Vangjush Saro: Ç’do thotë z. Rama në Glasgow?

182
Sigal

Ka një impenjim të dukshëm të mediave dhe rretheve politike e shoqërore në lidhje me Samitin për Ndryshimin e Klimës në Glasgow (Skoci). E prezantuar ndryshe si COP26, kjo është konferenca e 26-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës. Organizohet nag Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.Presidenti i SHBA Joe Biden, që më parë kishte marshuar në Romë për mbledhjen e G 20 me disa dhjetra makina, siç edhe pritej, foli për… rreziqe dhe emergjenca. (“Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.” J. V. Gëte) Kështu, në fasadë, liderët mendojnë se mund të frenohet emetimi i karbonit. Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, gjithashtu vazhdon të formulojë premtime për të kufizuar emetimet e naftës dhe gazit.

 

Kryeministri Rama, ka përcjellë në publik 20 foto, me mjetet e sofistikuara tw propagandws, ku shfaqet duke diskutuar, qeshur, duke u zënë për duarsh ose duke… u dhënë mend liderëve të tjerë… kur realiteti në Shqipwri flet për ndotje alarmante

Por në anën tjetër të Samitit, qëndrojnë të paftuarit apo ata që s’i gjetën dot ditët e para të mbledhjes, sikundër Ministrja Izraelite e Energjisë, Karine Elharrar, që për shkak të gjendjes shëndetësore lëviz në një karrige me rrota dhe… u harrua përjashta. “Është e trishtë, u shpreh ajo, që OKB-ja trumpeton me të madhe aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar, por ndërkohë nuk e pasqyron këtë as në vetë eventet e saj”. Një nga aktivistët e lëvizjes Për Mbrojtjen e Mjedisit, nga radhët e indigjenëve, u shpreh gjithë trishtim: “Ne nuk kemi më kohë.” (“Koha është, koha ishte, por koha nuk do të jetë më.” Xh. Xhojs) Aktivistja tjetër suedeze Greta Thunberg, në një protestë të organizuar në qytetin ku mbahet Samiti, gjithashtu u përpoq të përafronte qëndrimet e qytetarëve me këtë konferencë.

Duket sikur fjalët dhe inicialet e shumta, sikundër G 20, sikundër COP26, po shkërmoqen në sy të njerëzve. Dhe tullumbacet e premtimeve dhe nismave po shfryhen një nga një. Lidhjet midis politikës dhe korporatave janë një komedi, ku shumëkush, për çudi, nuk qesh, por qan. Në këtë rrëmet shfaqjesh, kritikash, premtimesh, është përfshirë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, i cili ka përcjellë në publik nja 20 foto, ku ai shfaqet duke diskutuar, duke qeshur, duke u zënë për duarsh ose duke… u dhënë mend liderëve të tjerë…

Por çfarë mund të thotë atje z. Rama? Nuk besoj se mund të flasë për Basenin e ndotur të Ishmit; për Vidhasin e Kurumin dhe për fabrikat e pastrimit të naftës apo ato të ferrokromit. Nuk mendoj se mund të guxojë të tregojë për nivelin e lartë të vdekjeve (në vendin e tij) për shkak të ndotjes së ajrit

Përtej ironisë, përtej fotove dhe propagandës së gjithanshme, falë edhe mjeteve të sofistikuara që përdorin sot drejtuesit politikë dhe këshilltarët e zëdhënësit e tyre, pyetja që shtrohet në këtë rast, është e thjeshtë: Çfarë mund të thotë atje z. Rama? Nuk besoj se mund të flasë për Basenin e ndotur të Ishmit; për Vidhasin e Kurumin dhe për fabrikat e pastrimit të naftës apo ato të ferrokromit. Aty e përqark qytetit ‘në kërthizë të Shqipërisë’, përmbajtja e grimcave PM 2.5 dhe PM 10 në ajrin urban rezulton mesatarisht 1.5-2 herë mbi normat e lejuara në vendet e BE. (Faktet i shpalosin edhe INSTAT, edhe Klubi Ekologjik i Elbasanit.) Banorët dhe vëzhguesit vendas thonë se shumica e fabrikave nuk përdorin filtra, sidomos gjatë orëve të natës, çka duket me sy të lirë nga niveli i tymrave në orët e para të mëngjesit.

Ndoshta Kryeministri mund të tregojë përvojën e mbjelljes së kullave anembanë, të cilit betoni dhe paratë e pista ia zunë frymën

Nuk mendoj gjithaq se z. Rama mund të flasë në Glasgow për Parqet Kombëtare, që kanë degraduar me gjithsej. Nuk mendoj se mund të guxojë të tregojë për nivelin e lartë të vdekjeve (në vendin e tij) për shkak të ndotjes së ajrit. E vështirë të flasë edhe për Golemin, ku sëra e ndërtimeve dhe katet e shtuara nuk numërohen dot. Ndoshta Kryeministri demagog i RSH mund të tregojë përvojën e mbjelljes së kullave anembanë kryeqytetit, të cilit betoni dhe paratë e pista ia zunë frymën. Sigurisht nuk është thjesht dhe vetëm faji a përgjegjësia e tij për këto pamje e fakte të rënda. Por në gati tre mandate të tij, të qeverive të tij, të Partisë së tij, gjithashtu ka pasur shumë bujë e shumë premtime; kurse realiteti flet me gjuhë tjetër. Më e pakta, në gjendjen alarmante të kryeqytetit të betonuar fillim-mbarim, përgjegjësia e tij është edhe vetjake, e ditur dhe e dukshme. (“S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe.” Hegel)Megjithatë… edhe fotot duhen. Janë kujtime.