Vangjush Saro: Që mos na gënjejnë me… ‘listat’

557
Sigal

Ndërsa flitet gjithë pathos për zgjedhje e për lista, ndërsa u hap një polemikë e ashpër pas një shkrimi që përsëriste apo edhe shtonte ndonjë radhë në jetën private e shoqërore të dy prej shkrimtarëve më të njohur të traditës, një qytetar a lexues i vëmendshëm konstaton sakaq vakumin e madh në atë që mund ta quanim ‘e djathta’, si dhe mungesën e seriozitetit në qasjen te ky term. Edhe kur përmendet koncepti apo shtresa në fjalë, kjo bëhet me njëlloj trishtimi, sikur nuk është, sikur ka munguar jetë e mot, sikur kombi ynë nuk e njeh aristokracinë e vet, të parët e vet, ata që edhe pse të kamur e komodë në jetën e tyre e të familjeve, luftuan për pavarësi dhe demokraci, duke falur edhe pasuritë. Rrallë shohim të kujtohen (mbase në medie tek-tuk) familje të njohura apo emra të përveçëm nga ata që të duket sikur nuk kthehen më…  Kjo shtresë njerëzish me parime dhe sens, gjithnjë e fyer dhe e zhvendosur skajeve, në fillim të viteve ‘90 pati një mundësi, një shans. Por nuk e lanë ish-komunistët të ngrinte krye… Midis të tjerave, kjo ndodhi për shkak të urrejtjes së vjetër ndaj shtresë së djathtë, sa edhe për shkak të babëzisë për pronë e fitime, që pushteti i quajtur demokratik e inkurajoi; bisedë kjo e bërë shumë herë tashmë. (“Në Perëndim, çdo parcelë toke, çdo ndërtesë, çdo pajijse, çdo stok inventari përfaqësohet me një dokument pronësie që është shenja e dallueshme e një procesi të gjerë të padukshëm që lidh të gjitha këto asete me pjesën tjetër të ekonomisë.” Hernando De Soto) Edhe pse vunë pasuri, edhe pse u betonuan në poste e në politikë, mëtonjësit sotëm – të pushtetit e të parave – ende nuk janë në gjendje të na paraqesin një tablo tjetër; edhe kjo për arsye se nuk e kanë dashur dhe nuk e duan ‘të djathtën’; si emër, si koncept, si shtresë. Nuk i kanë dashur dhe nuk i duan familjet e njohura e të nderuara, që fundja u përpoqën ta bënin Shqipërinë jo vetëm për një grusht njerëzish, por për të gjithë. (“Vetëm kush ka besim në vetvete mund t’iu qëndrojë besnik të tjerëve.” Erik From)

