Zija Vuka: Ora e ndërgjegjes – ose “Shefja që nuk sheh”

239
Sigal

Nga Zija Vuka

Zija Vuka kryetar i lidhjes Shkrimtareve Shkoder..dhe pjese e strukturave te rendesishme te PS

ORA E NDËRGJEGJES- ose “Shefja që nuk sheh” (Refleksion)

Një shkrimtar i njohur dhe intelektual i shquar thoshte para ca vitesh: “Të tjerët, pa më pyetur mua, përcaktojnë përkatësinë time politike. Ata, me mendjen e tyre djallëzore dhe me vullnetin e tyre hileqar, më vendosin në një parti, më ngjyrosin me ngjyrën që pëlqejnë ata dhe, për hatrin dhe hesapet e tyre të ulëta, unë gdhihem anëtar i një partie të caktuar.” M’u kujtua kjo gjë, pasi diçka e tillë ndodhi këto kohët e fundit me mua. Dhe ndodhi në qytetin tim, në këtë qytet të lavdishëm, që e ka marrë famëm shekullore nga një numër i vogël njerëzish, që kanë rrezatuar me shkëlqim në shumë fusha, kanë themeluar dhe krijuar shumë vlera. Natyrisht, kjo plejadë është diçka elitare, nuk është turma. Turma është e rrezikshme, është një gjë tmerrësisht e frikshme, është kaba. Turma mendon në mënyrë kolektive. Ajo mund të manipulohet, ndërsehet, turret, linçon, godet nën moton “poshtë”/ rroftë”. Ajo kafshon pa mëshirë, rrafshon dhe asgjëson edhe vlerat e krijuara ndër shekuj dhe frenon çdo zhvillim, duke e pagëzuar Shkodrën me emra të llahtarshëm si bastion, djep etj., etj., duke ofenduar një entitet nga më të mëdhenjtë e kombit dhe kulturës sonë kombëtare. Dhe mjerisht, ata që bëjnë politikën sot në Shkodër e më gjerë, janë kampioni më i pastër i turmës, madje janë turma vetë. Sa herë vijnë zgjedhjet befasohemi me individë anonimë që vihen në krye të punës për të konkuruar për poste drejtuese, për të aspiruar të zgjidhin problemet madhore të njerëzve, për të marrë në dorë fatet e popullit. Dhe kush janë këta njerëz?

Cili mekanizëm i përzgjedh? Kush i ngjiz? Nga mbijnë? Kush i zgjedh? Pse i zgjedh? Çfarë përvojash kanë?

Çfarë dinë të bëjnë? Cila është diferenca e tyre me kopenë? Me çfarëdo kopeje, madje edhe atë të deleve?

Kush ua jep kartabiankat për t’u tallur me zgjedhësit e pafajshëm?

Cilit konkurim i janë nënshtruar, megjithë inflacionin që fjala konkurs ka pësuar, aq sa është kthyer në një mjet për të legalizuar paligjshmërinë dhe injorancën, për t’u bërë rrugëdalje nepotizmi. Etj.

(Fjala është këtu për këta kozmonautët, të cilët, të ardhur nga asgjëja, shugurohen deputetë dhe hidhen në ekzistencë nga Tirana, me vullnetin e shefit të perëndive, Zeusit olimpik, për të drejtuar dhe dhënë dum provincës. Këtu pastaj marrin frenat e lojës, e shohin realitetin, nga lart, e privatizojnë atë, flasin ex cathedra dhe plotësojnë së pari të gjitha ekzigjencat personale e fisnore; punësojnë kushërinjtë dhe kushërinjtë e kushërinjve, shokët dhe shokët e shokëve dhe kaq.) Nuk është mëkat që një njeri, i cili i kushtohet kulturës, të kontribuojë, të japë mendime apo edhe të përfshihet në zhvillimet politike. S’është nevoja të përmendim personalitete të letërsisë dhe arteve të tjera në rrafsh botëror për ta vërtetuar këtë. Për shembull, s’ka nevojë të thuhet që Çërçilli ishte fitues i çmimit NOBEL në letërsi. Në këtë sens nuk e quaj të turpshme simpatinë time ndaj një force të caktuar politike dhe as përkatësinë në të. Sepse jam ai që respektoj çdo bindje dhe çdo forcë politike, çdo fé a kulturë. I dua dhe më duan të gjithë. Komunikoj me qytetarí me secilin dhe kështu do të jetë gjithmonë. Natyrisht, përkatësia ime politike nuk ka lidhje me militantizmin, por përpiqem të jem vëzhgues i ftohtë dhe kontribues konstruktiv, po qe se më kërkohet ndonjë kontribut, ndonjë mendim a ide. Por kjo nuk ka ndodhur prej më shumë se një dekade e gjysmë dhe, prapë mirë. Sepse edhe larg vëmendjes së VIP-ave të partisë, unë jam vetëqasur herë pas here, e kam vizituar veprimtarinë e saj, u kam bërë të ditur se megjithë moshën dhe angazhimet e mia kulturore, po t’ju duhem gjë, unë jam këtu. Për fat, nuk iu desha gjë askujt dhe nuk më trazoi kush, madje e pashë veten jashtë inventarit dhe nuk u çudita fare. Koha ecën dhe vijnë njerëz të rinj.

