Zamira Çavo: Afganistani dhe afganët

290
Sigal

 

E meqë nuk kam shprehur ndonjë mendim për afganët dhe vendin e tyre po shkruaj disa rradhë modeste:

 

Pyetja e parë, që kërkon domosdoshmërisht një përgjigje, është e thjeshtë: Si ka mundësi që një ushtri prej 350 mijë ushtarësh e stërvitur e armatosur dhe e organizuar nga amerikanët u dorëzua para talebanëve pa zbrazur një armë?

Dhe të mos harrojmë se në vitin 2003 Afganistani kishte 30 mijë ushtarë të cilët i organizoi sërish SHBA me ndërhyrjen në këtë vend. Pra nga 30 mijë në 350 mijë…

Sigurisht që përgjigja vjen e llogjikshme: Një qeverisje tërësisht e korruptuar nuk ishte e aftë të ndërtonte asnjë strategji për të ardhmen.

Rrjetet sociale në Afganistan prej vitesh japin video e fakte të korrupsionit të lartë të qeverisë afgane nën “hundën” e SHBA dhe Europës. Ndërsa kasta e lartë politike në këtë vend jetonte mes arit, paga e një afgani nuk shkonte më shumë se 1 dollar në ditë! Pra pakënaqësia ishte shndërruar në zemërim.

Nga ana tjetër të mos harrojmë se Afganistani ( nën “kujdesin e SHB dhe aleatëve perëndimorë) është organizuar në bazë klanesh ku secili klan ka territorin dhe “qeverisjen” e vet. Është e natyrshme të mendohet se talebanët kanë patur lidhje me krerët e disa prej këtyre klaneve sipas parimit të njohur historikisht: ”Unë të fal jetën ti do më bashkohesh kur ta kërkoj unë”.

Po Administrata amerikane nuk i dinte këto? As që vihet në dyshim. Që kur administrata e Bushit shpalli vijën e lehtësimit me talebanët dhe në 2013 talebanët hapën zyrën e tyre në Duha( Baza më e madhe amerikane me sa di unë) filloi edhe gjallërimi i talebanëve dhe sinjali për tërheqjen e forcave të NATOS. Më tej, Obama shpalli para kohe tërheqjen e amerikanëve nga Afganistani duke i dhënë talebanëve një sinjal bashkëpunimi me qeverinë. Më 2020 administrata e Trampit i kërkoi qeverisë së Kabulit duke u nisur nga bisedimet e fshehta me talebanët, lirimin nga burgjet të 6 mijë terroristëve.

Dhe pastaj ne kërkojmë besim te ushtria afgane…!

Në 20 vite as u vendos demokracia (preteksti i sulmit të aleatëve në AFganistan), e as vendi nuk u zhvillua. Grupimet terroriste që për 20 vite e kanë patur të vështirë të gjejnë ‘pasuri” tashmë mund t’i gjejnë ato falë qeverisjes talebane, e cila nga ana e saj po mundohet t’i tregojë botës që nuk është si në vitet 90.

Nuk di cilën nga frazat popullore të citoj. Atë : I Zoti e nxjerr gomarin nga balta” apo atë tjetrën “Çdo popull e meriton qeverinë që ka”…

Sidoqoftë disfata e Bidenit do harrohet shpejt, por vuajtjet e afganëve dhe frika e terrorizmit në botë do vijnë duke u shtuar!