Presidenti Meta: Do vazhdoj të kthej ligje antikushtetuese

284
Sigal

Deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

Përshëndetje,

Së pari do të nënvizoja rëndësinë e dekretimit me shpallje të:

  1. Ligjit nr. 68/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 18, datë 23.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat””, të ndryshuar”.

Ky akt mundësoi shtyrjen e afateve të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin të vitit 2020, duke mbështetur bizneset në drejtim të administrimit të likuiditeteve.

Këto masa vlerësohen si të nevojshme për mbështetjen kaq të domosdoshme në këto momente të subjekteve të prekura si pasojë e pandemisë së COVID-19, veçanërisht të bizneseve të vogla.

Por padyshim që nevojiten ende edhe shumë masa të tjera lehtësuese dhe mbështetëse për ta në këto momente mjaft kritike.

  1. Kam dekretuar me shpallje Ligjin 70/2020 “Për miratimin e huamarrjes prej Fondit Monetar Ndërkombëtar që i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.

Ky akt vjen si një masë mbështetëse nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes një instrumenti të financimit të shpejtë, në përballimin e pasojave që ka krijuar në ekonomi pandemia e COVID-19.

Por dua të tërheq vëmendjen mbi nivelin e lartë të borxhit publik si dhe ndërmarrjen vazhdimisht të iniciativave të reja ligjore që rrezikojnë rritjen e nivelit të këtij borxhi akoma.

Ripërsëris nevojën e një analize të nevojave më prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes dhe për mbajtjen nën kontroll të Borxhit Publik.

  1. Kam dekretuar me shpallje Ligjin nr. 71/2020 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10 465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ndryshimet që synojnë të forcojnë masat parandaluese e të kontrollit, për të garantuar:

  • mbrojtjen më të mire të shëndetit publik nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët;
  • sigurinë e produkteve ushqimore me origjinë shtazore;
  • parandalimin e përhapjes së sëmundjeve nëpërmjet disiplinimit të lëvizjeve të kafshëve në territorin e vendit;
  • monitorim të mbetjeve të produkteve me origjinë shtazore, për një siguri më të lartë ushqimore dhe mbrojtje më të madhe mjedisore.

Gjithmonë, këto qëllime duhet të përmbushen vetëm me zbatimin korrekt të parashikimeve ligjore.

 

  1. Kam dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit nr. 62/2020 Për tregjet e kapitalit”.

 Zhvillimi i një tregu të kapitaleve kërkon patjetër plotësimin e disa parakushteve, kur:

  • Borxhi Publik po njeh vetëm thellim; dhe
  • Ekonomia vijon të jetë ende në një shkallë shumë të lartë informale, ashtu si informaliteti në punësim.

Në këto kushte, parashikimet për funksionimin e bursave dhe të tregjeve të kapitalit, sipas parashikimeve të paqarta dhe të paharmonizuara ligjore, rrezikon të krijojë një sistem spekulativ dhe si rrjedhim, kjo ose do të sjellë rritjen e nivelit të pasigurisë së produkteve financiare që ofrohen, ose të vetë stabilitetit ekonomik-financiar të vendit.

Mungesa e bashkëpunimit dhe transparencës së Kuvendit në procesin ligjbërës, u evidentua edhe këtë javë, kur për 3 Dekrete të Presidentit të Republikës, u zhvillua për fat të keq një teatër në Komision ku vetëm Dekretet nuk u dëgjuan.

Por u përsëritën nga hartuesit të njëjtat argumenta sa të mira ishin ligjet, duke mos i dhënë mundësi publikut për t’u ballafaquar edhe me argumentat për kthimin e këtyre ligjeve.

Unë do të vazhdoj punën time me përgjegjësi të plotë për kthimin e ligjeve, sa herë që ato do të vijnë në kundërshtim me parimet e Kushtetutës, për mbrojtjen e interesit publik dhe për mbrojtjen e financave të shtetit, pasi ligjet me parashikime speciale me efekt favorizues për individë të caktuar janë mjaft të dëmshëm për interesin publik, por edhe për interesin e taksapaguesve shqiptarë.

Dua të theksoj thirrjen për Kuvendin që të tregojë vëmendje dhe integritet në procesin ligjbërës për të mos lënë hapësira në ligje që rrisin riskun e korrupsionit në të ardhmen në zbatimin e tyre.

Duhet t’u jepet fund parashikimeve dhe përkufizimeve të paqarta. Po kështu kompetencat e gjëra diskrecionale të autoriteteve publike për vendimmarje dhe nxjerrjen e akteve nënligjore krijojnë mjaft hapësira për abuzime. Gjithashtu sanksionet duhet të jenë të përshtatshme dhe të përcaktuara në mënyrë të qartë.

Kuvendi ka për detyrë të shohë me lupë pikërisht këto elementë, për të mos u bërë pjesë e për të mos u keqpërdorur nga  interesat e grupeve lobiste.

Procesi ligjbërës nuk duhet të keqpërdoret për të kryer favore klienteliste që mund të sjellin pasoja serioze për interesin publik dhe financat publike, por edhe për qytetarët e vendit tonë.

Dua gjithashtu t’ju bëj me dije se sot kam lëshuar Autorizimin për plotfuqinë për negocimin e draft Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Për Programet e Zhvillimit të Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri.

Ky Autorizim për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe  institucionet e tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, dhe kryesisht Grupi Negociator që përfaqëson Republikën e Shqipërisë në këto negociata, duhet të kenë shumë kujdes dhe të përmbushin detyrat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke mbajtur gjithnjë në konsideratë nevojën për mbrojtjen e interesit publik.