Xhuljeta ÇELAJ/ Një eksperiencë trajnimi ndryshe, pranë Gjykatës Franceze të Llogarive

584
Në kuadër të bashkëpunimeve tashmë intensive dhe të konsoliduara me Institucione Supreme Auditimi që KLSH ka zhvilluar gjatë tre viteve të fundit, një pozicion të veçantë zë edhe pjesëmarrja e audituesve të KLSH-së në trajnimin një javor të organizuar nga Gjykata Franceze e Llogarive. Ky trajnim organizohet çdo vit nga Gjykata për punonjësit e saj të rinj, por në të pranohet dhe inkurajohet pjesëmarrja e audituesve të SAI-ve të tjerë, kryesisht nga vendet frankofone dhe jo vetëm. Trajnimi një javor pranë Gjykatës Franceze të Llogarive, u strukturua sipas disa temave kyçe të vetë aktivitetit të këtij institucioni. Veçantia e këtij institucioni, pra të qenit Gjykatë Llogarie me kompetenca në juridiksionet financiare, u reflektua gjerësisht nga lektorët pjesëmarrës. Përveç organizimit të brendshëm të Gjykatës, një nga temat më interesante të këtij trajnimi ishte kompetenca e certifikimit të llogarive të përgjithshme të shtetit. Parimet e kësaj kompetence janë të përcaktuara në Kushtetutën Franceze, ku parashikohet se llogaritë e administratës publike duhet të jenë të ndershme dhe të sakta, si dhe ato duhet të japin një imazh të besueshëm të rezultatit të menaxhimit të tyre, pasurisë dhe situatës financiare. Në përmbushje të këtij misioni në ligjin organik të gjykatës parashikohet që çdo vit, ajo të përgatisë një raport, mbi aktivitetet e verifikimit të kryera me synim certifikimin e rregullshmërisë, saktësisë dhe vërtetësisë së llogarive të organeve kombëtare të përgjithshme dhe të secilës fushe veprimi. Konkretisht, Gjykata e Llogarive jep opinionin e saj në lidhje me vërtetësinë e llogarive publike në 5 fushat e përgjithshme të llogarive publike që janë: shëndetësia, aksidentet në punë – sëmundjet profesionale, familja, pensionet dhe aktivitet e rimëkëmbjes ekonomike. Në zbatimin konkret të kompetencës së certifikimit ajo i referohet normave të miratuara profesionale, si dhe standardeve ISA dhe ISQC1, që janë respektivisht Standardet Ndërkombëtare mbi Auditimin dhe Standardet Ndërkombëtare mbi Kontrollin e Cilësisë, të miratuara nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve. Pavarësisht kësaj kompetence tashmë të konsoliduar në këtë fushë, gjatë trajtimeve të kësaj tematike u parashtrua nga lektorët edhe një kontradiktë e brendshme në procedurat e certifikimit të llogarive, nga ku rezultoi se certifikimi i llogarive të përgjithshme të shtetit kryet përpara se të dalë një vendim juridiksional i Gjykatës mbi to. Gjykata e Llogarive në punën e saj vjetore i kushtonte një rëndësi kyçe edhe financave publike lokale, të cilat në Francë përbëjnë 20% të buxhetit total vjetor. Në vizionin e Gjykatës së Llogarive, financat publike lokale janë një komponent tejet i rëndësishëm i buxhetit total të shtetit. Për këtë arsye është tashmë i konsoliduar mendimi se kontrolli i financave publike duhet të vlerësohet në nivel global, pra ai duhet të shikohet në kontekstin aktual të konsolidimit fiskal dhe në kuadër të përputhshmërisë me angazhimet evropiane të Francës. Prandaj është i rëndësishëm analizimi i financave lokale, në funksion të përfshirjes së autoriteteve lokale, me qëllim balancimin e llogarive publike. Fillimisht në ligjin organik të Gjykatës së Llogarive nuk parashikohet kontrolli i financave publike ose përgatitja dhe publikimi i një raporti në lidhje me qëndrueshmërinë e financave publike lokale. Ky boshllëk u plotësua falë disa ndryshimeve ligjore, të cilat sanksionuan se Gjykata e Llogarive përgatit një raport vjetor mbi situatën financiare dhe menaxhimin e autoriteteve lokale dhe institucioneve të tyre publike. Ky raport