Administrata: Asnjë i zgjedhur dhe i emëruar me rekorde kriminale

436
Sigal

Përfundon procesi i dekriminalizimit në Kuvendin e
Shqipërisë

Kuvendi i
Shqipërisë, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit informoi dje se
asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend,
pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare. Sipas një
informacioni të publikuar nga parlamenti, bazuar në ligjin për
dekriminalizimin, kryetari i Kuvendit, në cilësinë e organit përgjegjës, ka
vijuar me fazën tjetër pas publikimit të formularëve, duke kërkuar informacion
nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore për të gjithë
funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të
Kuvendit. Nga përgjigjja e kësaj Drejtorie, rezulton se asnjë nga subjektet e
verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të
gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare, citohet informacioni zyrtar. Po
ashtu, pas verifikimit nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga
zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare, përveç
rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës, që nuk janë pjesë e këtij
ligji. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC), është
përgjigjur dhe për verifikimin e përbërësve të të dhënave të Regjistrit Kombëtar
të Gjendjes Civile të vitit 2010, për të gjithë listën emërore të funksionarëve
publikë, subjekt i këtij ligji pranë Kryetarit të Kuvendit. Nga struktura e
posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve të cilët kanë
deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjendjes civile. Nga ky kontroll i
strukturës, rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas
martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhojë e dekretit të Presidentit
për marrje shtetësie, si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga
zyrat e gjendjes civile. Këto ndryshime janë të përputhura edhe me regjistrin e
gjendjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile. Nga
verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së
gjendjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetëdeklaruar ndryshime të
emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme , nuk rezultojnë me
ndryshime të tilla në regjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe
arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile,
konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjendjes
civile ku ato figurojnë të regjistruar, thuhet në informacionin e Kuvendit.

 

 

 

 

 

Zgjedhjet në Kolonjë, regjistrohen koalicionet ASHE
dhe APPD

Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar dy koalicionet garuese në zgjedhjet e
pjesshme për kryebashkiakun e Kolonjës. Në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e
Kolonjës, opozita garon me kandidatin Dritan Hajro, i cili vjen nga radhët e
Partisë Agrare Ambientaliste, ndërsa mazhoranca me mjekun Ilia Stefo. Pjesë e
koalicionit të majtë nën siglën “Aleanca për Shqipërinë Europiane” janë 6
parti, ndërsa “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” ka si pjesë të
koalicionit të djathtë 9 parti. Zgjedhjet e pjesshme mbahen më 20 nëntor, pasi
ish-kryebashkiaku Arben Malo u nda nga jeta, si pasojë e një arresti kardiak,
duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

 

Kryebashkiaku dhe Ministrja e Arsimit në përurimin e
kopshtit 20, në Njësinë 3

Erion Veliaj: Orë edukimi në kopshte për ndarjen e
mbetjeve dhe mjedis të pastër

 

Som

Teksa përuroi
ambientet e reja tërësisht të rikonstruktuara të këtij kopshti, i shoqëruar
edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Veliaj
u ndal te rëndësia që ka edukimi i fëmijëve me nevojën për të mbajtur pastër
ambientin e përbashkët,

 

