Këtë titull i ka vënë Anastas Kondo tregimit të tij për mjeshtrin e avarive në naftë, kuçovarin Sheme Mara.
Shemja “lindi” e u rrit në naftë, e njihte atë dhe teknologjinë e shpimit e nxjerrjes së saj ashtu si bashkëfshatarët e tij njihnin tokën dhe teknologjinë e mbjellje-korrjeve në të.
Ai u bë “tmerri” i avarive, aq sa këtyre të fundit iu mërzit ekzistenca nga frika se vinte Shemja e “i zinte për fyti”. Shemja u nderua me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe përvoja e tij u bë shembull për të gjithë, në mënyrë që njeriu puntor e i ndershëm, profesionisti pararojë dhe i sakrificës, njeriu modest e pa pretendime të shndërrohej në frymë, të shndërrohej në tipollogji ku të tjerët të shihnin objektivin që duhet të arrinin.
Dhe duke u afruar puntorët e tjerë naftëtarë tek tipi “sheme”, puna do të kryhej me cilësi e kësisoj do të shmangeshin premisat për avari. Këtë kishte parasysh Anastas Kondo kur titullonte tregimin për Shemen me dëshiroren “Mos ardhsh kurrë, o Sheme Mara”.
Sidoqoftë, rastin e Sheme Marës e ka “pikturuar” shumë bukur Anastas Kondo dhe qëllimi i rreshtave të mi është të sjellë për kohën e sotme dhe njerëzit e saj se cili ka qënë Sheme Mara në sytë e një bashkqytetari dhe jo me ngjyrat e të madhit Anastas Kondo.
Shemja ishte sinonim i njeriut puntor, ishte simbol i punës dhe sakrificës për të. Ishte gjithashtu model thjeshtësie dhe ndershmërie. Thuhej atëhere një cilësi e madhe që duhet ta kishin komunistët e Enver Hoxhës : ”I pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime”. Nuk di nëse Shemja ishte apo jo komunist me letra, por që cilësinë e mësipërme e mishëronte në maksimumin e mundshëm, kjo nuk diskutohet.
Kishte vajtur një ditë tek im at në berberanë, aty rreth viteve 80. Pas qethjes i kishte thënë tim eti që unë t’i shkoja në shtëpi për t’i rregulluar televizorin.
– Gjeje kohën dhe shkoi Shemes…është burrë i lartë – më tha zemërmiri baba pasi më tregoi bisedën me Shemen.
– Patjetër, me të ardhur nga puna…heroin do lë pa televizor unë ? – i thashë tim eti me buzë në gaz.
– Jo, jo, jo për hero, Shemja është njeri i mirë…si i tillë meriton nderim e respekt…do bindesh vet kur ta takosh – më tha im at.
Në atë kohë punoja në Aviacion. Lash punën në orën 15:00, hëngra drekë në shtëpi dhe pa u shplodhur u nisa për tek Shemja.
Nuk mbaj mend nëse e gjeta Shemen në shtëpi apo ai më gjeti mua atje; e sigurt është që atë ditë u takova dhe fola me të. Heroi në perceptimin tim ishte një ”kala e lartë” që duhej ta shihje nga poshtë me admirim e respekt, ishte si të thuash simboli i të arrirës, fisnikes, mbi të zakonshmit.
Por isha gabuar, Shemja dhe të tjerë pas tij në kontaktet e mia ishin etalon thjeshtësie. Shtëpia e tij më ngjante me timen, një mobilim i thjeshtë dhe një ambient i ngrohtë; jo nga gazi jo, edhe pse ai ishte në gadishmëri…i ngrohtë nga banorët që jetonin në të. Të çiltër, të gëzueshëm, të dashur…ambient i këndshëm, thua se kisha vite njohje me ta.
Nuk mbaj mend nëse atë ditë qëlloi Aqifi në shtëpi, djali i madh i Shemes, por nëse lexon këto rreshta do t’i kujtohet në ka qënë a jo. Aqifi rezultoi një sukses më vete më pas, jo në standardin e të atit, por gjithsesi gjene mirë. Standardi i Shemes me shokë kërkon kohën dhe ambientin e at’hershëm të arrihet, kohë kur Shemja me shokë i vunë shpatullat vendit dhe bënë më të mirën për te.
Atë ditë tek Shemja pash saktësinë e asaj që më tha im at për Shemen…i mirë në gjithçka, i sajdisur, i zgjuar, i avashtë e i vëmendshëm kur flisje, edhe pse në moshën e fëmijëve të tij.
Sheme Mara është rasti ku çdo naftëtar dhe kuçovar mund të flasë e të flasë për një kohë të gjatë, sepse fjalët e mira pë malet nuk mbarojnë dhe Sheme Mara i tillë është – një mal i lartë ku çdo superlativë rri komode në habitatin e saj.
