“Treshi”, një nga misteret e Foinikes

819
Nga Halil SHABANI*
Kulturat e popujve të planetit tonë, nga Lindja në Perëndim, kanë qenë të shumëllojta dhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Por qysh në periudhat më të hershme të historisë së popujve në paleolit, neolit, tek popujt e Lindjes lindi më parë qytetërimi. Popujt e tjerë morën nga Lindja shumë elementë kulturorë dhe zbulime. Aq më tepër këto huazime u shtuan edhe në periudhën e paganizmit. Kur lindën perënditë edhe ato i morën dhe shumë popuj iu ndryshuan edhe emrat. Për këto periudha më të lashta, historianë, studiues, filozofë dhe udhëtarë nga ata më në zë, kanë lënë mendimet e tyre si Herodoti, Tukiditi, Ptolomeu, Virgjili, Plutarku, Straboni, Aristoteli, dhe shumë e shumë të tjerë. Përveç zhvillimit të jetës qytetare, degëve të ekonomisë, luftërave, mureve mbrojtëse të qyteteve dhe kulturës materiale, ata na kanë lënë edhe shënime mbi besimet, perënditë, traditat e zakonet e popujve. Në vargun e shumë ndryshimeve të zhvillimit ekonomik, kulturave e besimeve, ata na vënë në dukje edhe ndonjë element të përbashkët të popujve edhe pse ata shtriheshin me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Një ndër qytetet më të zhvilluara të Epirit dhe kryeqytet i këtij shteti , ishte Foinike. Polibi e ka cilësuar:”Foinike është qyteti më i fortifikuar, më i fuqishëm…dhe më i pasur ndërmjet qyteteve të Epirit…”shek. III, p. Krishtit). Por Foinike, mbështetur në burimet e shumta të botës antike, si dhe në zbulimet arkeologjike të cilat janë dendësuar pas vitit 2001, jo vetëm rezulton si i tillë, por kanë dalë edhe dëshmi të reja të kulturës. Përveç kulturës materiale që i përket qytetërimeve greke, romake dhe iliro-epiriote, ndër dëshmitë e tjera, është edhe adhurimi numrit “TRE”. Ai shfaqet sidomos në ndërtime, zakone e tradita të trashëguara deri në kulte. Kështu, qytetet në Epir ndërtoheshin të grupuara tre e nga tre pranë e pranë, si Foinike-Butrinti-Thelikranosi dhe më në jug: Çuka e Ajtoit (Pergami)-Veronike-Malçani e shumë grupime të tjera qytetesh tre e nga tre. Tempujt ndërtoheshin mbi bazën e tre shkallareve, ujët e pijshëm në puse a sterra (depozita) në këto qytete qenë të grupuara tre e nga tre. Edhe Perënditë më të adhuruara në Foinike ishin tre: Artemisa, Kroni dhe Pani. Palmat “Feniks” që mendohet se i kanë dhënë emrin Foinikes, qenë mbjellë të grupuara tre e nga tre. Ndërsa nga burimet e shkruara na vijnë të dhëna se numri tre adhurohej, apo ishte shndërruar në i shenjtë, më parë nga qytetërimi i kulturës së antikitetit epirot qysh në besimin pagan. Atje shtroheshin bankete(festa) me rastin e vjeljes së rrushit, të korrjes së elbit etj. Orakulli, prifti, dilte në krye të turmës së banorve të grumbulluar dhe tregonte: se si vijnë hijet e zgjuara nga gjumi i vdekjes dhe si marrin pjesë në këto bankete. Një nga këto burime të shkruara citon:”Këto festa të vjeljes së rrushit i festonin më parë pellazgët, etruskët dhe romakët(më 19 gusht). Njerëzit shtroheshin për të siguruar begati e pjellori. Fjala e tyre që përsëritet shumë herë , është fjala “Vilë”, si “Vile! Vile rrushin! Thirr hijet e etërve tri herë me radhë!/ Në banketin e trimave të fuqishëm e fisnikë!/ Thirr hijet e etërve tri herë me radhë!/ Në banketin e hyjnive fisnike! Thirr hijet e etërve tri herë me radhë! Në banketin e pjellorisë së vjeljes së rrushit!/ Të shtimit dhe të stinëve! Thirr hijet e trimave tri herë me rradhë!”. Në këtë mënyrë numri “TRE”, jo vetëm u shndërrua si një numër i adhuruar e i shenjtë, por edhe ishte për banorët mbarësi, pllenim dhe shtim të produkteve bujqësore. Nuk është aspak e rastit që”tre herë…”është trashëguar në shumë tradita e zakone deri në ditët e sotme si” ditën e dasmës dhëndri e nusja vijnë rrotull tri herë rreth qendrës së fshatit të tyre…në besimet fetare ritet kryhen tri herë etj”. Po në kulturat e popujve të tjerë a ka pasur adhurim të numrit “TRE”?! Ndër qytetërimet më të lashta vërejmë se: Piramidat e Gizës në kulturën e lashtë egjyptjane, qenë ndërtuar tre pranë njëra-tjetrës, sipas pozicionit të trupave qiellor. Në tempullin kryesor të inkasve në Maçu-Picu, si shkallare janë ndërtuar tre radhë, banorët inkas besonin në tre jetë: tokësore, jetën në qiell dhe atë pas vdekjes. Bile edhe sot në magjistratët e Perusë, ilaçet që shërojnë të sëmurët i rrotullojnë tre herë mbi kokat e tyre. Tempulli i partekonës në akropolin e Athinës, është ndërtuar mbi bazën e tre shkallareve…” Këto qytetërime janë ndër më të lashtat e më të zhvilluara në botë. Atëherë me të drejtë shtrojmë pyetjen: Banorët e parë të Foinikes, mos vallë janë frymëzuar nga një qytetërim më i lashtë se ai që është zbuluar në akropolin e tij?!Gjetjet tregojnë se banorët e Foinikes e njihnin në mënyrë të habitshme astronominë . Në besimin pagan të tyre kanë zënë vend perënditë e Artemisit, Panit, Kronit, Afërditës, Erosit, Dionisit etj. Nuk e teprojmë të besojmë se parapëlqimi i numrit “TRE” nga banorët e Foinikes është pasojë e njohjes së saktë të astronomisë. Ato mbështeten edhe në ritet e legjendat që kanë arritur deri më sot. Emri më i përhapur ndër femrat e këtij qyteti , ishte ai i Maries:”Herë –herë si nëntë mijë Mara,/ Herë-herë si nëntë mijë varka…”Mos vallë këtu kemi të bëjmë me një shumëfish të numrit tre të hiperbolizuar?! Edhe ritet, zakonet, legjendat dhe këngët e fragmentuara që kanë arritur deri në ditët e sotme, mbartin elementë të vërtetë të qytetërimit të Foinikes. Ndoshta jemi ende herët, kur deri tani është zbuluar vetëm maja e ajsbergut për Foiniken(një pjesë e akropolit është zbuluar). Foinike nuk është ai që duket deri sot! Foinike mbetet një enigmë e sofistikuar e një bote të tejlashtë. Vetëm gërmimet e arkeologjike të shumta, në lidhje të ngushtë me shkencat e tjera në të ardhmen, do të mund të zbulojnë madhështinë e kësaj kryeqendre të Epirit,…selinë e mbretit Pirro legjendar. 
*Shkrimtar, studiues, historian, arkeolog, publicist
Sigal