Sigal

Është bërë tashmë një telenovelë ‘historia’ e zgjedhjeve vendore, në veçanti version ‘shkodran’ i kësaj aventure, që tregon sa shumë halle kemi, ndërkohë që nuk na lë tangërlliku të ngremë kokë. Duket se PS po pajtohet me ‘vakumin’, shto këshilltarët e vet…(“Lamtumirë, o mori Shkodër!” ka kënduar dikur Ndre Mjeda, në rrethana të tjera.) Në fakt, kemi një lojë, aq. Aty u gjend disi ngushtë një zotëri me ca probleme të vjetra me Drejtësinë, por që çuditërisht na ishte përzgjedhur dikur të luftonte Mafien (?!) Ngjarjet kanë rrjedhur në mënyrë të tillë, që sot qyteti nuk di ku ka kokën dhe kë ka… kokë. (Ndjesë për kakofoninë.) Po se mos vetëm Shkodra! I gjithë vendi s’di ku ka kokën…Dhe kështu, kemi shkuar përtej absurdit.

Pyetja është e dyfishtë: Si e gjeti dhe pse e përzgjodhi atë zotërinë me probleme, Kryeministri ynë problematik? Pyetje të tjera,vijnë po në atë tragë. Si e gjeti atë derëmbyllurin e Bashkisë së Kavajës, që gjithashtu doli me… probleme? Po atë të Durrësit, për të cilin flitej e shkruhej pa pushim, çdo ditë keq edhe më keq, por Kryeministri e mbronte? Po disa nga ministrat e tij aq shumë të kritikuar e të papranuar si i gjen? Vërtet, nga vijnë këto fytyra të prezantuara me shumë bojë, që më pas dalin… nuk di si ta them, të më falin për teprimin, surretër?

Edhe s’mund të ndalemi as këtu. Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është nën gjykim. (“Të vjetrit vjetruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.” Pushkin) Në hall me Drejtësinë ka qenë e s’dihet ç’rrugë mori edhe ish-Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Gjika. Me qiri i kërkon dhe i gjen këta bashkëpunëtorë Kryeministri? Nuk është një rast, as dy… edhe po themi hajde pra, gjëra që ndodhin. Janë shumë raste, që nga kandidimet në Kuvend të disa tipave që s’janë për asnjë lloj kuvendi, deri te përzgjedhjet për në qeveri e poste të tjera të rëndësishme. Nuk është puna të shohim a të bëjmë biografira, si qëmoti. Por në rastet kur i ‘përzgjedhuri’ papritur del një ‘kalli’ bosh, një ‘shalqi’ i kalbur, atëherë s’ke nga ia mban, veç të bësh pyetje.

Bie fjala, ku i kishte sytë blerësi, ai paradhënësi, dreq, kryeministri de, se u bëra lëmsh, kur solli në krye të Bashkisë së Shkodrës z. Pjetri? Lexoi më parë ndonjë letër? Bëri ndonjë konsultim me njerëz që mund të kenë informacion më shumë se ai? Ka struktura (në këto deli parti) që të shohin ç’njerëz lançohen? Kur do t’ia vlejnë (në këtë palo shtet) disa institucione, që qytetarët e varfër shqiptarë i paguajnë maksimalisht, siç mund të jetë SHISH, i cili në shumicën e rasteve na shfaqet si ndonjë fantazmë që s’i hyn në punë askujt?

Diskutimi, në disa tematika të vendit, nuk gjen asnjëherë shtratin e duhur. Çfarë ndodh realisht me aradhën e të përzgjedhurve pa përzgjedhje? Këta ‘kalben’ në rrugë e sipër, pra gjatë detyrës, duke ‘bashkëpunuar’ me ministrin a kryeministrin? Apo kanë qenë të tillë, të ‘kalbur’ a të ‘prishur’ qyshkur, ‘shefi’ e ka ditur; atij i ka interesuar një gjë e tillë? (Kjo hamendje më kujton një aspekt të errët të mënyrës se si punonte një nga shtetarët më të diskutuar në këto dekada, z. Berisha: Duke vlerësuar më parë ‘dosjet’ e njerëzve që rekrutonte, gjë që ia lehtësonte atij punën , kur duhej, edhe për prapësitë, sepse i ‘përzgjedhuri’ ishte i detyruar njëfarësoj të tundte kokën e të thoshte ‘Amen!’ pas çdo fjale a ‘vepre’ të shefit.)

