29 Nëntori 1944 të festohet me madhështinë që meriton

2661
Sigal

Letër e Hapur kryeminstrit Rama dhe kryeparlamentarit Ruçi nga Komiteti i Veteranëve të LANÇ, Organizata e familjarëve të dëshmorëve: Boll financuat kolaboracionistët dhe tradhtarët e LANÇ. 29 Nëntori është mgjarje madhështore e Historisë, që shpëtoi atdheun tonë nga copëtimi i trojeve shqiptare

Letër e hapur e Komitetit të Veteranëve të LANÇ, e Organizatës së familjeve të dëshmorëve të atdheut, e Shoqatës së invalidëve të LANÇ, e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e Lirim drejtuar Kryeministrit z. Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi

29 Nëntori 1944, kjo ngjarje madhore historike, të festohet në mënyrën më madhështore që meriton

Boll  financuat koloboracionistët dhe tradhtarët e LANÇ-it

 

 

29 Nëntori i 2019-s është 75 vjetori i çlirimit të Shqipërisë nga fashi-nazistët, por deri tani qeveria e Rilindjes, edhe pse është e Majtë, edhe pse elektorati i saj më i madh janë veteranët, familjet e Dëshmorëve, deri tani nuk ka shpallur asnjë program për ta festuar me madhështinë që i takon, pasi në saj të LANÇ-it Shqipëria u rendit në Koalicionin Antifashist të Fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore.

Kërkesa për kryeministrin dhe krye/parlamentarin

Komiteti i Veteranëve të LANÇ, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, Shoqata e Invalidëve të LANÇ, Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë e Lirim, përfaqësia e të Internuarve; kryesia e Sindikatave të Pensionistëve e të Papunëve; kryesitë e disa shoqatave të Vlorës i kanë dërguar një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe i kërkojnë që 29 Nëntori të festohet me madhështinë që i takon, pasi është 75-vjetori i çlirimit të Atdheut.

Letra e Hapur drejtuar Kryeministrit dhe Krye/parlamentarit

Në emër të anëtarësive përkatëse, Kryesitë: e Komitetit të veteranëve të LANÇ, e Organizatës së familjeve të dëshmorëve të atdheut, e Shoqatës së Invalidëve të LANÇ, e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e Lirim, nga përfaqësia e të internuarve në kampet nazifashiste të përqendrimit dhe të masakrimit, nga kryesia e sindikatës së pensionistëve dhe të papunëve dhe nga disa shoqata K/A të Vlorës ju drejtohemi Juve zotërinj me kërkesën që në kuadrin e 75-vjetorit jubilar të çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendës më 29 nëntor 1944, kjo ngjarje madhore historike, që shpëtoi atdheun tonë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare pas përfundimit të luftës, të festohet në mënyrën më madhështore që meriton. Kemi dëgjuar se kini ngritur një komision qeveritar për organizimin e festimeve të kësaj date, por deri tani nuk është ndier e parë asnjë shenjë në këtë drejtim, kur duhej të kishte nisur me kohë fushata mediatike pamore dhe e shkruar për t`i bërë jehonë kësaj ngjarjeje dhe Luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare që solli çlirimin e vendit. Prandaj, për ta bërë festimin e 75-vjetorit të çlirimit sa më të ndjeshme e të prekshme, kërkojmë nga qeveria të merren një varg masash.

Masat që kërkohen të ndërmerren nga Qeveria për 29 Nëntorin

  1. Të nisë pa vonesë jehona në mediet pamore dhe shtypin e përditshëm mbi luftën dhe sakrificat e panumërta njerëzore e materiale të popullit shqiptar për shporrjen e pushtuesve nga vatrat tona dhe mbi rëndësinë e që pati çlirimi i vendit;
  2. Të gjithë veteranët dhe invalidët e asaj lufte që u rreshtuan në formacionet partizane dhe janë gjallë, të cilët vunë interesat e atdheut mbi jetën e tyre, si dhe dëshmorët (pas vdekjes) që dhanë jetën në lule të rinisë për atdheun, të dekorohen me medaljen e 75-vjetorit të çlirimit;
  3. Pasardhësve të veteranit t`u jepet një distinktiv përkujtimor të këtij përvjetori jubilar;
  4. Të riaktivizohet shpërblimi për familjet e dëshmorëve dhe të internuarve në kampet nazifashiste;
  5. Në kuadrin e festave të nëntorit të merren masa nga organet e pushtetit qendror e vendor për riparimin, pastrimin e rregullimi e varrezave të dëshmorëve dhe të lapidarëve e simboleve të tjerë të LANÇ, duke caktuar me ligj edhe afatet kohore të përhershme për mirëmbajtjen e tyre;
  6. Të vendoset me ligj që individi, grupimi politik apo shoqëror, media e shkruar e pamore që denigrojnë e hedh baltë mbi LANÇ dhe pjesëmarrësit e saj veteranë, dëshmorë e heronj dhe drejtues të saj të kenë sanksione ligjore;
  7. Njëkohësisht ne kërkojmë që të gjithë tradhtarëve, kriminelëve e bashkëpunëtorëve të pushtuesve, të rehabilituar e të dekoruar apo të përjetësuar me emra rrugësh e shtatore t`u anulohet ky rehabilitim i pamerituar dhe t`u hiqen me vendim qeverie titujt dhe përjetësimi i emrave të tyre;
  8. Kërkojmë mbylljen dhe ndërprerjen e mbështetjes financiare shtetërore të institutit famëkeq për të ashtuquajturat krime të komunizmit që është një çerdhe përçarëse e hakmarrëse për të mbuluar poshtërsitë e tradhtitë e bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj, kriminelëve me damkë,duke i quajtur luftëtarët e drejtuesit e shquar të LANÇ dhe dëshmorët e heronjtë e saj kriminelë;
  9. Kemi mendimin që në festimet e 75-vjetorit të çlirimit në Tiranë të ftohen përfaqësuesit e ish-koalicionit antifashist Angli-Bashkimi Sovjetik (Rusia)-Shtetet e Bashkuara, si dhe të Francës, Italisë dhe të shteteve të Ballkanit.

KRYESIA E KOMITETIT TË VETERANËVE TË LANÇ;

KRYESIA E ORGANIZATËS SË FAMILJEVE TË DËSHMORËVE;

KRYESIA E SHOQATËS SË INVALIDËVE TË LANÇ;

PËRFAQËSIA E TË INTERNUARVE;

KRYESIA E SHOQATËS SË USHTARAKËVE NË REZERVË;

KRYESIA E SINDIKATAVE TË PENSIONISTËVE E TË PAPUNËVE;

KRYESITË E DISA SHOQATAVE K/A TË VLORËS

ju drejtohemi Juve zotërinj me kërkesën që në kuadrin e 75-vjetorit jubilar të çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendës, më 29 nëntor 1944, kjo ngjarje madhore historike, që shpëtoi atdheun tonë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare pas përfundimit të luftës, të festohet në mënyrën më madhështore që meriton