U afrua, e qëlloi 4 herë dhe më pas vrau veten, si ndodhi krimi i dyfishtë në Korçë

19
Sigal

Emiljan Pine u ekzekutua teksa po tentonte të hapte një derë. Kthen kokën në errësirën e natës dhe në rrugë, nën një dritë të zbehtë rruge, i shfaqet djali i të moshuarit që ai mbante në shtëpi.

Ilo Lluka fut dorën në xhep dhe prej aty nxjerrë një pistoletë duke qëlluar mbi të 4 herë. Emiljani bie në tokë, ndërkohë autori largohet pak dhe një tjetër plumb e ruan për vete! Kjo është pamja e tmerrshme që erdhi mbrëmë nga Korça, marrë nga një kamera aty pranë, ndërsa motivi i ngjarjes është trashëgimia e një apartamenti.

Babai i ekzekutorit, Andrea, 85 vjeç, shtëpinë në të cilën kishte jetuar i vetëm, ia kishte lënë pikërisht trashëgimi Emiljanit, nëna e të cilit kujdesej për të moshuarin prej shumë kohësh. Por me sa duket Ilo, kur e ka dëgjuar për këtë fakt nuk ka qenë dakord dhe disa herë është konfliktuar edhe me të atin, por mbrëmjen e së mërkurës ai ka vendosur të vrasë djalin që do të trashëgonte shtëpinë e tij, duke e përgjakur qytetin e Korçës.

Ngjarja e rëndë me dy viktima në qytetin e Korçës, sipas policisë ka si shkak vendimin e të moshuarit Andrea Lluka për t‘i lënë apartamentin djalit të gruas që prej katër vitesh e mbante. Autori u kthye nga Greqia duke refuzuar heqjen dorë nga trashëgimia, e për pasojë shkaktoi edhe tragjedinë me dy të vdekur. Sipas policisë, 60-vjeçari Ilo Lluka qëlloi katër herë me pistoletë ndaj Emiljan Pines në lagjen 18 duke e plagosur rëndë e më pas 37-vjeçari ndërroi jetë në spital.

Pas krimit, autori kreu vetëvrasje. Burimet nga grupi hetimor shprehen se babai i 60-vjeçarit dëshironte që pronën dhe shumën financiare t’ia linte Pines, kjo pasi prej 4 vitesh nëna e tij i shërbente pasi ai ishte në pamundësi fizike. Madje, edhe fqinjët e konfirmojnë këtë fakt. Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi mori njoftimin për vendimin e marrë prej babait, u kthye në vendlindje ku dhe kreu krimin.

“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljani ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanit e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, – tha njëri prej tyre.

“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarrë dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën, pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, – ka deklaruar një banor tjetër afër vendit të ngjarjes.

Ndërkohë mësohet se që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanit prej 4 vjetësh. Nëna e Emiljanit kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanit kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën, ku ajo kujdesej për të.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte t’ia linte si trashëgimi djalit të kujdestares. 60-vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin apo jo!