Nuk them se të gjithë ata që kanë punuar në këtë vend kanë qenë apo janë kështu, kukulla që të tjerë ua luajnë fijet. Por një pjesë e mirë e të ‘përzgjedhurve’ – në disa qeveri e në mandate të ndryshme – kanë treguar se janë njerëz të dobët moralisht e politikisht, madje edhe hipokritë. Një njeri me sedër, kur e di se e ka (apo e ka pasur) vëllanë në burg për aksh vepër penale që opinioni s’do ta përtypë lehtë, edhe nëse ai vetë është burrë i mirë, duhet të mendohet një herë, nëse duhet të bëjë karrierë më tej apo (për të mirën e tij dhe të formacionit që përfaqëson) duhet të mbajë një pozicion më modest. Një njeri me sedër, që e di se ka punë me Drejtësinë, atje apo këtej, gjithashtu mendohet mirë përpara se të marrë përsipër një detyrë të rëndësishme…

Mbase pranojnë të rekrutohen për të qenë më të sigurt, për të mos u trazuar nga asgjë; mbase e kanë në thua gënjeshtrën e mashtrimin. Po e zgjeroj pak argumentin. Më bën përshtypje që Kryeministri, jo njëherë, ka sulmuar deputetin Edi Paloka – nuk më shkoi të thosha ‘ish’ – për një defekt në të folurën e tij. Nuk i miratoj disa veprime të tepruara të tij, ia kam thënë në sy, ia kam pozuar edhe në shtyp; megjithatë, kam nderim për aq sa e kam njohur nga afër dhe, sidomos, ngaqë nuk i është zënë emri në gojë për abuzime, edhe pse ka shumë kohë në politikë. Kryeministri (midis të tjerave) e sulmon atë sepse shqipton keq shkronjat s dhe sh… Për gati një muaj, kam qenë me Edin në një trajnim në Rumani (pranë gazetës së njohur ‘Evenimentul Zilei’) dhe megjithëse rrinim bashkë gjithë kohës, nuk më ka rënë në sy ky defekt, nuk më ka tërhequr vëmendjen. Diskutonim gjithfarë temash, ishim në njëlloj deliri për të ardhmen e vendit dhe për demokracinë…

Do të pyesë ndokush: Përse e tjerr kaq gjatë e ç’lidhje ka? Ndoshta vërtet shkoi gjatë, po kjo është shumë e rëndësishme. Kryeministri nuk ka mundësi të thotë ndonjë gjë tjetër për Palokën, se po të kishte, nuk e kursente; po ashtu, ai nuk do të merret me akuzat që i drejtohen nga adashi i tij dhe opozita, në gjendjen që ajo është, siç e dimë të gjithë; kështu, ai kapet pas një defekti në të folurën e kundërshtarit. Pra, lidhja është që atij i pëlqejnë ngacmimet për hiçgjë, ngase nuk do të merret me tema të rëndësishme. Në këto raste, siç thotë i madhi Xh. Xhojs, zotëria e tij “këndon fjalët që s’duhen…” Shikoni çfarë ndodh: Ai e tepron me kullat, e tepron me çmimin e rrugëve, e tepron me historinë e popullit të tij dhe konkretisht me Luftën Nacional-Çlirimtare, e tepron me memoriale për ndonjë mik autoritarist si Erdogani, e tepron me projekte që të ‘përzgjedhurit’ e tij në kulturë e arsim i denatyrojnë, i shesin, e tepron me këta të përzgjedhur që (papritur) i dalin fyl, në mos në hall me Drejtësinë e, sikur të gjitha këto të mos ishin gjë, ai sillet në mënyrë cinike me kundërshtarët e tij; njërin rast e tregova më sipër.

Është jashtë çdo lloj besimi e parashikimi. Ai përzgjedh Tom Doshin, të përfolur disa herë; ai përzgjedh këtë skandalozin, Mihal Kokëdhimën. (Më parë, kishte përzgjedhur një Kokëdhimë tjetër.) Përzgjedh ca veshje që ta shpifin. Ka përzgjedhur dikur një roman të një shqiptareje shkruar në frëngjisht, që ky (do t’i dilte koha, thua?) do ta përkthente në shqip…

Nuk mbarojnë ‘përzgjedhjet’ e diskutueshme të tij. Dhe meqë thashë në krye të herës se jemi përtej absurdit, ja ç’na kujton një nga mbretërit e tij, E. Jonesko: “Nuk kemi kohë të shpërdorojmë kohën tonë.” Po. Sepse vate fjala në atë vendin ku mbreti shkon në këmbë… Ky popull u nginj me fjalë dhe me skandale. Tani do pak qetësi, do të shohë ndonjë dritë në fund të tunelit. Po citoj sërish dikë që e vlen: “Ne kuptojmë çfarë mendon dikush, jo kur ai na e thotë çfarë mendon, por nga veprimet e tij.” (I. B. Singer, Nobel 1978)

Kur ka qenë rasti për të thënë disa fjalë të mira, nuk i kam kursyer. Por siç kam nënvizuar edhe në shkrimet e fundit, punët po shkojnë keq e më keq; në çdo aspekt. Dhe kështu, ‘muhabeti’ duhet bërë ndryshe. Këtë ‘ndryshe’ mund ta zgjidhë vetë PS; mund ta zgjidhin edhe qytetarët e atij vendi, në rastin më të parë. Precedenti ‘ndryshe’ po shihet si një domosdoshmëri në të dyja partitë kryesore, në të gjithë sistemin… Është nga të paktat raste, kur nuk kam një përfundim apo alternativë të qartë për shënimin tim. Përveç shpresës se mund të ketë ndryshime, ndëshkime, e kështu me radhë…