Të reformohet mënyra e fitimit të gradave në Policinë e Shtetit

1321
Sigal

Adriatik AGO

Vendimmarrja e ditëve të fundit mbi anullimin e konkurrimit për fitimin e gradës policore “Komisar”, tregoi seriozitet, përgjegjshmëri dhe reagim të shpejtë nga ana e titullarit të Policisë së Shtetit ndaj konstatimeve për disa parregullsi apo shkelje të urdhrave që ndërmerren në raste të tilla. Por krahas saj, kjo situatë e krijuar flet dhe për faktin se diçka nuk funksionon në skemën aktuale mbi fitimin e gradave policore. Parregullsitë, të cilat mund të jenë të karakterit organizativ, pse jo dhe korruptiv, janë në të drejtën e autoritetit për t’i analizuar dhe për të mbajtur qëndrim. Kjo tashme është bërë e njohur publikisht dhe strukturat e caktuara po kryejnë hetime, përgjegjësitë e të cilave patjetër që do të klasifikohen disiplinore, administrative apo penale. Objekti i këtij shkrimi nuk do të jetë ky shqetësim, por nisur nga ky rast pse jo dhe raste të tjera të konstatuara ndër vite, duam të analizojmë kompozimin ligjor mbi mënyrën e fitimit të gradave policore. Historikisht, që nga viti 1991, ligjet organike të policisë kanë pasur skemën e tyre për fitimin e gradave, por shqetësimin më të madhe mbi këtë problem e nxori ligji i vitit 2007, ku sanksionoi se mënyra kryesore e fitimit të saj është nëpërmjet konkurrimit (me përjashtim të gradave të larta), duke ndryshuar konceptin e mëparshëm, qe përveç konkurrimit ishte dhe marrja e gradës nëpërmjet emërimit. Ligji i vitit 2007, krahas anëve pozitive, i solli organizatës se policisë, dëme të konsiderueshme duke krijuar precedent për dy probleme.

E para, lidhet me rekrutimet, ku nëpërmjet njohjes dhe barazimit të arsimimit, kryesisht arsimi ushtarak/civil me atë policor, u rekrutuan shumë individë që nuk kishin arsimin policor duke filluar punë sidomos në nivele drejtuese.

