Ilir Meta: Njerëzit mezi presin, të ngrenë zërin në 12 Nëntor ndaj skandaleve të llahtarshme të qeverisë

128
Sigal

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta zhvilloi një konferencë me gazetarët. Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama fajëson për shpopullimin autoritetet britanike, por se fajtori kryesor është mafia në pushtet që ka shkaktuar humbjen e perspektivës për të rinjtë. “Dua të shpreh edhe një herë tjetër angazhimin e vendosur të Partisë së Lirisë për të ndaluar shpopullimin dhe njëkohësisht për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë kësaj drame të madhe të vendit tonë të shoqërisë tonë e pothuajse të çdo familje shqiptare. Përshëndes edhe angazhimin edhe preokupimin edhe lutjet e sotme të udhëheqjes së Kishës Katolike, por edhe të komuniteteve të tjera për të reflektuar të gjithë dhe për t’u bashkuar për të çrrënjosur të gjitha arsyet që i nxisin të rinjtë tanë të rrezikojnë jetën për të kaluar La Manshin me gomone. Është e qartë që i vetmi që nuk dëshiron të kontribuojë është shkaktari që është pikërisht kryeministri i papërgjeshëm i cili fajëson autoritetet britanike për një fenomen atë të shpopullimit dhe të largimit nga vendi duke rrezikuar jetën e të rinjve tanë që e ka nxitur ai me politikat e tij kundër të rinjve duke mos i krijuar asnjë mundësi reale për të qëndruar në vend për t’u punësuar në vend, për t’u ndjerë të sigurtë në vend për t’u kualifikuar dhe për t’u mbështetur në projektet e tyre për të krijuar edhe familjet e reja këtu. Është thjesht mafie në pushtet, që ka si moto të qeverisjes vjedhjen dhe grabitjen e fondeve publike, korrupsionin, pastrimin e parave, mbështetjen e trafiqeve të të gjitha llojeve dhe shkatërrimin e shtetit të së drejtës”,- tha ai. Kreu i PL vuri theksin te rritja e akcizës për birrën ndërsa deklaroi se po zhduken prodhimet “Made in Albania”. “Po rrezikohet mbyllja e mijëra vendeve të punës në vend. Këtë gjë e tregon edhe paketa fiskale. Ka përpjekje skandaloze për ta dekurajuar dhe frikësuar rininë. Është skandaloze që në paketën fiskale për vitin e ardhshëm të shohësh masa të tilla si 10-fishimi i gjobave. Në këto kushte papunësia dhe kriza, goditja e prodhimit vendas, si birra, është e pakonceptueshme. Po rrezikohet edhe mbyllja e dhjetëra mijëra vendeve të punës. Kjo do të thotë asgjësimi i produkteve ‘made in Albania’.” Meta tha se kërcënimi për tatimin e jashtëzakonshëm për prodhuesit privatë të energjisë elektrike është një propozim absurd. “Të gjithë këta investitorë i kanë kursyer shtetit dhe shoqërisë me qindra milionë euro. Mafia në pushtet shkaktarja kryesore e humbjes së perspektivës së këtyre të rinjve. Ndërkohë që qeveria duhet të ulë kokën për këto pasoja tragjike që i ka shkaktuar vendit dhe të forcojë bashkëpunimin me autoritetet franceze. Të bashkëpunojë më autoritetet britanike që t’i trajtojë me dinjitet qytetarët tanë” deklaroi Meta.