A do ta respektojë vendimin nëse i hiqet imuniteti? Berisha: Fjala i takon Parlamentit

34
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nëse Kuvendi vendos që t’i hiqet imuniteti, atëherë ai do ta respektojë, aq më tepër edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e saj.

Ai tha për mediat se ai do të zbatojë vendimet kushtetuese.

“Çfarëdo vendimi që pas autorizimit të Kuvendit, do ta respektoj pa asnjë hezitim. Qëndrimi im i përsëritur këtu, juve ua kam thënë; ka të bëjë me kushtetutshmërinë e vendit. Nuk mund të bëhesha një njëri që nuk zbaton kushtetutën. Ai ishte një akt i shkuarjes së Kushtetutës në zyrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Tani parlamenti të vendosë si të dojë. Kam firmosur abrogimin e nenit 70 të kushtetutës që i jep atribute deputetit. Unë vetë po e përgatis se do e çoj në Kushtetuese. Unë do e zbatoj nëse Kushtetuesja vendos. Asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë. Tani do e zgjidhë parlamenti. Sa herë kanë ardhur me ato fletushka, s’i kam respektuar, tani e vendos Parlamenti. Sado vendimi i SPAK-ut është i paligjshëm, vendimi i Parlamentit do të respektohet. Opozita do të vazhdojë betejën e saj pa kthim deri në fitore. Ajo po zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin si një përpjekje për të çaktivizuar opozitën. Ky akt që merret kundër meje, është një frymëzim dhe një kushtrim i ri për opozitën dhe në këtë kontekst ndihem më i frymëzuar se kurrë. Grupi parlamentar tani është i mbledhur dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj.”, tha Berisha.