Arrestohet infermieri në Korçë, dyshohet se vodhi rreth 10 milionë lekë medikamente në spital

237
Sigal

Policia e Korçës ka finalizuar operacionin “Farmacia”, duke arrestuar një infermier.

Policia njofton se ka dokumentuar dy vjedhje të ndodhura në Spitalit Rajonal Korçë, duke sekuestruar një sasi medikamentesh të ndryshme, me vlerë të konsiderueshme.

Është arrestuar infermieri Nikolin Ciko, 43 vjeç, banues në Korçë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000 lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë).

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se, ky shtetas kishte vjedhur në farmacinë e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda