Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Heqja e herësit, mund të bëjë që kandidatët e penalizuar, të kërkojnë rivlerësim të votave

275
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjykata Kushtetuese mori dje, vendimin për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën. Pika e shfuqizuar thekson: “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët, që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit, me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi, që përftohet nga pjesëtimi, është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”.

Deri në zbardhjen e vendimit të plotë (kërkon 30-45 ditë) mbetet të shihet nëse është shfuqizuar tërësisht neni, koncepti i herësit, pragu 10 mijë vota apo koncepti i votës parapëlqyese. Vendimi, me siguri lidhet me zgjedhjet parlamentare 2025, pasi aktualisht procesi është mbyllur dhe KQZ ka shpërndarë 140 mandatet. Por nëse bie koncepti i herësit, bie formula kryesore e këtyre zgjedhjeve dhe me siguri, kandidatët e penalizuar, do të kërkojnë rivlerësim të votave/mandateve të tyre. Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e 2 partive, ”shfuqizon” herësin zgjedhor. A do të ketë impakt tek ndarja aktuale e 140 mandateve? Nëse vendimi do jetë me efekt mbi llogaritjen e mandateve aktuale parlamentare, natyrisht mund të ketë ndryshim të listës, por siç ndodh tradicionalisht, nëse vendimi i referohet zgjedhjeve pasuese më 2025, nuk pritet të ketë efekt tek përbërja e re e parlamentit.

Në çdo rast, zgjedhjet 2021, duket se ende nuk kanë “zgjedhur” në mënyrë kushtetuese dhe do të duhet të pritet një deklarim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, vendimi i zbardhur i saj, apo një konferencë shtypi e KQZ-së dhe subjekteve ankimuese, për të marrë përgjigjen e saktë mbi situatën e re (post)zgjedhore dhe mandatet e (ri)fituara parlamentare në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri. Po ashtu, merr vlerë dhe rëndësi vlerësimi i qartë antikushtetues i thelbit/risisë së reformës zgjedhore 2020, konceptit të herësit në votën parapëlqyese, – diçka për të cilën, merita dhe përgjegjësia, u përket partive përfaqësuese në Këshillin Politik.