Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë ekskluzive për SYRI.net, ka reaguar në lidhje me votimin e mazhorancës së Edi Ramës për të mos i hequr imunitetin e Ballukut. Sipas tij, kjo është një goditje për shtetin e së drejtësi. Sipas Metës, Edi Rama është peng i bandave kriminale në Shqipëri, prandaj dhe sillet kështu.Gjithashtu ai deklaroi se, Soros e donte Shqipërinë parajsë për pastrimin e parave dhe për këtë arsye drejtësinë ja dha në dorë Edi Ramës.
– Z. Meta, si e gjykoni vendimin e djeshëm të shumicës socialiste për bllokimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Znj. Balluku?
Si fillimin e vetëdenoncimit publik të Edi Ramës, si armiku i drejtësisë, por edhe pengmarrësi i saj, që nga zgjedhja antikushtetuese me 69 vota e Prokurores së Përgjithshme dhe deri dje.
Pra drejtësia ishte “e shkëlqyer” derisa zbatonte direktivat politike të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë rilindase për të arrestuar Berishën dhe Metën, që ky ta kishte fushën bosh.
Po kështu, drejtëisa ishte e pranueshme për aq kohë sa “godiste” në marrëveshje me Ramën bashkëpunëtorë të tij për çështje anësore ose sekondare me qëllim prodhimin e statistikave për të balancuar persekutimin e paligjshëm të drejtuesve dhe përfaqësuesve të opozitës, si Berisha, Meta, Mediu, Beleri, Salianji apo edhe Bardh Spahia, që thirrej çdo javë para zgjedhjeve në SPAK, për një çështje fare ordinere, ndërsa i pandehuri Benet Beci, drekonte me prokurorë të SPAK. Por në momentin, që më shumë nga halli se nga vullneti i drejtësisë, i mbetën në dorë patatet e nxehta të AKSHI-t dhe Zv/Kryeministres, ky u kujtua për degradimin e situatës me paraburgimet dhe i vuri kufirin te thana hetimit “inkuizitor”, që bazohej në gjyqet publike para atyre juridike apo te shpallja e fajtorëve bazuar mbi “thashetheme” telefonash.
U kujtua me ndihmën e Hulsiut se Prof. Stavri Çeço, që unë personalisht kam patur nderin ta kem pedagog, paska thënë se kur prokurorët nuk kanë prova mbushin faqe të tëra me muhabete e trillime për të dënuar viktimat. Dhe ka të drejtë se për të marrë të pandehur Edi Ramën, do mjaftonte vetëm akti zyrtar me firmën e tij ku shpalli fituese me 8% kompaninë e inceneratorëve, që nuk ishte krijuar akoma. Ose për të vënë para përgjegjësisë penale Z. Veliaj do mjaftonte akti që ai firmosur para 9 vitesh duke shpërdoruar detyrën dhe përvetësuar kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të futur në borxh qytetarët e të gjithë Qarkut të Tiranës për të paguar dhe sot e kësaj dite inceneratorin që nuk ekziston (përveçse në 3D).
Por arkitekti i kësaj afere është vetë Edi Rama, ndaj duheshin mbushur kamiona me fashikuj për Veliajn për çështje anësore e sekondare. I përmend këto 2 akte se jo vetëm janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar edhe nga analfabetë, por mos-hetimi i tyre përveçse thellon çdo ditë dëmin e interesit publik, ka goditur rëndë parimin dhe ndjenjën e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë të çdo zyrtari të shtetit.
– A do të ishte dështimi i drejtësisë edhe dështimi i ndërkombëtarëve? Aq më tepër që ata janë financuesit kryesorë të saj?
Dështimi i Drejtësisë ka qenë dhe do të mbetet dështimi i shqiptarëve, siç e tregojnë të gjitha statistikat krahasuese qoftë edhe me 10 vite më parë kur u miratua reforma.
Siç e dëshmon dhe largimi i 1 milion shqiptarëve. Gënjeshtra më e madhe është se ndërkombëtarët janë financuesit kryesorë, kur e vërteta është krejt ndryshe, pai financuesit kryesorë kanë qenë dhe mbeten qytetarët shqiptarë.
– Po ju, a ndjeni përgjegjësi për dështimin e kësaj Reforme që u miratua me 140 vota?
Aspak, sepse qëllimet ishin krejt të tjera dhe jo ato që përmenda më parë, të cilat nuk erdhën nga reforma që u votua me 140 vota sipas rekomandimeve të Venecias, por nga tjetërsimi i qëllimshëm dhe malinj që iu bë asaj gjatë zbatimit antikushtetues, për të cilin nuk ka përgjegjësi vetëm Rama, por edhe ambasadorët sorosiste që justifikonin shkeljet e qëllimshme të Kushtetutës, si për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota ( nga 84 sipas Kushtetutës) e gjithë zinxhirin e hetimit. Ndërkohë jam i qetë sepse që në vitin 2016 dhe deri më 24 korrik 2022 i kam paralajmëruar zyrtarisht edhe si Kryetar Kuvendi, por edhe President i Republikës, SHBA, BE, Britaninë e Madhe për pasojat e mëdha që do të vinin nga shkelja e Kushtetutës, me ligje dhe vendime antikushtetuese për t’i dhënë Ramës kapjen e plotë të hetimit dhe gjykatave e sidomos asaj kushtetuese për të cilën thirra edhe Mitingun historic të 2 Marsit 2020. Këto paralajmërime i kishte bërë edhe vetë Komisioni i Venecias në rekomandimet e tij shumë të vlefshme në Mars 2016. Por dikush donte ta kthente Shqipërinë në parajsën e tij të pastrimit të parave dhe ky ishte Soros.



















