Adriana Kalaja hyn në ‘Primare’: Tirana do të ketë një alternativë shpëtimi

124
Sigal

Avokatja dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Adriana Kalaja ka njoftuar kandidimin e saj për Primaret e Tiranës në garimin e brendshëm në PD. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Kalaja tha se do të punojë për Tiranën dhe se qyteti do të fitohet me integritet dhe parime. “Si grua, qytetare, nënë dhe gjyshe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të marrësh përsipër sfida të tilla, aq më shumë kur përballë ke një pushtet, që ka deligjitimuar votën dhe garën, i cili mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me mafian dhe krimin për të vjedhur votat. Të gjithë e provojmë çdo ditë, se çfarë do të thotë të qarkullosh në Tiranë apo të parkosh. Edhe në rastet emergjente. Po kështu, të gjithë e shohim se hapësirat e gjelbra dhe terrenet sportive janë zëvendësuar me kullat shumëkatëshe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pastrim parash. Por mua më pëlqen të sfidoj dhe të luftoj. Më pëlqen të luftoj për atë që është e drejtë dhe të fitoj.” Ndër të tjera Kalaja tha se alternativa e saj do të jetë shpëtim për qytetin. Futja në garë e Kalasë e çon në 5 numrin e kandidatëve për Primare brenda demokratëve. Më herët, në garë kanë dorëzuar platformën Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe ish-deputetët Kujtim Gjuzi dhe Gert Bogdani.