5 bashki pa kryetarë, 2 vjet nga zgjedhjet moniste të 30 qershorit

239
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në 30 qershor të 2019, në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore, ndërsa opozita e drejtuar nga PD dhe LSI, bojkotoi procesin, i cili më shumë se zgjedhje ishte një votim i ngjashëm me ato të para 30 viteve, kandidatëve të PPSH-së i viheshin edhe ato të Bashkimeve Profesionale, apo Frontit Demokratik. Sot dy vite nga ky proces farsë, në të paktën 5 bashki, nga 61 të tilla, mungojnë Kryetarët. Valdrin Pjetri, i cili do të ishte kryebashkiaku i parë socialist në Shkodër, dha dorëheqjen pa marrë ende detyrën, për shkak të problemeve me drejtësinë italiane që opozita zbuloi dhe denoncoi. I dyti që humbi mandatin, ishte Agim Kajmaku.

Një vit pasi kishte marrë drejtimin e Bashkisë Vorë, bastion i së djathtës, prokuroria verifikoi se, ai ishte nën hetim në shtetin grek për përdorim të kartmonedhave false. Mosdeklarimi i kësaj i kushtoi atij mandatin e të zgjedhurit vendor dhe aktualisht, nuk ka larë ende hesapet me drejtësinë shqiptare. Tri vakanca të tjera janë krijuar në njësitë e qeverisjes vendore. Dionis Imeraj i Bashkisë Dibër dha dorëheqjen, pasi zgjodhi ta përfaqësonte qytetin nën kostumin e deputetit, duke garuar në listën e Partisë Socialiste. Valbona Sako që zëvendësoi Vangjush Dakon në krye të Bashkisë Durrës, dha dorëheqjen pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, që shkundi nga themelet qytetin bregdetar. Ndërsa Bashkia e Rrogozhinës mbeti pa kryetar pasi Haxhi Memolla, humbi jetën pas një arresti kardiak.

Që të gjitha këto bashki drejtohen nga nënkryetarët, përveç Shkodrës ku, Voltana Ademi vijon të ushtrojë funksionin e kryetarit, përtej mandatit kushtetues 4-vjeçar. Rasti më i fundit është ai i kryetarit të Bashkisë Mallakastër, ku nga verifikimi i prokurorisë, rezulton të jetë i dënuar me tri vite heqje lirie në shtetin grek, dënim të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e tij të dekriminalizimit. Vendimi për të pritet të jepet nga KQZ ditën e premte dhe nëse ai humbet mandatin, atëherë shkon në 6, numri i njësive vendore që nuk kanë një kryetar legjitim. Gjykata Kushtetuese preferoi të mos i përgjigjej vetë pyetjes nëse, 30 qershori 2019, ku në gjysmën e bashkive pati vetëm një kandidat në fletën e votimit, ishte legjitim apo jo. Topin ia kaloi edhe një here, Komisionit të Venecias.