Vangjush Saro: Ukraina, çmimi i Demokracisë

212
Sigal

Ajo çka thuhet në titull e do të shpjegohet më poshtë, mund të duket një pikëpamje e vjetëruar, një vështrim si në një kohë tjetër dhe unë lus të jem gabim; por le të shohim realitetin dhe le të flasim falë pamjeve të tij. Kjo luftë e ky mjerim, që nuk justifikohen me asgjë, na kanë vënë përsëri në një meditim nga i cili edhe më parë nuk kemi përfituar, por sërish e lejojmë veten t’i falemi atij edhe më tej… Se, bie fjala, Rusia, megjithë hapësirat e saj pa kufi dhe pasuritë e pamata, është një vend i varfër dhe, për më tepër, trashëgon njëfarësoj megallomaninë e Carëve të saj, të Carëve para dhe pas të ashtuquajturit Revolucioni i 17-tës; po ashtu, ajo përjeton prapambetje politike (domethënë atë të rendit) dhe korrupsion.

E tillë është panorama e shumicës së vendeve në Lindje, ku gjithashtu ka korrupsion të theksuar në nivelet më të larta dhe rende politike të prapambetur, falë të cilëve dikush mund të rrijë në pushtet për dekada të tëra… Dhe kjo, institucionalisht e privatisht prodhon histeri. (“As hyjnitë nuk mund të luftojnë kundër idiotësisë.” F. Shiler) Ose, si në rastin e Kinës, kemi regjime ku rendi mund të jetë i prapambetur, por nuk mungon zhvillimi dhe luftohet korrupsioni. Megjithatë, demokracia është njëlloj telenovele. Në këtë temë, sigurisht ka mungesë informacioni, ka lëvizje të nëndheshme, shpjegime që jo çdokush mund t’i ketë në fokus dhe në mundësi. Por ajo që mund të shikohet nga gjithkush është një ndryshim i dukshëm mes “dy hemisferave”: në përzgjedhjet politike dhe ato për jetën. Lindja i mban (i duron) më gjatë monarkët; edhe autoritaristët; ndonjëherë edhe kriminelët në pushtet. Perëndimi ka aplikuar prej shumë kohe rregulla të tjera për politikën dhe jetën. Në disa nga vendet më të përparuara të kontinentit evropian, si Danimarka, Suedia, Finlanda, Zvicra, etj. Karriera politike është njëlloj detyrimi zyrtar, pas të cilit, pavarësisht arritjeve, të shumta (e liderëve a drejtuesve) kthehen në jetën e tyre normale. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar përballet në Parlament me debate serioze, që përgjithësisht nuk kthehen në vodevil apo çjerrje korbash. Në SHBA, një President mund të rrijë në Shtëpinë e Bardhë e shumta dy herë nga pesë vjet; sido që t’i shkojë puna, ia lë vendin tjetrit. Në të gjitha këto vende, patjetër që ka gjithnjë një lidhje të ngushtë mes politikës dhe manjatëve të ekonomisë e shtypit gjithashtu; patjetër që ka probleme nga më të thjeshtit te më të vështirët, (sikundër po vihet re së fundi shtrenjtësia e jetesës dhe e strehimit në disa vende). Por gjithsesi, politika dhe varfëria janë me një status të pasigurtë, ndonjëherë të përkohshëm, ato nuk rëndojnë pareshtur si zgjedhë mbi kurriz të qytetarëve. Janë të dukshme dhe bazike ndryshimet midis Lindjes e Perëndimit në raportin shtet-qytetarë, në mirëqenien e njerëzve, në infrastrukturë, në të drejta e liri, etj. Ka pra, një diametralitet real midis këtyre “hemisferave”; kjo është një nga brengat më të mëdha të kohës së sotme dhe inspiron urrejtjet, luftërat, emigracionin pa kushte, kaosin demografik, etj. Lindja po e zhbën Perëndimin duke ia shtuar atij klasën e mesme apo atë të varfër, po ashtu popullsinë me ngjyrë; kurse Perëndimi vazhdon të shtrijë hegjemoninë e vet mbi çdo hemisferë ku jetohet. Këtu mbështeten disa nga kritikët snobë, kur vjen fjala edhe për luftën e këtyre ditëve në Ukrainë. BE dhe Nato i kanë shkuar Rusisë në kufi, në të gjitha kufijtë, nga vendet balltike gjer në Jug, e më poshtë… Pyetja shtrohet kështu: Këto vende, Letonia, Lituania, Estonia, më tej Polonia, pastaj Rumania, Bullgaria, edhe Shqipëria jonë, kanë shkuar apo janë duke shkuar në BE dhe në NATO me përdhunë apo duke bërë lutje, duke formuluar kërkesa e duke plotësuar kushte? Është kjo e fundit, mendoj; dhe nuk duket që ka mospërputhje me vullnetin e këtyre vendeve e popujve të tyre. Pra, hegjemonia është njëlloj presioni për tregje, për pushtet e shtrirje, por në një mënyrë apo në një… “garë paqësore”, siç thoshte Nikita Hrushovi, të cilin na e kujtoi këto ditë z. Ngjela (Spartaku). Çdo agresion ka një mbështetje në terma dhe në frymë. Në vitet e Luftës së Ftohtë, agresioni i Bashkimit Sovjetik ndaj Çekosllovakisë (së atëhershme) apo Hungarisë, kishin në prapavijë të ashtuquajturin Kamp Socialist, që në fakt do të binte disa dekada më pas. (Pas Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik, duke përfituar nga epërsia e tij e përkohshme, vuri nën kontroll një sërë shtete (që në fakt i çliroi nga nazizmi). Bota u nda në dy kampe të mëdha: Socializmi dhe Kapitalizmi.) Në vitin ‘90, ky skenar u bë copë-copë. Por ndërkaq, “kampet”, edhe pse me ndryshime në thelb e në pamje, janë prapë atje. Dhe Perëndimi, bie fjala, nuk heq dorë nga prirja për hegjemoni; kurse Rusia, për fat të keq, është në anën e gabuar të kohës. Ndërkaq, çfarë nuk shkruhet e çfarë nuk thuhet… kundër Rusisë. Anatemohet gjer edhe kultura dhe letërsia e saj. Kjo frymë asgjëzuese, ekstremiste, lëshohet nga qenie bastarde, shkrues pa edukim, pa integritet. Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se si mund të gjunjëzohet një popull, një ushtri, një medie, kur dhuna (si këto ditë është shtuar në Rusi) godet pa mëshirë të lëkundurit ose ata që kundërshtojnë. Më në fund, a është Perëndimi një model i duhur, ai më i miri? Natyrisht që jo; por gjer më sot nuk ka dalë ndonjë model tjetër, sadopak më i mirë, më pak zhgënjyes. Ky është thelbi i kësaj përplasjeje të madhe; përveç gjithfarë interesash, të dukshme a të nëndheshme që “ngrehin” liderët dhe pasuesit e tyre në luftëra, duke u tallur me fatet e njerëzve dhe të popujve. (“Në emër të Zotit, qëndroni një moment, shikoni rreth jush…” L. Tolstoi)