Afrim Krasniqi: Projektet europiane të kushtëzohen

626
Për prof. asoc. dr Afrim Krasniqi, lektor i shkencave politike, bilanci njëvjeçar i iniciativës Merkel ka vlerë pozitive pasi ka krijuar një mjedis më bashkëpunues mes vendeve të rajonit. Sipas tij turi i kancelares ishte i pari tur i një kancelari gjerman në historinë e rajonit dhe pati një bilanc pozitiv në aspektin politik. Por sa i takon nivelit të shkëmbimit ekonomik dhe forcimit të demokracisë, sipas prof. asoc.dr Krasniqi, ende nuk ka dhënë rezultat. Vendet janë të gatshme të bashkëpunojnë me projekte të mëdha infrastrukturore kur bëhet fjalë për t’i kërkuar financim BE-së. “Por mendoj, thotë Krasniqi, se nuk janë ende po kaq të gatshme të nxisin projektet rajonale më të vogla. Niveli i shkëmbimeve tregtare mbetet minimal dhe tregu rajonal nuk funksionon. Ky është një tregues i brishtësise së rajonit dhe kontrastit me frymën e Berlinit. Nga ana tjetër, disa vende të rajonit u ndeshën me probleme të funksionimit të shtetit të së drejtës. Krizat politike në Maqedoni, Kosovë e Bonjë harxhuan shumë kohë dhe energji. Në Shqipëri e Serbi pati incidente dhe ulje ngritje të panevojshme politike. 
Samiti i Austrisë duhet t’i japë një ofertë konkrete rajonit 
Samiti i Austrisë duhet t’i japë një ofertë konkrete rajonit, mbështetje konkrete të disa projekteve dhe mesazh të fortë për demokracinë lokale. Qytetarët duhet të shohin se BE dhe Gjermania janë potencial mbështetës ekonomik e politik në rajon jo vetëm në angazhime politike, por edhe në terma teknike ekonomike dhe financiare”. Duke u ndalur tek problemi aktual i azilkërkuesve në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së, prof. asoc. dr Afrim Krasniqi mendon se për këtë çështje parësore do të ketë shumë hapësira në diskutimet jopublike të Samitit të Vjenës. “Vetë Austria loboi ditët e fundit në rajon për këtë temë. Ironikisht ky problem do jetë ndihmës për vendet ballkanike, sepse do të ndikojë në mbështetjen e projekteve ekonomike të parashtruara prej tyre. Ata që duan të emigrojnë kanë nevojë për shpresë e mesazh për jetesë në vendet e origjinës ndaj Gjermania dhe BE do të jenë dyfish të interesuar t’ua përcjellin këtë mesazh. Nga ana tjetër, takimi do duhet të jetë shumë më kritik ndaj cilësisë së qeverisjes rajonale. Ka rëndësi fakti nëse Rama, Vuçiç apo Gruevski bashkëpunojnë me njeri-tjetrin, gjë që është arritur dhe është pozitive. Por shumë me rëndësi për qytetarët e vendeve të tyre ka fakti që ata të mirëqeverisin, të bëjnë reforma, të luftojnë korrupsionin dhe të ndikojnë në forcimin e demokracisë brenda vendeve të tyre, gjë që pak ka ndodhur”, tha Krasniqi.
Sigal