Kryetari i
Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një orë mësimi me fëmijët e
Kopshtit 20 në Njësinë 3, të cilëve u shpjegoi rëndësinë e ndarjes së mbetjeve
në të riciklueshme dhe të pariciklueshme, nismë e cila do nisë të zbatohet
shumë shpejt në kryeqytet. Në bisedën me fëmijët, ai theksoi rëndësinë që kanë
ata për të ndihmuar në ndërgjegjësimin qytetar, që ky proces të zbatohet me
sukses nga familjet kryeqytetase. Teksa përuroi ambientet e reja tërësisht të
rikonstruktuara të këtij kopshti, i shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit dhe
Sportit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Veliaj u ndal te rëndësia që ka edukimi
i fëmijëve me nevojën për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët, si një
mundësi për të ndërgjegjësuar prindërit e tyre që të respektojnë procesin e
ndarjes së mbetjeve nëpër kazanët e rinj që do vendosen së shpejti në qytet.
“Duke filluar nga muaji nëntor, ne do të vendosim dy kazanë mbeturinash në
lagjen tuaj: një jeshil, ku do të hedhim mbetjet plastike, letrën, qelqin dhe
metalin, si dhe një kosh tjetër ku do të hedhim mbeturinat e tjera. Ajo që dua
është të na ndihmoni, t’u thoni prindërve që gjërat që mund t’i riciklojmë t’i
hedhim te koshi i gjelbër, ndërsa gjërat që nuk mund t’i riciklojmë, t’i hedhim
te koshi blu”, u tha Veliaj fëmijëve. Ai theksoi se në të gjithë kopshtet e
Tiranës do të nisë një orë mësimi me fëmijët për mënyrën se si ata duhet të bëjnë
ndarjen e mbetjeve urbane në burim, si një nga mënyrat më efikase për të
mbajtur qytetin pastër dhe për të shmangur çdo mundësi për të ndërhyrë në
kazanët e vendosur nëpër qytet. Ai shprehu kënaqësinë që qytetit të Tiranës i
shtohet edhe një kopësht i rikonstruktuar falë kontributit të bashkisë dhe
Albtelecom, duke bërë të mundur ofrimin e ambienteve dhe kushteve më të mira
për fëmijët. “Jam shumë i lumtur që në Njësinë 3 hapëm sot një kopsht të ri. Më
vjen mirë që ky kopësht ka edhe dhoma gjumi, të cilat nuk i kishte më parë, por
ka edhe ambient shtesë për psikologun, si dhe për disa fëmijë me aftësi
ndryshe”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se ky është kopshti i 25 në total që tashmë
është rikonstruktuar totalisht, ku 23 prej tyre u rikonstruktuan falë kontributit
të donatorëve, që iu bashkuan nismës “Adopto një Kopësht”. “Deri në fund të
këtij viti, të gjitha kopshtet e Tiranës do të jenë në të njëjtin nivel me
kopështin që përurojmë sot në Njësinë 3. Dua të falenderoj prindërit e
fëmijëve, duke qenë se falë taksave dhe kontributit të tyre, apo të kompanive
që operojnë në këtë zonë, na kanë dhuruar sot një kopësht model për Tiranën”, u
shpreh Veliaj. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, falënderoi
Bashkinë e Tiranës për gjithë punën që po bën për fëmijët e qytetit, ndërsa
garantoi se edhe edukatorët që shërbejnë në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës do
t’i përgjigjen me mësimdhënien e tyre standardit të lartë që ofrojnë tashmë
këto institucione. “Kopshti ‘Çufo’ është shembulli si mund të bëhen gjërat realitet,
kur bëhen me pasion. Të falënderoj Erion për atë që bën, për fëmijët e qytetit,
për qytetin, por mbi të gjitha, për atë që bën për të gjithë ne, duke na dhënë
një shembull të shkëlqyer të modelit të punës, të mbajtjes së premtimit.
Përfitoj nga rasti për t’u zotuar të gjithë prindërve të këtyre vogëlushëve sot
këtu, por në të gjithë Shqipërinë, që padyshim i gjithë stafi tjetër i
edukatoreve do të jetë në lartësinë e kësaj përgjegjësie, për të mundësuar që
këta vogëlushë të hedhin hapat e duhur të edukimit dhe arsimit të tyre”, tha
ministrja Nikolla.

 

 

Kërcënimi rus, Shqipëria në dy misionet e NATO-s

 

 

Shqipëria do të
marrë pjesë ushtarakisht në dy nga misionet më të rëndësishme të NATO-s. Nga
ministeriali i NATO-s në Bruksel, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi
se ushtarakët shqiptarë do të jenë në misionet e Aleancës në detin e Egje dhe
në atë të mbrojtjes së kufijve në Letoni. “Do të shkojmë me ekspertët dhe
specialistët tanë, si dhe me oficerët e Shtabit të Përgjithshëm dhe do të jemi
prezentë në frontin e zgjeruar lindor, që do të funksionojë gjatë për shkak të
kërcënimeve që vijnë nga Lindja. Gjithashtu, Shqipëria ka deklaruar
gatishmërinë e saj për të qenë pjesë e misionit në detin Egje, që do të
udhëhiqet nga Marina Holandeze”, deklaroi Kodheli. Në Bruksel, Kodheli u takua
edhe me homologun letonez dhe atë kanadez. Ministrja e Mbrojtjes tha se
Shqipëria ka marrë përgjigje pozitive për kërkesën e bërë më parë për të
ngritur qendrën e ekselencës së NATO-s në Tiranë, e cila do të merret posaçërisht
me luftëtarët e huaj.