22 radhë/ Kompania fantazmë merr miliona euro nga KESH, Këlliçi: SPAK të nisë hetimet

36
Sigal

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, denoncoi të dielën, aferën e dy anijeve lundruese të prodhimit të energjisë “Tigri1” dhe “Tigri3” në Vlorë, të cilat rezultojnë me një listë kostosh të majme, por me 0 ditë pune. Demokrati tha se KESH i paguan 462 milionë lekë kompanisë offshore për anije që nuk punojnë, ndërsa ka prezantuar edhe dokumentet e mashtrimit në lidhje me tenderin dhe kompaninë, ‘Excelerate Renco’, e cila i solli në Shqipëri dhe qeveria e Ramës i dha paratë. Ai i bën thirrje SPAK dhe KLSH të nisin menjëherë hetimet për këtë, që sipas tij është një mega aferë. “Këto qindra miliona euro që i jepen çdo vit inceneratorit fantazmë, anijeve, që nuk ndizen kurrë, sterilizimit, check-up, e dhjetra PPP-ve të tjera korruptive, janë pikërisht paratë tuaja, të cilat duhet të mundësonin rritjen e pagave dhe pensioneve, kushte normale spitalore ku nuk duhet të mungonin ilaçet bazike dhe ato të kimio terapive, çerdhe e kopshte të sigurta për fëmijët tuaj, duke bërë të mundur që Shqipëria të mos braktisej çdo ditë nga qindra e mijëra bijë dhe bijat e saj”. I bëjmë thirrje publike z. Altin Dumani, Drejtues i SPAK dhe z. Arben Shehu, Kryetar i KLSH, të nisin menjëherë hetimet për këtë mega aferë financiare edhe të kërkojnë urgjentisht ndërprerjen e të gjitha pagesave që bëhen në dëm të buxhetit të shtetit” – shprehet Këlliçi ndër të tjera. “Kontrata me dy kompanitë në fjalë, është pa afat dorëzimi. Në asnjë faqe të saj, nuk ka një date, e cila i detyron dy kompanitë të nisin prodhimin e energjisë. Madje anijet mbërritën në portin e Vlorës, në muajin shtator 2022, plot 8 muaj pas nënshkrimit mes palëve edhe pse u deklarua se do merreshin për emergjencë. Pra thënë thjeshtë, një tender qindra miliona euro, i cili u zhvillua brenda 3 ditëve për arsye emergjencë, na solli këto dy anije në portin e Vlorës pas 8 muajsh. Kjo aferë, për dy vite, 2024 dhe 2025, do t’i kushtojë buxhetit të KESH plot 64 milionë dollarë, plus edhe 205 milionë për naftën dhe disa miliona dollarë për mirëmbajtje, riparime dhe kapacitete depozituese.” – tha ai.