mar dhe 30 mijë euro. Deklaratat kontradiktore dhe a do shkojë drejtësia deri në majën e aferës ku përflitet dhe Agaçi?

Janë zbardhur detaje të reja nga kontrolli i ushtruar nga agjentët e BKH-së në vilat e ish-ministrit Arben Ahmetaj të regjistruara në emër të ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka dhe bashkëjetueses aktuale Eriola Hoxha.Kontrollet në banesën e Ahmetajt janë bërë në kuadër të procedimit 277/1, ku SPAK po kryen hetime për inceneratorin e Elbasanit. Enkelda Millonaj dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, janë dy prokurorët që po kryejnë hetimet ndaj Ahmetajt, të cilët kanë urdhëruar edhe kontrollin e banesave të partneres dhe ish bashkëshortes së ish-zv kryeministrit.Fillimisht agjentët të pajisur edhe me vendim gjykate kanë kontrolluar vilën e partneres së deputetit në Hamallaj. Ku përveç dokumenteve të vilës, që sipas hetueve do i vlejnë hetimit është sekuestruar edhe një shumë parash, rreth 30 mijë euro. Më pas agjentët kanë vijuar me kontrollet e ish bashkëshortes së Ahmetajt. Në banesën e saj nuk janë gjetur as para e as sende të kundra-ligjshme. Por, SPAK ka mundur të sekuestrojë dokumente ne këtë banesë që mund t’i vlejnë hetimit.

Më konkretisht:

I- Kopje e Projektit teknik për Vilën e shtetases Albina Mancka, në zonën e Rolling Hills (Vila A00).
2- Kopje Projekt Konceptit në zonën Valamar, për objektin “Vila 22″ në ngarkim të shtetases Erjola Hoxha (Building Design Vila Vale Mar 0765) si dhe planvendosja e objektit.
3- Kopje e Projektit teknik për Apartamentin në Kompleksin *Valamar”, Interior Design, porositur nga shtetasja Erjola Hoxha.
4- Kopje e Projekt Idesë për vilën Nr. 73 Green Coast në lidhje me vilën e shtetases Albina Mancka,
5- Kopje e dokumentacionit të ndodhur në folderin me emër 1097 AP Albina, mbi projektimin koncept ide të banesës ekzistuese të shtetases Albina Mancka. Ky objekt ndodhet në pallatin “Tuborg”, në zonën e Bllokut, Tiranë.
6- Foto që tregojnë se kur janë punuar projektet: Vila Green Coast, Aparamenti Vala Mar dhe Vila Vala Mar.
7- Ofertë numër OS0323 19, datë 06.01.2023, lëshuar nga Brunes sh.p.k., me blerës klientin
Albina Mancka.
8- Plani i organizimit personal për apartamentin në pronësi të Albina Mancka (pallati Tuborg), referuar nenit 7 për aplikimin në emër të Albina Mancka.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal ndaj Arben Ahmetajt, që prej dhjetorit të vitit të kaluar, teksa SPAK  po heton për procedurën e koncesionit që është dhënë në kohën kur ai ka mbajtur detyrën e Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Referuar burimeve, SPAK është duke mbledhur prova e të dhëna, edhe nga kompjuterët e sekuestruara dhe të e-maileve, që janë shkëmbyer mes ish zv kryeministrit dhe fituesve të koncesionarit. Hetuesit  janë duke verifikuar të gjitha komunikimet që ish zv kryeministri ka kryer me personat nën hetim që fituan koncesionin. Nuk dihet nëse drejtësia do hetojë edhe të përfolurit në aferën e inceneratorëve, Si Engjëll Agaçi. Akuza ka patur edhe nga Kreu i PD Sali Berisha, ku deklaruar në emisionin ‘Çim Peka Live’ se kryeministri Edi Rama duhet të shkojë para drejtësisë për aferën e inceneratorëve bashkë me Agaçin.Gjithashtu SPAK po kryen veprime hetimore, ku janë  duke u verifikuar me anë të sistemit TIMS, të hyrje daljeve të Ahmetajt, në periudhën kur edhe janë prenotuar hotelet nga Klodian Zoto, pronari i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama në një dalje për media  iu përgjigj deklaratave të mëhershme të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj, se ai duhet të bëjë kryeministrin, jo gjykatësin.”Nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të kisha bërë gjykatësin”, tha Rama gjatë një komunikimi për gazetarët në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS.