Ku po shkojnë masivisht shqiptarët?!

631
Bardhyl BERBERI 

Si t’iu them, se kurbeti është i zi, kur po ky mërgim iu siguron jetën normale dhe mbi të gjitha të dinjitet njerëzor që në atdheun e tyre e shkelin me këmbë ca pseudo drejtuesish. Në Shqipëri udhëheqin të paditurit dhe të pandershmit ndajnë drejtësi…
Na treguat me dekada se kurbeti është i zi. Shumë shkrimtarët dhe këngëtarët krijuan shumë libra filma dhe këngë për kurbetin e shkretë dhe të zi. Në të vërtetë, ata na thoshin proverbin se “Guri i rëndë është në vendin e tij” dhe “Ta duam atdheun si shqiponja folenë”. Kjo ishte pjesa e propagandës komuniste, por harruan të na tregojnë se më lehtë mund të vdisje për atdhe, se sa të jetosh në atdhe. Ditët, vitet dhe dekadat rrodhën, por për njeriun tonë nuk u arrit të bëhet i dashur atdheu. Përkundrazi, para disa vjetësh lexuam se një familje shqiptare është në gjendje të vetëdigjet vetëm për të mos u kthyer në atdhe. Nuk ka ditë që nuk dëgjoj se dikush i afërt dhe i njohur është nisur për në mërgim për të punuar dhe jetuar atje. Pikërisht atij që me dekada të tëra i thamë i zi, jemi gati të bëjmë sakrifica sublime për të braktisur atdheun nëpër kamionë të mbyllur apo skafe të rrezikshme në mes të dallgëve vetëm të shkojmë në Perëndim apo në Amerikë. Ata nuk po shkojnë vetëm për një rrogë pak më të madhe, por për një jetë më dinjitoze më të drejtë dhe të vlerësuar. Të shpëtojnë nga shushunjat e korrupsionit dhe nepotizmi që po na pinë gjakun… Të shpëtojnë nga ushtria e të paaftëve dhe të pashkolluarve që kanë hipur në karriget e shtetit …duke blerë një diplomë të shkollës së lartë por kanë ende pa mbaruar gjimnazin. Po e braktisin të dëshpëruar atdheun. Po shkojnë që të mos kthehet më! Shkollat po pakësohen prej nxënësve, të cilët janë pakësuar në maksimum. Popullsia po plaket. Sot u dha një shifër tronditëse nga INSAT se vetëm këtë tremujor Shqipëria është 15 % më e plakur duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Studentë janë kthyer në klientë të pedagogëve që pa marrë zarfin me para nuk ta japin provimin. Kryejnë fakultete edhe ata që nuk dinë mirë të lexojnë. Kësisoj, humbi vlera e arsimimit. Humbi vlera edhe e botimit të librave. Panë se libreza partiake është më e vlefshme se çdo gjë tjetër, më e vlefshme se libreza shëndetësore dhe ajo e notave, ndaj pse të lodhen së lexuari kur shihej se edhe pa lexuar fare mund të bëhesh drejtor, dekan, deputet e ministër. Humbi vlera e sportit. Njerëzit panë se më llogari kishe të vrapoje pas partisë që në fund ta jepte ndonjë post se sa të vraposh për një trup dhe shëndet të mirë. Të gjorët fëmijë nuk kanë ku të loznin, ngaqë parqet janë uzurpuar prej mafies urbane, të cilët ndërtojnë ndërtesa ku të duan, meqë ishin lidhur fortë me të partisë. Që kanë shkatërruar qytetet nga një infrastrukturë e çmendur. Ata janë më të fuqishëm se mafia urbane dhe me pushtet më të gjatë se diktatorët e urryer. Po puna e bosëve? Ata i paguajnë punëtorët 20 mijë lekë të reja në në muaj, aq sa kushton një drekë e tyre me dashnoren. Apo për bujqit nuk mund të shkruaj, ngaqë prej kohësh shteti këtë kategori të ndershme dhe tepër të rëndësishme për një shtet e ka masakruar duke ia u lënë prodhimet t’u kalben pa asnjë strategji. E pra, kujt t’i them, mos e braktisni atdheun? Si t’iu them, se kurbeti është i zi, kur po ky mërgim iu siguron jetën normale dhe mbi të gjitha të dinjitet njerëzor që në atdheun e tyre e shkelin me këmbë ca pseudo drejtuesish. Në Shqipëri udhëheqin të paditurit dhe të pandershmit ndajnë drejtësi…
Sigal