Akuzat për dekorimin e 67 ballistëve, reagon Presidenti Nishani

444
Sigal

Institucioni i Presidentit të Republikës reagoi dje ndaj akuzave të hedhura ndaj tij për dekorimin pak ditë më parë të 67 nacionalistëve. Përmes një reagimi zyrtar Presidenca i quajti të papranueshme akuzat e ngritura, duke i konsideruar sulme dhe provokime nga nostalgjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore. “Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike, thuhet në reagimin e Presidentit. Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtarë të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e Kreut te Shtetit. Sipas Presidentit, ky realitet shqetësues tregon se sa shumë është dëmtuar shoqëria shqiptare nga mos hetimi dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit, si i vetmi vend ish-diktatorial që nuk e ka kryer këtë proces. Akti i dekorimi të 67 nacionalistëve nga ana e Presidentit Bujar Nishani, ngjalli reagime dhe polemika të forta mes historianëve, studiuesve dhe politikanëve, por edhe ish-partizanëve, pjesë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.