A u takuan Basha dhe Rama në Rinas në ‘besën’ e Varhelyi? Minutat që sollën aludimet, koha e daljes së dy liderëve dhe reagimet respektive

143
Sigal

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishin sot në dy në aeroportin “Nënë Tereza” ku pritën Komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi. Ky i fundit zbriti në Rinas, pasi Shqipëria ishte pika e radhës e ndalesës së tij, në kuadër të drejtimit të procesit të shpërndarjes së vaksinave në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria do të përfitojë nga BE 145 mijë doza Pfizer deri në muajin gusht, ndërkohë që edhe vende të tjera do të kenë dozat e tyre. Sapo zbriti në Rinas, komisioneri mbajti një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e mori fjalën i pari, i cili për herë të parë para një ndërkombëtari, i shtriu opozitës dorën për bashkëpunim. Por në axhendën e Varhelyi ishte edhe një takim me kryedemokratin Lulzim Basha. Varhelyi ishte me kryeministrin Rama, në momentin që kreu i PD-së u fut në Rinas….por, pak minuta më herët se të fillonte takimi me Komisionerin dhe kjo gjë la shkak për të aluduar se Basha kishte pasur një takim me kryeministrin Edi Rama.

Dyshimet nisën të shtoheshin në momentin që kryedemokrati dhe kryeministri dolën nga aeroporti vetëm me dy minuta diferencë nga njëri-tjetri. Ata dolën nga e njëjta derë për tu larguar me makinat respektive, por aludimet nisën të qarkullonin nëpër media. Fillimisht ‘Faxnews’ raportoi se dy liderët janë takuar me njëri-tjetrin në sallën VIP të Rinasit, në prani të komisionerit Oliver Varhelyi.

Më pas, gazetarja e AbcNews, Esiona Konomi raportoi të njëjtën gjë. vetë Partia Demokratike nxitoi të hidhte poshtë të gjitha lajmet e qarkulluara në rrjet. Sipas zyrës së shtypit të partisë blu, Basha dhe Varhelyi diskutuan për zgjedhjet dhe se kryedemokrati i ka renditur të dhënat për manipulimin zgjedhor komisionerit të BE.

Më pas Partia Demokratike, sqaroi në një reagim të dytë, se mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama nuk ka pasur një takim në në sallën VIP në Rinas. PD-ja shkruante se këto janë vetëm aludime dhe gënjeshtra për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre.

“Nuk ka patur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre,”– sqaroi PD.

Nga ana e Kryeministrit Edi Rama u pa vetëm një foto e publikuar nga takimi me komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Në Instagram, Rama ka publikuar foton disa minuta fill pasi Lulzim Basha zbardhi për mediat takimin me komisionerin.

“Me Komisionerin për Zgjerim, Oliver VARHELYI”,-shkruante Rama krahas fotos, duke mos e përmendur fare kryedemokratin.

Por, pse qarkulluan fjalët se mes dy liderëve pati një takim? Ajo që bëri që të lindin dyshime, ishte ora në të cilën mbërriti kryedemokrati Basha, shumë më herët se cc’ishte lënë takimin me Verhelyi dhe fakti që dalja e tij nga Rinasi dhe e kryeministrit Rama, kishin vetëm dy minuta diferencë…