Por ndërsa shihet qartazi ky vakum, një pjesë e qytetarëve shqiptarë, me punë e marifete apo vetëm me marifete, kanë vënë mirë pasuri. Pra, jemi përpara një realiteti të ri: shtresa e familje të sotme, të ngjashme me ato që përmendëm vetëm për nga kamja, lëkunden midis pronave dhe shterpësisë intelektuale, ndërkohë që, në vështrim politik, mund t’i shohësh edhe te ‘e majta’, edhe te ‘e djathta’; madje ndonjëherë ndërrojnë krahët dhe hidhen sa andej këtej. Dhe kjo nuk ka të bëjë (siç besojnë disa) me dobësimin e hapësirës që ndan këto kategori ose me pakësimin e ndjeshëm të dallimeve mes tyre. Duke e çuar më përpara argumentin, për ta sjellë atë në realitetin shqiptar, mund të themi se është e vështirë të parashikohet nëse të kamurit e sotëm do të arrijnë të krijojnë e të shpallin ‘pjesën e djathtë të shoqërisë shqiptare’, të formulojnë përkatësinë dhe pikësynimet e tyre, duke ndikuar pikërisht me këtë ‘uniformë’ në jetën politike dhe jo të lyer herë me një ngjyrë e herë me tjetrën apo duke preferuar lidhjet e ‘nëndheshme’.  Kur të ketë marrë një rrugë demokracia dhe kur të kemi një ‘hartë’ pak a shumë të drejtë dhe të pranueshme të lëvizjeve dhe shtresave që me gjendjen apo interesat e tyre inspirojnë politikën dhe trendin shoqëror, këto që shkruajmë sot mund të na duken si… kujtime. Por me sa shikojmë, veç parimeve e reformave, na duhet edhe një burrë nga ata të Rilindjes Kombëtare; (jo të kësaj që e kopjoi emrin nga epoka e ndritur për ta përdhosur atë). Ose një grua si Musine Kokalari. Mbase ndonjëra nga motrat Qirjazi. Elena Gjika. Shote Galica. (Që t’u drejtojë pushkën monstrave.)  Kur flas kështu, jam i bindur se lexuesit e nderuar e kuptojnë mirë metaforën dhe ‘provokimin’… 30 vjet nuk e nxorëm dot një burrë të ‘hajrit’. 70, 80 vjet nuk e pamë një këso. (Hiq ndonjë inxhiner e ndonjë shkrimtar, ndonjë zanatçi të urtë, ndonjë peizazhist, ndonjë muzikant.) Katër dekada e gjysmë – pavarësisht disa arritjeve falë punës së qytetarëve e fshatarëve, vetmohimit të komunistëve të ndershëm e naivë dhe të burgosurve të të gjitha kallëpeve – Hoxha, e zhbëri vendin, e shfytyroi ‘të djathtën’, i shtypi dhe i mori nëpër këmbë shqiptarët, gjer edhe shokët dhe miqtë më të ngushtë, për të siguruar mbijetesën e tij e të familjes dhe klanit të tij; gjithçka përmes një qeverisjeje krejtësisht totalitare, edhe të pabesë, po të kujtojmë çfarë ishte premtuar para dhe gjatë Luftës (së Dytë Botërore). Për disa dekada, një nga pasardhësit e tij, Sali Berisha, gjithashtu foli e veproi në emër të klaneve e të familjes së tij. Jo më pak se Doktori ynë, po ushtron sot presion, dhunë e pushtet absolut edhe Piktori ynë… (“I pasur bëhesh, elegant lind.” Balzak) Personalisht do të ndiqja me simpati një socialdemokraci korrekte e që çon përpara progresin dhe mirëqenien e qytetarëve të vet; kam parasysh disa vende skandinave, por dhe Finlandën, edhe Zelandën e Re, edhe Kanadanë ku jetoj… Nuk janë parajsa, por kanë një sistem vlerash, kanë një garanci për jetën, për të punësuarin, për votën. Ja pse na duhet në pushtet një ‘Musine’, një socialdemokrate si ajo, që nuk i tradhëton parimet dhe bindjet, që nuk ëndërron për vila e jahte, një grua me virtyte, që të mos na zhgënjejë. Fundja, burrë le të jetë e, mbase janë diku, një a disa të tillë nga këta që përmend – se ndërkaq ka marrë lemerinë mileti nga politikanët – por ata, edhe nëse janë, nuk imponohen dot, sepse rrjeta e miqësive dhe lidhjeve për interes, është kaq e fortë, kaq e ‘keqsiguruar’, sa që e mira nuk depërton dot. (Mbase do të vijë koha kur… e vërteta “të ngrihet mbi falsitetin si vaji mbi ujë”, sikundër thotë Servantesi i madhërishëm.) Ndjesë që po e përsëris, jemi në hall për shkak të problemeve të shumta, të mbartura e të krijuara rishtazi, por edhe sa i takon lidershipit; në të gjitha fushat, e sidomos në politikë. Nuk besoj ta zgjidhim shpejt këtë hall; edhe ca kohë të tjera, kështu ecengec do të vazhdojmë. Por së paku, le të rrimë disi më zgjuar: që të mos na e hedhin me listat, që të mos na e vjedhin votën; që të mos na gënjejnë me thesin e miellit; që të mos na hutojnë me premtime që nuk mbahen asnjëherë; që të mos na armiqësojnë me traditat dhe me të shkuarën tonë, me prirjen tonë për mirëkuptim përtej bindjeve fetare dhe fiksimeve politike, të vjetra a të reja qofshin; së fundi, që të mos na përplasin me njëri-tjetrin…  Po të bëjmë këto, e kemi hedhur një hap, do të vijë dita edhe për më shumë.