Administrata mbushet me militantë/ Rilindja “rilind” Filip Xuxin, pjatalarësin e hotel “Butrintit”, duke e bërë nënkryetar bashkie në Delvinë

411
Sigal

‘Rilindja’ rilind Filip Xuxin, pjatalarësin e hotel “Butrintit” duke e bërë nënkryetar bashkie në Delvinë. Filip Xuxi, nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, mund të jetë padyshim një prej “Hirushëve” në zonën politike të Jugut, pjesë e kontrolluar nga “superdeputeti” i Edi Ramës, Alket Hyseni. Xuxi, dikur një pjatalarës në Hotel “Butrinti” të Sarandës, tashmë ka rilindur dhe ecën fuqishëm në karrierën politike dhe administrative, duke u emëruar pas votimeve një-partiake të 30 qershorit 2019, në postin e zëvendësit të kryebashkiakes socialiste, Majlinda Qilimi. Natyrisht, pjatalarës nuk është aspak profesion apo punë për t’u nënvlerësuar. Përkundrazi, është një punë e ndershme, e cila kontribuon në sigurimin e mirëqenies së familjes. Por, drejtimi i punëve publike dhe ato bashkiake, kërkon diçka më shumë. Më së paku duhet një përvojë administrative dhe menaxheriale, e cila, të paktën sipas njohësve të Filip Xuxit, atij i mungon. Renato Dhima është një person aktiv në jetën publike në zonën e Delvinës, duket se e njeh mirë “biografinë” profesionale të nënkryetarit të Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi.Në postimet e tij në rrjete sociale, Dhima nuk i kursen ironitë me Xuxin, duke i kujtuar kohën kur ai shërbente, me devotshmëri, si pjatalarës në hotelin kryesor të qytetit jugor, “Butrintit”. Pas këtij punësimi, Filip Xuxi shkoi për shumë vite emigrant në Greqinë fqinje, si shumë e shumë shqiptarë të tjerë. Pasi kthehet në Shqipëri, gjithnjë sipas të dhënave të publikuara në rrjete sociale, Filip Xuxi diplomohet në një nga universitetet private në Tiranë, president i të cilit është një deputet i fuqishëm socialist. Me këtë diplomë universitare në xhep, Filip Xuxi tashmë i ka të hapura rrugët për t’u përfshirë në jetën politike dhe publike. Prej më shumë se një viti, Xuxi mban detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Delvinës, një post shumë i lakmuar dhe shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punëve të qytetit. Natyrisht, ngritja e tij në detyrën e rëndësishme për qytetin, duket se ka pasur mbështetjen e fuqishme të deputetit Alket Hyseni, i cili kontrollon thuajse të gjithë “politikën e kuadrit” në rajonin e Bregut Jugor. (Boldnews.al)