Abuzimi me fondet e rindërtimit/ Arben Ahmetaj shpërfilli rekomandimet e auditimit duke abuzuar me 2.5 mln euro vetë në riparimin e një godine

154

Qeveria shpërfilli shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe finalizoi një tender me vlerë 2.5 milionë euro për ndërtimin e godinës së Qendrës së Automjeteve të Policisë së Shtetit, bazuar në procedura jo të rregullta.

Sigal

Qeveria shpërfilli shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe finalizoi një tender me vlerë 2.5 milionë euro për ndërtimin e godinës së Qendrës së Automjeteve të Policisë së Shtetit. KLSH gjeti shkelje në tenderin për Rindërtimin, por kjo nuk e pengoi qeverinë që t’I shkonte deri në fund, pa reflektuar shkeljet e rekomanduara.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria miratoi një seri vendimesh për Rindërtimin, që parashikonin procedura të mbyllura dhe pa të drejtë ankimimi, nën argumentin e nevojës emergjente për ngritjen e godinave të shkatërruara.Pjesë e projektit të Rindërtimit u përfshi edhe ndërtimi i godinës së Qendrës së Automjeteve të Policisë së Shtetit, e njohur edhe si QSHAMT.

Për këtë projekt, Komiteti i Rindërtimit, i drejtuar nga Arben Ahmetaj, miratoi në 1 Dhjetor 2020 financimin me vlerë 2.7 miliardë lekë të vjetra ose rreth 2.5 milionë euro.Por, një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Veprimtarinë e Ministrisë së Rindërtimit, publikuar në Tetor të vitit 2021, konstatoi shkelje të rënda në këtë procedurë.

Sipas KLSH-së, godina e Qendrës së Automjeteve të Policisë ishte dëmtuar disa kohë para tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kontrollorët shtetërorë kanë identifikuar dokumente të Ministrisë së Brendshme, që datojnë në Tetor të atij viti, ku konstatohet se godina e QSHAMT ishte tërësisht jashtë funksionit para lëkundjeve sizmike.Megjithatë, qeveria i injoroi këto konstatime dhe vijoi pa asnjë shqetësim procedurat e tenderit 2.5 milionë euro, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Fundjavën e kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mbylli tenderin, duke shpallur fitues një bashkim operatorësh të përbërë nga 4 kompani, duke vulosur një procedurë të nisur në mënyrë të dyshimtë.