Prof. Malaj: Qartësi në Parlament dhe përzgjedhje profesionale

366
Kritik me paketën e investimeve të propozuara nga qeveria, ka qenë edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj. “Për të eliminuar çdo rrezik në sistemin tonë bankar, bankat tregtare duhet të vendosin në financimin e këtyre kërkesave nga garancitë e kompanive që do të aplikojnë për kredi dhe jo nga ideja se është e garantuar nga qeveria. Banka Qendrore duhet ta analizojë këtë rast me shumë përgjegjshmëri për efektet direkte dhe indirekte në ekonominë e vendit dhe në impaktin në bankat tregtare. Pak vite më parë sistemi bankar spanjoll u godit rëndë nga kreditë e dhëna për biznese të subvencionura për energjinë diellore. Sapo skema e subvencionimit ra, kreditë e këqija u rritën ndjeshëm në sistemin bankar spanjoll. Shumë vite më parë, Kroacia rriti ndjeshëm investimet publike për infrastrakturën e saj, rriti ndjeshëm deficitin publik dhe pak vite më vonë kaloi në një krizë të rëndë financiare”, është shprehur Malaj në një koment të tijin. Sipas ish-ministrit, aktualisht në kushtet e krizës globale, në kohën e rritjeve të ulëta ekonomike, të gjitha institucionet financiare iu kanë rekomanduar qeverive të rritin nëpërmjet buxhetit investimet e tyre publike, sidomos ato që lehtësojnë dhe rritin mbështetjen ekonomike, të etiketuara si investime të mençura (smart investment). “Qeveria duhet të bëjë transparencë të plotë në Parlament për paketën 1 miliard dollarë, të qartësojë dobishmërinë ekonomike e sociale të çdo projekti dhe të arshivojë analizën profesionale të aftësisë për të paguar këto detyrime. Duhet bërë në Parlament, sepse koha e shlyerjes së tyre është minimalisht më shumë se një mandat 4-vjeçar. Përzgjedhja e projekteve duhet të jetë me përgjegjshmëri të madhe profesionale. Ekspertiza e ekspertëve të ministrive duhet të jetë detyrim ligjor dhe pjesë e arshivës ligjore të identifikimit, përzgjedhjes, miratimit, implementimit dhe mbikëqyrjes së këtyre projekte. Struktura e projekteve të përzgjedhura duhet të jetë më mirë e balancuar. Sfida reale e vendit është varfëria dhe braktisja e një pjese të vendit”, nënvizoi Malaj. Për të, kjo kërkon që investimet në zonat rurale, përmirësimi infrastrukturës rurale, të marrin prioritet më shumë se çdo projekt tjetër, ndoshta edhe deri në 50% të gjithë shumës. “Sipas studimeve të Bankës Botërore, investimi në infrastrukturën rurale, ku rritet aksesi në treg për prodhimet e tyre, ku përmirësohet ndjeshëm shërbimi shëndetësor dhe cilësia e arsimimit, ka efektshmëri 6 herë më të madhe se, në qoftë se këto investime përdoren për një prioritet tjetër”, u shpreh ish-ministri.