Edhe pas 35 vitesh që themi se ndërruam rend, jemi larg Perëndimit, Demokracisë dhe BE-së. (Evropa reagoi pas votimit në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Kështu, duket sikur Evropa po largohet prej nesh. Po ikën. Kryeministri, z. Rama, që nuk heq dorë nga skenat dhe nga pompoziteti, pas vizitës në Itali, pritet të marrë pjesë në një Samit për Demokracinë në Spanjë, ndërkohë që (si edhe autokratë të tjerë) shumë pak ka ç’të thotë në atë temë.

Perëndimi s’është më ai që ka qenë; dhe as organizatat e tij të fuqishme, si NATO. Ka një përplasje të dukshme mes Evropës dhe ShBA-ve; madje, mund të personalizohet, përderisa tonin kësaj “lufte” të heshtur e të pavend, ia ka dhënë Presidenti aktual i Amerikës, D. Trump. Disa e quajnë këtë ndryshim Rendi i ri botëror. Nuk besoj se shkon ky emërtim, në kushtet kur për Perëndimin, për Evropën, për Kapitalizmin dhe për Demokracinë, nuk ka ndryshuar asgjë. Ato që cilësohen ndryshime, janë thjesht spektakël. Me shumë gjasa, nesër do të kthehemi atje ku ishim.
Përplasjet SHBA-Evropë filluan me shpalosjen e disa ambicieve të pamundura të Amerikës, si Groenlanda, në mos edhe Kanadaja, mandej vazhduan me tarifat, rrit e zbrit, më tej me politikat bllokuese për NATO-n, pastaj Ukraina, Irani, bisedimet dhe luftërat, një mish-mash që shumëkush e vlerëson (e përsëris) Rendi i ri botëror. Përplasjet janë në terren, por edhe në histori. Zëvendësi i z. Tramp, z. Vance, në një moment, hodhi poshtë kontributin e Evropës në Luftën e Dytë Botërore, ndërkohë që, nga të dy, aleatët akuzohen se asnjëherë nuk kanë qullosur gjë; (bie fjala, kur u përmend Iraku). Në planin etik, gjithashtu diçka nuk shkon; Presidenti i ShBA-ve, herë pas here, përpiqet të shtyjë tutje ose të ironizojë drejtuesit e vendeve evropiane (!) Në mënyrë të veçantë, kapja e tij me Presidentin e Francës dhe së fundi, edhe me Papën, përbëjnë një precedent që nuk është parë kurrë në historinë moderne të Botës.
Vazhdojmë. Gjithë në këtë udhë të Rendit të ri, u krijua i ashtuquajturi “Bordi i Paqes”, por vendet evropiane nuk denjuan të bëhen pjesë e atij manifestimi që, në fakt, deri më sot, nuk ka sjellë paqe; përkundrazi. (Vetëm tek-tuk, ndonjë vend servil si Shqipëria, në fakt, ndonjë drejtues servil e interesaxhi si Kryeministri ynë… ia dha vrapit të anëtarësohej; dhe dihet pse.) Në realitet, konfliktet dhe moskuptimet shkuan më tej se vetë termat. Filloi lufta me Iranin; dhe vendet evropiane (me të drejtë) nuk iu përgjigjën Amerikës, që të shkonin atje me raketa, anije dhe ushtarë. Këtu dua të ndalem pak. E para, në gjithë sjelljen e drejtuesve evropianë, të shteteve evropiane – Spanja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Sllovenia, Polonia, Danimarka, etj. – ka pasur një ekuilibër që tregon se në disa parime, nuk mund të lëshohet pe. Përfshirja e Evropës në aventura, me siguri që do ta zhyste gjithë botën në kaos e në një Luftë të Tretë. Ja pse mendoj që Evropa është në pozita më të besueshme; dhe përplasja në fjalë, është e përkohshme.
