108 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Artan Fuga: Dështuam në modernizimin e shoqërisë, kemi mbetur një model i ish-perandorisë Osmane

83

Ditën e sotme akademiku Artan Fuga përmes një shënimi në rrjetet sociale ka përshkuar realitetin shqiptar, sipas optikës së tij, 108 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Fuga thekson se pas më shumë se një shekulli dhe ku kemi hyrë në 200 vjetëshin e shtetformimit tonë ne kemi dështuar në modernizimin e shoqërisë dhe kemi mbetur një model i ish-perandorisë së vjetër Osmane.

Fuga shprehet se si asnjëherë më parë ne jemi mënjanuar dhe izoluar si asnjëherë më parë në shekujt e Lashtësisë apo Mesjetës, nga popujt dhe kultura europiane!

POSTIMI:

Qashqai

(Qaj, qaj me ofshama)

Janë tre karakteristika kryesore që dallohen në realitetin tonë aktual pra 108 vjet pas shpalljes së pavarësisë:

1-Një urbanizëm dhe ekonomi e vogël lindore, e tipit të Lindjes së Mesme (dyqane gjysëm të rrënuara mbushur me mall turk apo kinez, tregti në shesh nëpër rrugica, njësi tregtie nëpër lagje tip dyqani, trotuara të shkatërruara, pluhur, ndërtesa banimi si kuvli, të rrjepura, etj., bashkuar me ngastra të vogla toke, dhe me një urbanizim fshatar të shekullit të 19).

Kulla pa shijë me dritare ku të merret fryma dhe që e zvoglojnë qytetarin poshtë në përmasat e një mize.

Mjerë ata që do jetojnë aty lart në ato miniera të kthyera mbrapsht. Ne kemi dështuar në modernizimin e shoqërisë duke mbetur një vend me model të ish perandorisë së vjetër osmane.

2-Një vend aty këtu me mallra luksi perëndimore të rezervuara për një pjesë shumë të vogël të popullsisë, qê ka mbledhur në duart e saj të gjitha pasuritë e vendit, vila lluksoze jashtë qytetit, qendra tregtare me veshje a orendi me çmime që kushtojnë sa dy tre apo dhjetë herë paga mesatare e një shqiptari gjyhnaqar, autovetura lluksoze, të blera, trafikuara, ose vjedhura që nga audi deri te qashqai, (qaj qaj me ofshama!), lluks i një burokracie etatiste që flet si në demokraci dhe punon e drejton si në komunizëm stalinist, duke gromësitur e ngopur nga gjithçka, dhe përzjerë e gjith kjo me një shije të keqe pa kujtesë dhe pa traditë shqiptare, e harruar edhe në pjatat e restoranteve ku tregtohen rizotto dhe pasta!

E gjitha kjo shoqëruar me një izolim total nga Perëndimi ku investimet e huaja, kultura e huaj shihen vetëm me dylbi.

3-Varfëri lindore e tipit mesdhetar dhe të Lindjes të mesme, me rroga mini, me buxhet familjar vetëm për ushqime që rrisin kolesterolin, diabetin, kancerogjene, dhe për karburant për veturën shkatarraqe të babit, me rroba veshur që nuk dallohen a janë për burra dhe për gra, të parruar, me rroba Gabi a veshur me tuta, me aktivitete kulturore një lojë yçi te bordurat e lagjes,

dhe pirje pirje pirje pa fund kafesh te lokalet me karrike kallçuku të stërlodhura, varreza të mëdha që përpijnë malin si fusha të mbjella me lule artificiale, ku do të prehen të gjithë një ditë, me arsim që askush nuk e di nëse vlen apo nuk vlen, dhe shqiptarë që ikin dhe ikin me vrap nga vendi i tyre për të mos jetuar nën thundrrën e shumicës të varfër e leckosur aty ku nuk mban më, dhe minorancave sheike që jetojnë në shurdhmemecërinë e tyre zhytur thjesht në mendimin analog.

Kështu kemi hyrë në 200 vjetshin e dytë të shtetformimit tonë, mënjanuar, izoluar si asnjëherë më parë në shekujt e Lashtësisë apo Mesjetës, nga popujt dhe kultura europiane!

Ndofta kështu është historia: 100 vjet krijim, 100 vjet reflektim, mbase 100 vjet qytetërim!

Mbetemi optimistë!