604 mijë shqiptarë marin pasaporta të BE-së, 210 mijë kërkojnë azil

19
Sigal

Pakësimi i popullsisë dhe largimi i lartë i “trurit” por edhe i profesionistëve mund të krijojë tensione sociale, ndërsa rënia e lindjeve vjetore me 10%, vetëm në 2023, më e forta në 30 vitet e tranzicionit është fatkeqsi kombëtare. Në 20 vitet e fundit mbi 604 mijë shqiptarë për ti shpëtuar varfërisë u bënë europian dhe vetëm në 5 vitet e fundit mbi 104 mijë shqiptar kanë kërkuar azil. Ja statistikat tronditëse

INFO

2019- 23 mijë azilkërkues

2020, viti që përkon pas tërmetit- 29 mijë azilkërkues

2021- 15 mijë azilkërkues

2022-17 mijë azilkërkues

2023-20mijë azilkërkues

Sipas të dhënave nga 2013 deri në fund të 2023, figuron që nga Shqipëria janë larguar rreth 700 mijë shqiptarë. Ku një pjesë e mirë kanë marrë pasaportat, dhe vëtëm në 5 vitet e fundit azikërkuesit arrijnë rreth 104 mijë. Sipas shifrave të EUROSTAT dhe jo institucioneve shqiptare, në dekadën e fundit janë rreth 1 milionë shqiptarë që kanë braktisur vendin.

Ikja pa kthim, 604 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë në një vend të Bashkimit Europian ndër vite

“Vetëm në vitin 2022, sipas Eurostat, janë 50 mijë shqiptarë që kanë marrë shtetësinë në një vend të BE-së, duke u renditur të tretin në Europë, pas marokenëve dhe sirianëve. Fryma politike që erdhi për 300 mijë vende të reja pune po largohet bashkë me mbi 600 mijë shqiptarë që braktisën atdheun.”

Teksa Bashkimi Europian ka shtyrë vazhdimisht vendimin për të hapur negociatat me Shqipërinë, qytetarët e vendit nuk janë shumë optimistë se do të arrijmë të bëhemi pjesë e BE-së brenda kësaj dekade. Shqiptarët janë lodhur nga korrupsioni, një sëmundjeje, të cilës klasa politike shqiptare nuk po arrin apo nuk dëshiron t’i gjejë shërim. Panorama e papunësisë, varfërisë, korrupsionit që ka përfshirë intitucionet, sistemin e drejtësisë, po degdis shqiptarët rrugëve të botës, nën hyqmin e emigracionit. Kështu në pamundësi për të ardhur Europa në Shqipëri, shqiptarët të dëshpëruar për të gjetur rrugëdalje nga skamja po emigrojnë për t’u bërë evropianë, larg atdheut që është bërë pre e çetave politike dhe oligarkike, të cilat po rrëmbejnë pasuritë kombëtare dhe shpresën e qytetarëve. Pasi fryma politike që erdhi për 300 mijë vende të reja pune po largohet bashkë me mbi 600 mijë shqiptarë që braktisën atdheun. Erdhi si shpresë për një Shqipëri Europiane, po largohet me Shqipërinë serbo-ruse. Efektet e zbrazjes së madhe po e gërryejnë të ardhmen e Shqipërisë. Ja shifrat që e faktojnë.

“Kriza demografike, që ka përfshirë Rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërinë me tkurrjen e popullsisë dhe emigrimin e lartë të të rinjve, përveç ndikimit negativ në tregjet e punës dhe cilësisë së demokracisë, mund të bëhet shkak edhe për destabilitet si në trazira sociale dhe jostabiliteti politik.”

Janë 604 mijë shqiptarë që janë pajisur me pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian në 20 vitet e fundit, sipas të dhënave të Eurostat, që i raporton shifrat nga viti 2002 dhe i ka përditësuar edhe për vitin 2022. Numri më i lartë i shtetësive të dhëna ishte në 2016, me 67 mijë, i ndjekur nga 2017-a, me 59 mijë. Më pas u shënua një tendencë e qëndrueshme në rënie, deri në vitin 2022, kur pasaportat e dhëna për shtetasit shqiptarë nga shtetet e BE-së u rritën sërish (shiko grafikun Numri i shtetësive të dhëna nga vendet e BE-së për shqiptarët në vite, 2002-2022).