Gjithë në këtë vështrim, në shfaqjen e quajtur “Rendi i ri botëror”, pavarësisht interesave dhe luhatjeve politike, përtej konflikteve – ato acarohen dhe prapë zbuten – Evropa ka demonstruar maturi dhe durim. Për më tej, mendoj se disa nga vendet evropiane, perëndimore, sidomos ato të Gadishullit Skandinav, por edhe të tjera, atje dhe më tej, Kanadaja, Australia, kanë treguar në këto kohë të vështira më shumë respekt për parimet dhe rregullat e Demokracisë. Me përjashtime të rralla, atje nuk shfaqen autokratë dhe asish që s’e lënë fronin; as liderë luftënxitës.Zyrtarët e lartë sillen si nëpunës të shtetit dhe jo si të rënë nga qielli. Madje, mediat kanë sjellë në publik episode të tilla, kur një kryeministër i një vendi diku në Evropë, disa kohë pasi ka lënë detyrën, është parë të shkojë në punë me biçikletë… Ka kryeministra, kancelarë e ministra të Evropës, që janë kthyer me qetësi në jetën e tyre private, kanë respektuar vullnetin e zgjedhësve dhe nuk kanë ngulur këmbë të mbrojnë mandate pa fund.
Po vij tani në Shqipëri. Në këtë botë të trazuar, Shqipëria s’mund të ish e lumtur; s’ka qenë asnjëherë. Vendi i saj në “Rendin e ri” është i paqartë; ajo duket si ndonjë aktor i hutuar. Vendi i saj në Evropë, gjithashtu është i paqartë. Edhe jemi, edhe s’jemi atje. Duket sikur e kemi humbur busullën. Krerët e politikës shqiptare janë aq groteskë. Edhe pas 35 vitesh që themi se ndërruam rend, jemi larg Perëndimit, Demokracisë dhe BE-së. (Evropa reagoi pas votimit në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas drejtuesve të BE-së, lufta ndaj korrupsionit është thelbësore në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian; vendet që presin t’i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta e të qëndrueshme…)
Kështu, duket sikur Evropa po largohet prej nesh. Po ikën. Kryeministri, z. Rama, që nuk heq dorë nga skenat dhe nga pompoziteti, pas vizitës në Itali, pritet të marrë pjesë në një Samit për Demokracinë në Spanjë, ndërkohë që (si edhe autokratë të tjerë) shumë pak ka ç’të thotë në atë temë. Vështirë që Evropa të na “kuptojë” për korrupsionin e pandëshkuar, për konfliktualitetin politik dhe për paburrërinë tonë në zgjedhjet politike. Shumë pak kohë ka mbetur për ta përmbushur atë ëndërr sipas parashikimeve, ndërkohë që vendi po kalon një kalvar pa fund nga viti ‘90 e këtej.
Në fakt, Evropa nuk ka ikur askund, ka mbetur atje ku ka qenë; në parime është fjala. Të tjerë po duket se mund të ikin prej saj; ndër ta, ka edhe gjysma kontinentesh (siç është një vend i madh si Amerika, domethënë ShBA-të). Por duken në ikje gjithashtu edhe vende të tjera, të vogla, të parëndësishme, por që praktikojnë autokraci dhe korrupsion; Shqipëria është një prej tyre. E vërteta është që ne po ikim dhe s’dimë ku shkojmë. S’na e ka fajin askush që në jetë të jetëve veç qorrollisemi; as Evropa që, me çfarë shikojmë e ndjejmë, e lodhur me ne, po na lë…
Ndërkaq, sikundër e thashë më lart, përplasja në fjalë (pra, ajo mes ShBA-ve dhe Evropës) është e përkohshme. Të mëdhenjtë e Perëndimit, përfshi SHBA-të dhe Evropën, bëjnë si bëjnë, e gjejnë prapë gjuhën; kjo është një histori e përvojë shekullore. Sa na përket neve, ndryshon puna: për hir të fronit të njërit e të tjetrit, ne mbetemi mënjanë, të vetëm, të vegjël, pa dinjitet, pa perspektivë… Ja pse lipset një ndryshim e një rend tjetër, këtë herë, vetëm për Shqipërinë.



