Deri këtu gjithçka në rregull dhe nuk do t’i shkruaja këta rreshta të mërzitshëm, nëse VIP- at e Partisë Socialiste Shkodër, që e kanë kthyer këtë formacion në një soj shoqate gati okulte, të mos më kishin futur mua në një parti tjetër. Pasi kishin lakuar emrin tim në ambientet e shoqatës, kishin folur edhe për fakte. Dikush kishte fotografuar çastin kur unë i paskam dhënë dorën një qytetari shkodran (personalitet politik), që nuk ishte “i joni”, dikush tjetër e kishte përforcuar këtë gjë me faktin se më kishte parë në Pallatin e Brigadave teksa Presidenti i Republikës dekoroi një artist shkodran, i cili më ftoi të isha i pranishëm në ceremoni, për arsye se e kisha mik dhe për shkak se kryesoj Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shkodrës.

Kjo thashethemnajë u zvarrit nëpër mjediset e nënës parti dhe në fillim “Shefja” me mandat deputeti e qarkulloi për përdorim të brendshëm këtë thagmë, a thua se kishte zbuluar një thesar, të cilin mund ta kthente në pushtet (siç e ktheu), pastaj ngarkoi veqilat e saj (të shkretët), t’ua përplasnin në fytyrë fëmijëve të mi, të cilët i kam të dy pa punë, tradhtinë apo shizmën e babait.

I telefonova “Shefes” që nuk shef, por “Shefja” që nuk shef nuk ma hapi telefonin. U telefonova edhe të tjerëve, madje mikes sime të vjetër, për të cilën kontribuova sa munda, kandidates për kryetare bashkie, por për çudi, edhe pas shumë telefonatash nuk denjoi të ma hapte telefonin as ajo. Po kështu edhe pesë a gjashtë VIP-ve të tjerë, por hiç, asgjë. Të gjithë të kapluar nga sindroma e “Shefes që nuk sheh. Pas kësaj fyerjeje, m’u mbush mendja se vërtet unë duhet të jem renegat dhe gati nisa ta besoja se unë kisha tradhtuar dhe tashmë isha bërë anëtar i një partie tjetër. Natyrisht që shumëkush që i lexon këta rreshta më quan meskin dhe egoist, pasi është mësuar të lexojë shkrime të tjera nga unë, por jo.

Si qytetar më duhet të bëj një detyrë, që fillon me thirrjen “Kujdes!!!” Të paralajmëroj të gjithë njerëzit për rrezikun që u kanoset nga ky model, nga kjo lloj monstre, nga këta intrigantë dhe nga këto praktika të shëmtuara survejimesh, reminishenca burgologjie, me rezultate kallpe dhe shterpa. Nga hakmarrjet meskine deri në heqje nga puna dhe moslejim punësimi i të rinjve të shkolluar që nuk futen në preferencat e “Shefes” që nuk shef, nga monopolizimi i të gjitha vendeve të punës në mënyrën më posesive deri në obsesion, nga injoranca, servilizmi ndaj “Zeusve” pa krena. Nga majmunepsja deri në neveri dhe nga papërgjegjshmëria deri në krim. Imagjinoni sikur gjithë kjo energji për të bërë këtë luftë imorale dhe të pacipë brenda llojit, të përdorej për të fituar zgjedhjet. Pse nuk u tërhoqën rreth 7000 votues socialistë në votime? Pse ia kthyen shpinën gjithë këta zgjedhës subjektit të tyre? Pse të mos bëhet një vetëqortim dhe një refleksion i thellë deri në catharsis për inferioritetin eclatant (buçitës) të së majtës në Shkodër? Pse të mos skuqen deri te veshët këta VIP-at e shoqatës PS të Shkodrës, kur subjekti i tyre mposhtet edhe nga grimcat e ish- PD-së? Pra, pse i jep kuptim ekzistencës tënde politike, kur edhe po të pjesëtohet me 4, prapëseprapë 1/4- ta e ish- PD-së të asgjëson? Ose cili është ndryshimi midis faktit që ti ekziston dhe faktit hipotetik, sikur të mos ekzistoje fare (politikisht). Pra cila është dobia për shoqërinë që ti përfaqëson? Së fundi, pse u ikni intelektualëve si djalli temjanit?