30 qershori paralajmëron tragjedi

515
Sigal

Qytetarët përplasen me policinë, digjet në Shkodër qendra e votimit. Edhe Lezha, Gjirokastra, Berati, Tropoja, Vau i Dejës, Kukësi, Kamza, Delvina, Pogradeci, Ballshi, Burreli etj., në respektim të dekretit dhe kundër grusht-shtetit të qeverisë dhe KQZ

Bashkia Lezhë letër KQZ: Të lirohen ambientet e KZAZ deri në orën 16:00

Edhe Bashkia e Lezhës ka kërkuar që të lirohen të gjitha ambientet dhe të hiqen listat e shpallura të zgjedhësve. Ka qenë kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj ai, i cili ka drejtuar një letër KQZ-së.

“Në zbatim të Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e caktimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, i botuar në Fletoren Zyrtare kërkoj nga ana juaj lirimin vullnetar të ambienteve të shkollës “Besëlidhja” deri në orën 16:00 të ditës së martë, datë 18 qershor 2019. 

Gjithashtu ju ritheksoj në vëmendje detyrimin për ndërprerjen e të gjitha veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha ambientet e miratuara Qendër Votimi dhe që janë në pronësi, varësi apo administrim të bashkisë Lezhë”, thuhet në shkresën drejtuar KQZ.

Kërkesa i është dorëzuar edhe policisë së Lezhës përmes të cilës e informon se do vijojë me lirimin e ambienteve të gjimnazit “Hydajet Lezha” dhe shkollës “Gjergj Kastrioti”.

Edhe Bashkia Berat kërkon lirimin e ambienteve të KZAZ

Edhe Kryetari i Bashkisë Berat, Petrit Sinaj i ka dërguar një letër KZAZ-së në këtë qytet që të lirohen ambientet e zëna prej saj në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”,në të kundërt, bashkia do të ndërhyjë për të zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Gjithashtu bashkia Berat i ka kërkuar KZAZ-së edhe heqjen e afishimit të listave të zgjedhësve pranë këtij Komisioni Zonal për Administrimin e Zgjedhjeve.

Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku i Beratit, Petrit Sinaj ka pohuar se janë ditët e fundit të afishimit të listave të zgjedhësve në të gjitha QV-të në Berat, sepse listat do të hiqen.

Menjëherë pas dërgimit të shkresës zyrtare të bashkisë në KZAZ Nr.64 në Berat kjo KZAZ po ruhet tashmë me forca policie, të cilët nuk lejojnë të afrohet e të hyjë askush brenda ambienteve të kësaj KZAZ-je, përveç anëtarëve të saj.

Shkatërrohen materialet zgjedhore në Tropojë

Në KZAZ-në e Tropojës janë shkatërruar të gjitha materialet zgjedhore.

Dhe dhjetëra njerëz janë mbledhur herët në mëngjes pranë KZAZ-së, duke thyer xhamat si dhe shkatërruar derën.

Më pas janë futur brenda duke prishur të gjitha materialet zgjedhore, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.

Pak ditë më parë Bashkia e Bajram Currit i kërkoi KQZ-së me anë të një shkrese zbatimin e vendimit të Presidentit Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë zgjedhjeje për qeverisjen vendore si dhe lirimin e mjediseve të vëna në dispozicion nga ky institucion për procesin zgjedhor. Afati i lënë për spastrimin e këtyre mjediseve ishte ora 10:00 e paradites së sotme, çfarë ka çuar dhe në ndërhyrjen me forcë të përfaqësuesve dhe mbështetësve të bashkisë Bajram Curri.

Përplasjet mes bashkive që administrohen nga përfaqësues të opozitës vijojnë prej ditësh, sidomos në bashkinë e Shkodrës, më e madhja në qarkun e Veriut.