Aq gjatë sa do të donin të flisnin nuk mund t’i lejoj, sepse i tillë është formati i këtij shkrimi, por disa dhe me pak fjalë do t’i sjellë më poshtë. Dhe po e filloj me Ing. e mirënjohur të Naftës, Vlashi Fili, i cili thotë :
– Kam punuar shumë vite me Sheme Marën. Njeri puntor, i papërtuar dhe kam fituar shumë nga përvoja e tij. Gjatë gjithë kohës e kam respektuar dhe më ka respektuar pa asnjë interes, në një miqësi naftëtarësh. Ata që kanë punuar në shpimin e puseve e dinë çdo të thotë miqësi naftëtarësh. E ruajtëm këtë miqësi dhe respekt gjatë gjithë kohës. Shemja, si njeri për së mbari që ka qënë, respektin për të tjerët, ia ka trashëguar edhe fëmijëve të tij, të cilët dinë të vlerësojnë njerëzit. Kjo është meritë e madhe e Sheme Marës.
Ndërsa Moisi Bitri, Kryeinxhinjer i Ndërmarrjes së Shpim – Kërkimit në Patos, thotë :
“- Kam qënë Kryeinxhinjer i ndërmarjes për 6 vjet dhe mjeshtër avarie kishim Sheme Marën. Kështu që ne ishim vazhdimisht të lidhur bashkë, si për programet për likuidimin e avarive, ashtu edhe për pjesêmarjen direkt në likuidimin e tyre. Në atë kohë në ndërmarjen tonë kishte disa specialistë të pregatitur si, Muharrem Velaj, Skënder Isufi, Bashkim Manaj, Isuf Sejko, Hamdi Llano, Viktor Suku, Vladimir Hazizi, Nesti Dhima etj, të cilëve tani nuk po u’a kujtoj dot emrat, por Shemja ishte vërtet një specialist i veçantë, me të cilin, kur diskutoje për avaritë kishe të bëje me një njeri me shumë eksperiencë, ku në çdo moment do të gjente një rrugêzgjidhje pêr avarinë. Kur vinte Shemja në brigadën ku kishte ndodhur avaria, brigada bëhej më optimiste për likuidimin e saj. Me këtë njeri dhe specialist të shkëlqyer ne kemi likuiduar me dhjetra avari në sistemin e naftës. Shemja dallohej dhe për humorin e tij të hollë, gjë që të ngrinte moralin në kushtet e avarise. Sheme Mara ishte një njeri i rrallë në sistemin e naftës.”
Kristaq Odriçani, Ing dhe ish deputet i Kuvendit Popullor, shprehet për Shemen :
“- Kam pasur fatin që kam punuar në një sektor me Sheme Marën, nga viti 1967 në vitin 1969 në zonën Çpim Kërkimi Nr.1 Divjakë. E shkruajta këtë vetëm për të thënë një thënie të përgjegjësit të Pusit nr 9, teknikut Idriz Bregu me Ing. pusi, Vlashi Filin :
– Mos ardhsh kurrë, o Sheme Mara!
Shemja ishte një specialist i përkryer për eleminimin e avarive, sidomos “peshkimin” e tubove, astrave, daltave, rrulave e shumë mjeteve të çpimit të ngelura deri në thellësira 9000 m në thellësi të tokës. Titullin ose simbolin e Heroit nuk i’a dhanë, por e mori me punën që bënte dhe nuk mund ta bënte asnjë specialist tjetër. Natyra ose nëna që e lindi i fali edhe disa reflekse që ne të tjerët nuk i kemi!!! Fantazia e Shemes, eksperienca e tij shkonte mbi 9000m thellësi, psikollogjia dhe arsytimi i tij teknik ishin vendimtare dhe përfundimtare për eleminimin e difektit. Asnjëherë nuk “dështoj”. Kështu e mbaj mënd Sheme Marën që nga vitin 1967″
Një tjetër ing nafte me emër të mirë, Tajar Hysi, flet dhe nxjerr në pah vlera sipërore të heroit në fjalë, ku thotë:
“- Me Sheme Marën, heroin e punës dhe jetës së gjatë në naftë u njoha në 1963, kur unë punoja k/sondator dhe Shemja Përgjegjës pusi dhe punuam së bashku në shpime 25 vjet. Shemja ishte në front, në puse në të gjitha ndërmarjet në gjithë Shqipërinë. Punonte konkretisht për likuidim avarish nga më të ndryshmet, që kërkonin eksperiencë dhe aftësi manovrimi përball rezikut tê jetës në sa e sa raste avarish. E mbushi jetën me punë e lavdi në mes të naftëtarëve.”