E dyta, në momentin e implementimit u njoh si indikator, koha e qëndrimit në detyrë, pavarësisht funksionit që kryhej konkretisht, polic apo oficer (ish-ndarja kryesore midis rolit bazë dhe oficerit te policisë), e cila pasi u vlerësua si vjetërsi, shërbeu në llogaritjen e afateve për dhënien e gradës policore. Produkti që erdhi, një sekretare me vjetërsi 10 vjet, u përkthye në dhënien e gradës N/komisare, ose në thelb oficere policie. Kjo ish-sekretare, u emërua në funksionin e inspektores së krimeve, ose komandante në rend, kufi, pasi ndriçonte grada në supet e saj, edhe pse ajo nuk kishte arsimin klasik policor për këtë funksion. Ose, benefici tjetër ishte që, në momentin e implementimit, punonjësit do të merrnin gradën e vendit të punës. Kjo beri që disa muaj, javë ose ditë përpara kësaj faze, të bëheshin emërime në detyra të larta, dhe pse nuk kishin kriterin e duhur, me qëllimin e vetëm që kur të shpallej implementimi i ligjit, grada policore t’i gjente në detyrën e re. Kjo solli infiltrimet e personave të caktuar në detyra të larta policore. Nga ky koncept morën grada policore një mori njerëzish me lopatë duke kapërcyer rolet që kishin më parë. Mrekulli ishte dhe fakti se, përfitimet e gradave nga faza e implementimit nuk do te përsëriteshin në të ardhmen, Pas kësaj, do të fillonte skema e konkurrimit. Janë me dhjetëra punonjës në grada të larta që kanë përfituar nga skema e implementimit të ligjit 2007 dhe nuk i janë nënshtruar konkurrimit. Pra, është e hapur shkelja e barazisë juridike në rastin konkret. Pasoja ishte, se u rreshtuan në funksionet e rolit të oficerit të policisë, individët qe morën gradat dhe nuk kishin arsimin e duhur. Një gjë e tillë u ndje në gjithë strukturën hierarkike të policisë nga qendra në bazë, por më tepër u ndje ne vijën e parë të hetimit apo të kontrollit të territorit, ku në funksionin e OPGJ-se, apo të inspektorit të krimeve, të rendit, kufirit etj, po punonin ish-punonjësit e policisë që më parë kryenin detyrën në rolin bazë. Sipas kësaj skeme për të mbuluar boshllëkun e krijuar në arsimim, u argumentua se kursi i kryer për fitimin e gradës është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për arsim të lartë policor. Kjo periudhë përkon dhe me faktin e mbylljes së Akademisë së Policisë, dhe njohurit merreshin nëpërmjet kurseve, ku çdo gjë bëhej, vetëm shkollë nuk kryhej. Nga kjo doktrinë u krijua bindja se grada është mbi çdo gjë, dhe po e more atë, ia hodhe, ke fituar detyrën, funksionin, ke perspektivë në karrierë, ndërkohë që asnjeri nuk tregonte interes për arsim e shkollim. Precedenti i krijuar, se grada policore prevalon mbi funksionin, u shoqërua dhe nga e gjithë paketa e akteve nënligjore të nxjerra mbi bazën e ligjit në fuqi. Kjo paketë aktesh mbështeti këtë qëellim jo vetëm në tabelën e pagave, por kryesore në ndërtimin e strukturave, organigramave, përshkrimeve të posteve të punës etj. Prevalimi i gradës mbi funksionin, çorientoi burimet njerëzore, duke emëruar njerëz në struktura që nuk kishin, as arsim, as kualifikimin e duhur, pasi argumenti i individit ishte, unë fitova gradën, tani dua funksionin që është shpallur vakant. Gabimet e bëra që fatkeqësisht vazhdojnë dhe sot, janë aq të shumta sa në jetën e përditshme policore tregohen dhe si anektoda apo ilustrojnë analizat që bëhen rëndom në këto raste. P.sh., fiton gradën një që është rekrutuar nga ushtria ose ka punuar në strukturat e ndërhyrjes së shpejte etj., dhe për shkak të saj, emërohet të punojë neë funksione hetimore apo të punës me informacionin policor. Fiton gradën dhe emërohet ku janë vendet vakant pa marrë parasysh CV e tij, arsimin bazë, kualifikimet, për pasojë punon në Interpol, Europol, polici shkencore, OPGJ, në strukturat e veçanta, të luftës kundër drogës, trafiqeve, terrorit, etj., mjaft që të ketë përputhje vendi i punës me gradën. Kjo çoi ne përzierje kaotike të burimeve njerëzore, u krijua klima dhe bindja, se me çdo çmim duhet të merret grada, se përndryshe të rrezikohet vendi i punës. Vullneti i autoriteteve të asaj periudhe, tregoi qartë, se skema e dhënies së gradave midis të tjerave, do të shërbente për futjen në polici edhe të njerëzve nga radhët e klientelizmit partiak apo të infiltrimit të individëve të caktuar. Grada mban peng funksionin, ata që kishin frikë nga arsimi ,sepse e shikonin si pengesë ligjore, e mbyllën atë dhe shpikën teorinë e kurseve ku, mbizotëronte arbitrariteti, formalizmi dhe mungesa e dëshirës për të nxënë. Po ligji i policisë Nr 108/2014, çfarë doktrine përcolli, bëri ndonjë ndryshim, në raport me skemën e fitimit të gradës? Çuditërisht, dhe pse gjendja e mbartur u njoh mirë, pasi u kryhen disa analiza nga aktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë, shifrat dhe faktet ishin të bollshme për reformim e kësaj skeme, doktrina nuk ndryshoi, ajo si duket lezetoi emërimet e reja që u bënë mbas rokadës politike, Qershor 2013 dhe sanksionoi, se e vetmja mënyrë për fitimin e gradës policore është konkurrimi duke mbyllur dhe portën e dytë të rekrutimeve në polici dhe, duke lënë të drejtën e konkurrimit vetëm për punonjësit e policisë që janë rekrutuar në Kolegjin Policor. Kjo u propagandua si risi dhe u përcoll si masë reformatore. Kompozimi i gradave dhe hierarkisë sipas këtij ligji, të krijon përshtypjen se ruhet sistemi i vlerave, se i jepet përparësi meritokracisë, se merren në konsiderate arsimi bazë, kualifikimet, rezultatet e punës, eksperienca, vjetërsia apo përpjekjet e njerëzve për të rritur perfomancen e tyre, në thelb nuk është gjë tjetër, vetëm vazhdim i frymës së mëparshme, pse jo dhe keqësim i saj. Emërimet në poste të larta në cenim të kritereve, dhënia e disa gradave për një afat te shkurtër, lejimi i fitimit të gradës nëpërmjet proceseve gjyqësore duke shfrytëzuar më parë emërimet, janë gabime të njëjta me të shkuarën por në forma të ndryshme. Janë ana e kundërt e të njëjtës medalje. Ende vazhdon fryma, se karriera mbahet nëpërmjet gradës. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet uria e madhe për ta marre atë. Kjo uri solli në mos respektim apo shkelje të urdhrave në rastin e fundit. Strukturat e burimeve njerëzore nuk kanë politika për ndjekjen me afate të caktuara të ecurisë në gradë të punonjësit.

