Afera 730 mln euro i vë lakun në fyt “Tigrit në Arrati”

107
Sigal

Shkrihet dosja e plehrave 730 mln euro me të implikuar një rreth të gjerë zyrtarësh. Kuvendi “dorëzon” Ahmetajn në SPAK, pasi pasuroi me taksat e shqiptarëve veten dhe “bosët e inceneratorëve”, Zoto e Mërtiri. Fati i Ahmetaj mes prangave dhe azilit, nga arratia nis kërcënimet, ja deklarata. Opozita paralajmëron protesta: Truri i inceneratorëve edhe Agaçi

– Fati i Ahmetaj, nga arresti ndërkombëtar tek azili politik, mund të ndodh me ish-zv/kryeministrin

Arben Ahmetaj, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, është rasti i vetëm që një deputet për të cilin u kërkua arrestimi nuk ndodhet në Shqipëri. Në të tilla raste kur deputeti tashmë pa imunitet ndodhet në drejtim të paditur apo përtej kufijve pas autorizimit të Kuvendit, kërkesa dërgohet në Gjykatën e Posaçme për lejimin e masës së sigurimit e menjëherë prokurori nxjerr urdhrin e ekzekutimit, të cilin ja dorëzon policisë. Është Drejtoria e Policisë ajo e cila duhet të bëjë verifikimet se ku ndodhet në rastin tonë Ahmetaj. Kërkimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por fillimisht verifikohet nga TIMS-i nëse ky individ e ka kaluar shtetin shqiptar në mënyrë të ligjshme. Informacioni që do të merret nga policia pranë SPAK-ut duke i bërë me dije se nuk po arrijmë të bëjmë dot ekzekutimin e vendimit pasi personi ndodhet jashtë Shqipërisë. Nëse Ahmetaj sërish nuk do të gjendet dhe policia e konfirmon këtë gjë, atëherë prokuroria vepron me urdhrin e arrestit ndërkombëtar. Diçka e tillë bëhet vetëm në rastet kur vendndodhja e personit të kërkuar nuk dihet. Urdhri i arrestit ndërkombëtar i dërgohet të gjitha autoriteteve të huaja nëpërmjet INTERPOL-it, ka një rrugë shumë të shpejtë dhe efikase. Por nëse ka informacione mbi vendndodhjen e ish/zv kryeministrit, atëherë ka një tjetër procedurë, e cila është më e thjeshtë, por rol të rëndësishëm ka dhe vullneti politik pasi përfshihet ministria e drejtësisë apo dhe konsullatat. Në momentin që dihet është pak më e thjeshtë, sepse prokurori i ekzekutimit do t’i dërgojë Prokurisë së Përgjithshme kërkesën për ekstradim.

117 deputetë i hapin rrugën SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj

Me 117 vota pro dhe 3 abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të premten, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, që i hap rrugën arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Gjatë seancës së posaçme ku u lexuan dhe raportet e Komisionit të Mandateve, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ftoi SPAK që t’i shkonte deri në fund hetimit për çështjen e inceneratorëve, teksa ftoi Ahmetajn të bashkëpunojë me drejtësinë.“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, -tha Bardhi. Ndërkohë nga ana e mazhorancës, foli deputeti Arben Pëllumbi, i cili i kërkoi opozitës të ndalë akuzat dhe të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj, teksa shtoi se emri i kryeministrit, ndryshe nga sa pretendon opozita, nuk rezulton në asnjë fjalë të kërkesës së SPAK.“Edhe sot që duhet të ndiqnim procedurë, Bardhi mbajti një qëndrim politik, larg raportit që lexoi. Ne nuk jemi gjykatë dhe prokurorë, nuk mund të japim mendime personale. Kemi një raport të SPAK, që duhet të ndeshet në Gjykatë me kolegun tonë dhe është ajo që jep vendimin. Deri në atë kohë të gjithë duhet të njohim prezumimin e pafajësisë. Bardhi përmendi shumë emra, shumë kolegë dhe përmendi kryeministrin, emri i të cilit nuk rezulton askund në raportin e SPAK”,- tha Pëllumbi. Kujtojmë se, më herët gjatë ditës së sotme, ish-ministri i Financave, njëherazi edhe ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj reagoi me anë të një postimi të gjatë në rrjetet sociale ku dha një mesazh për qytetarët, votuesit që i besuan, deputetët e mazhorancës e të opozitës, por edhe për reformën në drejtësi. Ahmetaj shkruan se kush qeveris e punon nuk është perfekt e për këtë kërkon një ndjesë publike.