Vangjush Saro: Përtej ‘humanizmit’ të z. Rama

236
Sigal

Nuk do shumë vëmëndje për të konstatuar se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me gjasë i yni, sidomos në vitet e fundit, duket tejet aktiv dhe i përfshirë me këmbëngulje në të gjitha aferat botërore. Më herët, ai ka rënë përmbys për të ashtuquajturin ‘Shengen Ballkanik’, ndërkohë që në këtë valle, gjer më tash, janë vetëm dy ose tre shtete a qeveri, njëra prej të cilave ajo që drejton z. Rama; përgojuar në vazhdimësi për arrogancë dhe afera korruptive. Trumbetat për ‘Shengenin Ballkanik’ roitën rajonin… Edhe pse vende të tjera (Sllovenia, Kroacia, Rumania, Bullgaria etj.) nuk duken fort të interesuar për këtë fanfarë. Këto kohë, në krizën afgane, z. Edi Rama – i akuzuar nga kundërshtarët dhe mediat për afera korruptive, ndër të cilat ndërtimet galopante – prapë po përpiqet të bjerë në sy (në sytë e evropianëve dhe amerikanëve) si një nga liderët më të fokusuar në problemet e paqes dhe, përgjithësisht, sulet i pari në çdo lojë a hall të Perëndimit dhe Amerikës. Përveçse ka pranuar symbyllur çfarë i kanë kërkuar, ai vazhdon të flasë lart e poshtë për afganët, për shqiptarët, për evropianët, për eskimezët… Ndërkaq, nuk ndihen pothuajse fare kryeministrat e një sërë vendeve ballkanike, vende të varfëra dhe me shumë problematika brenda përbrenda vetes. I dinë kapacitetet e tyre, e marrin me mend se çfarë trazimesh mund të vijnë nga kjo ‘zemërgjerësi prekëse’ dhe heshtin; së paku nuk janë kaq të përfshirë, kaq të interesuar, kaq aktivë, sa Kryeministri i Shqipërisë, aktualisht vendi më i varfër dhe më i trazuar (aferash korëuptive) në Ballkan. Edhe llomotitja është një detaj shumë i rëndësishëm i përfshirjes në këtë histori të Kryeministrit; sidomos, dëshira për krahasime me… shqiptarët e kohës së Socializmit. Një qasje pak a shumë të tillë e ka bërë në një rast para disa vitesh (por me Afrikën) edhe ish-Kryeministri tjetër, z. Sali Berisha, gjithaq aktiv dhe i përfshirë në afera të trishtuara. Janë me të vërtetë të shpifura dhe të padurueshme këto krahasime, nga njerëz që në atë kohë kanë gëzuar privilegje: njëri me gjysmën e familjes në organet më të larta të kohës (Byroja Politike, Kuvendi); tjetri me përfitime ekstreme nga ajo Shqipëri e varfër, specializime dhe punë të zgjedhura, përveçse në ‘Detyra Partie’ nga më të përkushtuarat. Edhe sikur të kesh parasysh vuajtjet e shumë njerëzve në ato vite, (për strehim dhe ushqim,) por edhe përndjekjen e rëndë ndaj shtresave të caktuara, prapë çalojnë krahasimet me afganët e viteve të sundimit taleban dhe afrikanët e çdo kohe… Pavarësisht përngjasimeve në disa pista, jeta e shqiptarëve në Socializëm ishte ajo që ishte: kishte punë, shkollim, sporte, kulturë; ashtu siç kishte edhe shtypje e përndjekje për shtresa të caktuara dhe (sidomos) në vitet e fundit, edhe probleme të rënda sa i takonte strehimit dhe furnizimit të popullatës me ushqime dhe mjete të tjera jetese. (Radhët për vajguri e për qumësht, etj. Përtej krahasimeve që nuk qëndrojnë, të dy politikanët më jetëgjatë të Tranzicionit, janë padyshim edhe shtiranjakët më të mëdhenj që janë parë ndonjëherë këtyre anëve. Po pse kaq aktiv Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, që të kthehemi sërish në temë… Të thuash se e ndjen dramën e afganëve dhe popujve të tjerë nën shtypje e pasiguri, kjo mund të qëndrojë disi. Ai është një nga ata intelektualë e artistë shqiptarë, që në të shkuarën kërkonin më shumë nga jeta dhe nga realiteti. Por ky arsyetim gjithsesi çalon disi. Le të themi që po sillet si një qeveritar i përgjegjshëm për rolin e çdo vendi evropian, perëndimor, në ekuilibrat botërorë. Në dukje, z. Rama e bën këtë. Por edhe ky arsyetim çalon pak. Çalon, sepse të kujton ndodhinë me atë mikun që kërkonte shumë, edhe pse nuk ishte i ftuar në sofër. Aktualisht, Shqipëria nuk është në BE; dhe SHBA e duan atë për interesat e tyre në rajon. Më në fund, kapacitetet e Shqipërisë janë të papërfillshme, një pikë uji në Perëndim; pse duhet trazuar ajo keq edhe më keq? (Kujtoni dramën e këtyre ditëve me Qytetin e Studentëve.) Çfarë ka përtej ‘humanizmit’ të Kryeministrit? Mbetet të themi që sjellja e z. Rama, ndryshe nga shumë drejtues shtetesh të tjera, është thjesht pak më shumë hipokrite dhe e shtirur. Dhe kjo, për disa arsye të ngatërruara me njëra-tjetrën. Vërtet që kështu duket sikur Kryeministri përpiqet të lançojë vendin e vet dhe të afrojë ditën e pranimit në BE. Vërtet duket sikur po bën çmos të forcojë edhe më tej aleancën me Perëndimin, në veçanti me SHBA. Por, në një ‘llogari’ të fundit, ai është po kaq i vendosur t’u shkojë deri në fund… ‘pazareve’ për të nënshtruar dhe shtyrë tutje kundërshtarët e tij politikë dhe, njëherësh, për t’ua hequr vëmendjen të huajve dhe shqiptarëve nga aferat e tij, të vjetra e të reja, si dhe për të shtuar aksionet e veta në politikë. Prandaj duket kaq… i interesuar dhe kaq zemërmadh. E sikur të gjitha këto të hidheshin poshtë, prapë një gjë mund ta themi me siguri; që në përqindjen më të madhe të kësaj sjelljeje e historie, ka shtirje…

 

 

box

Kryeministri hipokrit dhe i shtirur

 

Rama duket sikur po bën çmos të forcojë edhe më tej aleancën me Perëndimin, në veçanti me SHBA pwr tw justifikuar “pazaret”,  për të nënshtruar dhe shtyrë tutje kundërshtarët e tij politikë dhe, njëherësh, për t’ua hequr vëmendjen të huajve dhe shqiptarëve nga aferat e tij korruptive, të vjetra e të reja. Prandaj duket kaq… i interesuar dhe kaq zemërmadh.