Shifrat e fryra për vende bosh dhe numri i madh i aplikantëve tregon për skemë jo racionale, por për ndjekje me hope, me faza dhe me kosto të mëdha. Pse duhet lënë disa funksione të rolit të parë drejtues, (Komisar, Kryekomisar) për një kohë të gjatë bosh, dhe pastaj të turren si “turqit në luftë” për të marrë gradën. Në këtë taban krijohet dhe paqartësi, mungesë besimi ndaj skemës, flitet lartë e poshtë për korrupsion, bëhen përpjekje për të gjetur lidhje që kanë ndikim në kohën e konkurrimit etj. Pra, të gjitha këto boshllëqe, apo premisa për të cenuar vlerat reale të punonjësve i lejon skema e fitimit të gradës, e cila po t’i shtosh dhe subjektivitetin në kohën e veprimeve teknike si; banka e pyetjeve, hartimi i testeve, formulimi i çelësit, e të tjera veprime të kësaj natyre, skema e ofruar nga ligji është në cenim të doktrinës për ecurinë në karrierë. Problemi është, a duhet të vazhdohet në këtë mënyrë? Jam shprehur dhe në kohën e hartimit të projektligjit të fundit se për të evituar pasojat e krijuara ndër vite, do të ishte që në interes të reformimit të përformancen së organizatës së policisë, të behej -një pushim dy/tre vjeçar-, duke bllokuar dhënien e gradëve dhe, me masa të qarta, të sakta të rishikohen vlerat reale të çdo punonjësi policie, mbështetur në të dhënat e dosjes personale si dhe treguesit e punës për funksionin që mban. Me pas, duke ndërhyrë ne ligj, të rregulloheshin të metat e skemës për fitimin e gradës si dhe disa indikatorë që lidhen me të, si ulja apo ruajtja e gradës, por njëkohësisht dhe e drejta e rekrutimeve për në arsimin e lartë policor edhe nga jeta civile. Doktrina kryesore të jetë fitimi i saj, krahas konkurrimit dhe nëpërmjet emërimeve. Duhet të çrrenjoset ideja, se gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë, Jo, pozitën që ka punonjësi në hierarki e shpreh funksioni. Ka punonjës që fshihen nën petkun e gradës dhe çuditërisht janë ata punonjës me karakter të dyzuar, të pa aftë, të pa arsimuar, parazitë, hipokritë, teknokratë qoftë dhe të korruptuar. Aktualisht ka disa vende anëtare të BE-së, që kanë modele të ndryshme për fitimin e gradave në polici. E rëndësishme është të kuptohet doktrina sipas së cilës, grada nuk duhet të prevaloi mbi funksionin, ajo nuk duhet ta marrë peng atë. Baza e vlerave reale të gjykimit të punonjësit të policisë, të jetë arsimi, kualifikimi, specializimi dhe detyra konkrete. Ecuria në karrierë të bëhet nga këta indikatorë. Grada policore të mos konsiderohet si faktor kyç, ajo të fitohet dhe të shërbeje si element i përformances individuale, por jo të kushtëzoje ndërtimin, strukturor, organizativ apo të organigramave për funksionet. Të mirëkuptohet roli ndihmes i Akademisë së Sigurisë në fitimin e gradave, dhe nuk duhet të ngatërrohet vendi i zhvillimit të konkurrimeve me strukturën përgjegjëse në procesin e fitimit të gradës. Ajo nuk duhet të hartojë në sistemin bachelor kurikula për gradë, por për funksion. Është e pakuptimte koncepti, kur shpallet njoftimi për fitimin e gradës N/komisar, sistemi bachelor. Te gjithë arsimet e larta diplomojnë specialistë të fushave sipas objektit, mjek, inxhinier, ekonomist, jurist, arsimi ynë i lartë policor nxjerr nen/komisar dhe jo specialist policie. Sa e dhimbshme aq dhe për të qeshur. Dhënia e gradës policore, me përjashtim të gradave te larta, është e drejtë ekskluzive e autoritetit të Policisë së Shtetit dhe e askujt tjetër. Burimet njerëzore të jenë lider në gjithë procesin e dhënies së gradave, pavarësisht nga skema që aplikohet dhe jo të delegojë veprimet në stafin e Akademisë së Sigurisë. Mbroj idenë se ka ardhur koha e fitimit të gradës në konkurrimet brenda strukturave, ku në respekt të specifikave që ato kanë të hartohen banka e pyetjeve me literaturë profesionale, krahas asaj me karakter përgjithësues dhe formues. Kjo do të rrisë egon pozitive, konkurrencën dhe cilësinë e shërbimeve policore. Menaxhimi, respektimi i hierarkisë, disiplina, etika, raporti dhe ruajtja e ekuilibrit epror/ vartës e deri tek realizimi i misionit apo detyrave për çdo post pune, nuk duhet të arrihen për shkak të gradave, por për shkak të ushtrimit të funksionit, të përgjegjësive ligjore dhe të rreshtimit të organizatës nga i pari tek i fundit sipas vlerave profesionale të punonjësve, e materializuar kjo në skemat konkrete strukturore te Policisë së Shtetit. Dhënia e gradës të mos bëhet qëllim në vetvete, pasi kjo ide ka dëmtuar rëndë cilësinë e shërbimeve policore, dhe pa kuptuar ndër vite është dëmtuar imazhi i arsimit policor, si çelësi i arritjes së çdo përformance me standardet që kërkohen, aq më tepër kur e gjithë administrata publike është përfshirë në realizimin e detyrave që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit të vendit në BE.