Rritja e tyre përkon me valën e re të emigracionit, që ka përfshirë vendin vitet e fundit, duke u kthyer në një shqetësim real për ekonominë vendase, si në tregun e punës ashtu dhe për tendencën e konsumit. Shtetasit shqiptarë që kanë një pasaportë bëjnë rreth 22% të popullsisë që raportohet se jeton sot në Shqipëri, që është 2.76 milionë banorë, (INSTAT nuk i ka publikuar ende të dhënat e Censit të ri).

1. Në 2022, shtetësitë u rritën me 55%

Vetëm në vitin 2022, sipas Eurostat, janë 50 mijë shqiptarë që kanë marrë shtetësinë në një vend të BE-së, duke u renditur të tretin në Europë, pas marokenëve dhe sirianëve.Italia është shteti kryesor që ka pajisur me shtetësi shtetasit shqiptarë në vitin 2022, duke përbërë 75.8 për qind, e ndjekur nga Greqia, me 19.2 për qind, Suedia (1.2%) dhe Belgjika (0.9%). Krahasuar me vitin 2021, numri i shtetësive të dhëna për shqiptarët është rritur me 17 900 persona, ose 55 %. Për marokenët me 26 500 shtetësi, (ose 31 %), rumunë (nga 9 100 persona, ose 32 %), sirianët (nga 6 400 persona, ose 8 %) dhe turq (nga 3 700 persona, ose 15 %).

2. Gati 1 milionë njerëz morën shtetësinë në BE gjatë vitit 2022

989 mijë persona morën shtetësinë në një vend të Bashkimit Europian ku jetonin, një rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin 2021.Në vitin 2022, shtetasit marokenë ishin grupi më i madh i qytetarëve të rinj të BE-së, me gjithsej 112 700 status të shtetësisë së dhënë. Grupi i dytë më i madh ishin shtetasit sirianë me 90 400 shtetësi, të ndjekur nga shqiptarët me 50 300 shtetësi.Rumania regjistroi shkallën më të lartë të natyralizimit* në vitin 2022 midis vendeve të BE-së, me 26.8 shtetësi të dhëna për 100 banorë jo-shtetas. Suedia ishte 10.6, e ndjekur nga Holanda me 4.4 dhe Italia me 4.2.Në anën tjetër të shkallës, normat më të ulëta të natyralizimit për 100 banorë jo-shtetas u regjistruan në Letoni dhe Estoni (të dyja 0,4), Austri dhe Bullgari (të dyja 0,7) dhe Maltë dhe Çeki (të dyja 0,8).

3. Pakësimi i popullsisë dhe largimi i lartë i “trurit” mund të krijojë tensione sociale

Kriza demografike, që ka përfshirë Rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërinë me tkurrjen e popullsisë dhe emigrimin e lartë të të rinjve, përveç ndikimit negativ në tregjet e punës dhe cilësisë së demokracisë, mund të bëhet shkak edhe për destabilitet të përgjithshëm, vë në dukje një analizë e fundit e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) në lidhje me çështjet e sigurisë në Rajon. Sipas Barometrit të Ballkanit më 2023, gjendja ekonomike dhe papunësia janë shqetësimet kryesore për qytetarët e Rajonit, me 47% dhe 32% e të anketuarve që i identifikojnë këto si problemet kryesore. Por në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ikja e trurit është shfaqur si një nga çështjet më të rëndësishme përkatësisht 41% dhe 27% të të anketuarve që e kanë theksuar atë si një problem kritik, me rritje nga viti i kaluar. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që koordinon Nismën e Berlinit vë në dukje se plakja e popullsisë kontribuon në një sfidë demografike, duke ndikuar negativisht tregjet e punës, produktivitetin ekonomik, dhe sistemet e mirëqenies sociale.Largimi i të rinjve dhe sidomos atyre me aftësi rrit pabarazitë në të ardhura, punësim dhe zhvillim të infrastrukturës dhe mund të bëhen shkaqe për tensione të mundshme sociale. Ikja e vazhdueshme e trurit dhe emigrimi i fuqisë punëtore nga rajoni përfaqësojnë çështje urgjente që duhen zgjidhur, pasi mund të ndikojnë negativisht stabilitetin ekonomik dhe më pas tronditin sigurinë në të gjithë rajonin.