Xhafer Xhoxhaj*/ KLSH dhe zhvillimi i shoqërive publike

1303
Sigal
Kontributi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në mirëmenaxhimin e shoqërive publike është jetësor. Auditimet e tij përmirësojnë drejtimin e këtyre shoqërive, disa prej të cilave përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë publike të vendit. Përafrimi profesional dhe eksperienca e audituesve të KLSH janë një vlerë e shtuar e çmuar për këto kompani shtetërore. Natyrisht, Shteti, si dhe çdo pronar privat, kur zotëron paketën e aksioneve, ka të drejta të plota për të vendosur për treguesit ekonomikë dhe financiarë të shoqërisë publike, lidhur me: të ardhurat vjetore, shpenzimet gjithsej dhe nga këto, për pagat, investimet, numrin e fuqisë punëtore, pagën mesatare vjetore etj. 
Institucioni ka vërejtur ne auditimet e tij shkelje në afatet e parashikuara ligjore për hartimin e programeve ekonomiko-financiare të zhvillimit të kompanive publike. Në përgjithësi, audituesit e KLSH kanë konstatuar se nuk ka një harmonizim dhe bashkërendim të punës për hartimin e treguesve të këtij programi midis drejtorive brenda shoqërisë. Institucioni, gjatë tre viteve të fundit 2012-2015, ka kërkuar me këmbëngulje dhe forcë marrjen e masave disiplinore për nivelin e lartë drejtues, përfshirë dhe këshillat mbikëqyrëse dhe drejtuese të shoqërive publike, për performancë të dobët në menaxhimin e aseteve publike. KLSH vëren se ndryshimet e fundit ligjore në procedurat e prokurimit publik, me ndëshkimin me gjoba të larta të aktorëve pjesëmarrës në këto procedura, po vështirësojnë ndërhyrjet nga lart, duke siguruar prokurime me oferta ekonomikisht më të favorshme. Megjithatë, mungesa e kapaciteteve përkatëse prokuruese në shoqëritë publike bën që mangësitë të shfaqen në procedura dhe në zbatimin me mangësi të prokurimeve, kryesisht në fushën e ndërtimeve dhe mosrealizimin në afat të kontratave. Gjatë auditimeve të tij të fundit, KLSH vëren se ka marrë përmasa të gjera dukuria e ndëshkimit nga gjykata të shoqërive publike me gjoba, si rezultat i largimit të punonjësve pa shkaqe të përligjura, në kundërshtim me Kodin e Punës. Kjo ka sjellë rritje të panevojshme të shpenzimeve. Veprime të tilla nga ana e drejtuesve të shoqërive publike, kanë bërë që të shtohen elementët ndëshkues ndaj tyre në raportet finale të auditimit të KLSH.
Institucioni konstaton po ashtu dobësi të theksuara në bordet e shoqërive dhe ndërmarrjeve publike, në këshillat mbikëqyrëse dhe ato drejtuese. Bordet trajtohen si organe pa shumë përgjegjësi, pa iniciativë, shtojca të administratës së shoqërive, me status të kufizuar dhe që mund të ndryshohen sa herë që ndryshojnë drejtuesit politikë të dikastereve. Organizimi dhe funksionimi ligjor i organeve drejtuese janë çështje të auditimit të shoqërive publike. KLSH ne vitet e fundit i ka dhënë një vlerësim të veçantë çështjeve që lidhen me ngritjen dhe funksionimin e auditit të brendshëm në shoqëritë publike. Kjo për vetë faktin se ekzistenca e specialistëve të aftë, të ndershëm dhe profesionalë në administrimin financiar të shoqërisë dhe njësia e auditit të brendshëm në funksion të plotë në përputhje me ligjin, zvogëlojnë ndjeshëm nivelin e riskut të abuzimeve. Shtrirja e gjere e funksioneve/që mbulon auditimi i brendshëm ndihmon shoqërinë publike në përmbushjen e vizionit të saj, duke kontribuar kështu në vlerësimin. disiplinimin dhe përmirësimin e efektivitetit të menaxhimit të risqeve, të sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe proceseve të menaxhimit dhe administrimit.
Në tërësi, veprimtaria audituese, e ngritur ne cilësi, e KLSH në shoqëritë publike ka rritur përgjegjshmërinë e audituesve për të qenë objektivë, profesionalë, të saktë dhe të paanshëm, në zbatim të Deklaratës së Limës dhe standardeve të tjera të INTOSAI-t, si dhe të ligjit integral të KLSH, të miratuar kohët e fundit nga Kuvendi.
KLSH po punon në vijimësi dhe me përkushtim që shoqëritë publike të ndjekin parimet për një qeverisje të mirë, njohjen, respektimin dhe zbatimin i ligjeve, si dhe një kulturë të lartë menaxhimi, me elementët kryesorë të saj: përgjegjësinë, ndershmërinë dhe transparencën, për të rritur sigurinë, integritetin dhe eficiencën e tregut, duke ndihmuar kështu në rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit. 
*Drejtor Departamenti në KLSH