Më i vogël se gishti, por ky peshk bën zhurmë më të fortë se trapani!

20
Sigal

Shkencëtarët kanë zbuluar se një nga peshqit më të vegjël në botë është i aftë të lëshojë tinguj që regjistrojnë më shumë se 140 decibel që është më i fortë se zhurma e një trapani. Danionella cerebrum është një peshk i tejdukshëm, vetëm 12 mm i gjatë dhe ka trurin më të vogël të çdo rruazori të njohur deri më tani.

Tingulli u dëgjua për herë të parë nga shkencëtarët që studionin speciet në Berlin, Gjermani, të cilët mund të dëgjonin zhurma ndërsa kalonin pranë rezervuarëve të peshqve. Studiuesit më pas vendosën kamera me shpejtësi të lartë në një rezervuar që përmbante peshkun në fjalë për të zbuluar çfarë po ndodhte.

“Peshqit janë aq të zhurmshëm saqë, edhe kur thjesht kaloje pranë akuariumeve të tyre, mund të dëgjoje tingujt”, tha autorja kryesore e studimit, Verity Cook. Tingulli prodhohet kur një nga brinjët e peshkut tërhiqet brenda fshikëzës së tij të notit, duke formuar një lloj tingulli me goditje.

Janë vetëm meshkujt që bëjnë zhurmën dhe arsyeja është e paqartë, por Cook mendon se mund t’i ndihmojë ata të komunikojnë dhe të gjejnë njëri-tjetrin në ujërat e turbullta. “Fakti që janë vetëm meshkujt që prodhojnë tingullin tregon se ka të bëjë me sjelljen agresive ndaj meshkujve të tjerë ose çiftëzimin me femrat”, tha ajo.