i dërgohet Qeverisë dhe Parlamentit. Hartimi dhe dërgimi i një raporti të tillë në Parlament evidenton në mënyrë të shkëputur problematikat specifike të decentralizimit financiar dhe fiskal, duke i sjell ato në vëmendjen e publikut të përgjithshëm dhe jo vetëm Parlamentit. Falë këtij ndryshimi ligjor, Gjykata e Llogarive tashmë kontrollon financat publike lokale në një kuadër global dhe ajo publikon një raport tematik mbi administrimin e financave publike lokale. Një tjetër risi në punën e Gjykatës së Llogarive është edhe misioni i vlerësimit të politikave publike. Në këtë kontekst Gjykata asiston Parlamentin dhe Qeverinë, duke kryer vlerësime të politikave publike brenda kuadrit të misioneve të saj. Për të realizuar këtë mision të ri të saj, Gjykata e Llogarive nga fundi i vitit 2014 është pajisur me norma të reja profesionale, të cilat paraqesin parimet që udhëheqin aktivitetin e saj në këtë fushë, si dhe praktikat më të mira lidhur me to. Sipas këtyre normave, vlerësimi i politikave publike kryet me qëllim verifikimin e rezultateve dhe impakteve, si dhe lidhjeve shkak – pasojë që shpjegojnë ato. Vlerësimi ka të bëjë me koherencën, efiçiencën, efektivitetin, rëndësinë dhe dobinë e politikave publike. Ai gjithashtu kryhet në mënyrë të pavarur, objektive dhe të dokumentuar. Standardet e ndjekura për kryerjen e vlerësimit të politikave publike përfshijnë: fazën e kryerjes së vlerësimit; fazën e vendim-marrjes kolektive; raportin e vlerësimit dhe zbatimin e tij. Për vetë faktin që ky institucion vepron në një nga vendet themelues të Bashkimit Evropian me një kulturë përgjegjshmërie të konsoliduar ndaj angazhimeve evropiane, Gjykata ishte tejet e impenjuar ndaj kontrollit të fondeve evropiane dhe strukturale, i cili parashikohet në kodin e juridiksioneve financiare. Franca përfiton nga BE fonde strukturale dhe fonde investimi, të cilat për periudhën 2014 – 2020 arrijnë në vlerën 28 miliardë euro. Këto fonde janë të strukturuara në disa nën komponentë, si fondet sociale evropiane; fondet evropiane për zhvillimin rajonal; fondet evropiane bujqësore për zhvillimin rural dhe fondet evropiane për aktivitetet detare dhe peshkimin. Në këtë kuadër puna e saj është një vlerë e shtuar për Komisionin dhe Gjykatën Evropiane të Audituesve pasi në këtë mënyrë ajo kontribuon gjithashtu edhe në qëndrueshmërinë e financave publike evropiane. Gjatë kësaj eksperience një javore u trajtuan edhe tematika të tjera të lidhura me punën e përditshme të gjykatës si për shembull struktura organizative, mënyrat e rekrutimit të stafit, politikat pasurore të gjykatës, marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe përgatitja dhe hapja e kontrollit të menaxhimit. Pjesëmarrja e KLSH në trajnimin e Gjykatës Franceze të Llogarive për herë të dytë është një eksperiencë e vyer që përsëritet dhe konfirmon bashkëpunimin e konsoliduar me një institucion bashkëkohor në Evropë, siç është Gjykata. Për më tepër, pjesëmarrja në trajnime të tilla pranë SAI-ve më moderne është pjesë tejet e rëndësishme e zbatimit të Planit Strategjik Institucional të KLSH, i cili në objektivin e tij të dytë përcakton saktësisht mënyrat, metodat dhe teknikat e nevojshme për të rritur dhe ruajtur kapacitetet audituese në një nivel të lartë nëpërmjet trajnimeve jashtë vendit. Gjithashtu, në kuadër edhe të tematikave të trajtuara gjatë këtij trajnimi, si dhe sfidave të reja që lindin nga ndryshimi i ligjit organik të KLSH, trajnime të tilla ku ilustrohen eksperiencat, problematikat dhe praktikat konkrete të institucioneve homologe janë padyshim një vlerë e shtuar për një institucion, i cili synon të integrohet në të ardhmen në bashkësinë e vendeve më të përparuara evropiane.
Sigal