Kryebashkiaku Ermal Dredha: Me aksionin për pastrimin tërësor të Vlorës dhe urbanizimin do u japim respektin e merituar të gjithë qytetarëve vlonjatë

43
Sigal

Një aksion i gjerë dhe intesiv pastrimi ka nisur në Vlorë ku bashkë me punëtorët doli edhe vetë kreu i Bashkisë Ermal Dredha. Kryetari i dalë fitues në zgjedhjet e14 majit për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha u shpreh se “kemi nxjerrë një skuadër të ndërmarrjes së pastrimit të Vlorës. Jo pa qëllim kemi ardhur këtu, sepse që nga dita që kam filluar zyrtarisht detyrën time si kryetar bashkie në qytetin e Vlorës, ankesat më të shumta kanë ardhur nga qytetarët sa i përket menaxhimit dhe mirëmbajtjes së varrezave të qytetit”. “Siç e shikoni vetë këtu është katastrofë, sepse ka më shumë se 8 muaj që nuk ndërhyhet fare. Kemi pasur pothuajse 3 procedura të njëpasnjëshme për tenderimin e mirëmbajtjes së kësaj zone këtu, por mesa duket kanë dështuar. Kështu që ne kemi marrë një vendim që këtë ta menaxhojë bashkia, sepse unë e shikoj si një situatë emergjente”, -tha Dredha. “Në mbledhjen e parë të këshillit, do mundohemi të kalojmë edhe një vendim lidhur me këtë pjesë, me qëllim që të krijojmë një grup të fokusuar vetëm në këtë pjesë, nga bashkia patjetër, prej 20 personash, me qëllim që të fillojmë ta nxjerrim në dritë gjithë këtë zonë që e ka dhe synimin për t’i dhënë respektin e merituar të gjithë qytetarëve vlonjatë, aq më tepër kur flasim për banesën e fundit. Varrezat e qytetit duhet të jenë edhe pasqyra dhe kultura dhe mentaliteti i reflektuar më së miri sesi ne menaxhojmë këtë ambient. Prandaj do t’i japim shumë vëmendje, do të punojmë të gjithë së bashku. Nuk bëhet për një ditë, patjetër, por të paktën të vendosim frymën e duhur. Duhet të punojmë sa më shumë që kjo zonë këtu të jetë e mirëmbajtur, e parcelizuar, me rrugë të shtruara, mundësisht të vendosim edhe ujin këtu që do ta bëjmë, sepse vetëm kështu mund t’i japim respektin e merituar të gjithë qytetarëve vlonjatë, por edhe atyre që kanë shërbyer për ndërtimin e këtij qyteti”, tha Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha.