Spiunët që po ngatërrojnë fqinjët

620
Sigal

Çlirim Hoxha

 

Të bësh sot spiunin kundra Shqipërisë në favor të fqinjit jugor, kjo nuk është ndonjë gjë e pa ndodhur më parë, por kaq hapur dhe kaq brutalisht këtë nuk e kishim dëgjuar. Ka ditë që në medie të ndryshme greke, në mediet sociale këtej dhe andej gjithashtu ka shpërthyer një histeri fqinjësh të nxehur, kokat e të cilëve duhen futur në detin e miqësisë që të ftohen. Shkak për këtë u bënë postimet apo fjalimet e Kryeministrit Rama, i cili, si rrallë ndonjë politikan shqiptar i këtyre 25 viteve të fundit, po guxon të çajë perden e errët që ekziston në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke tentuar të zgjidhë të pazgjidhshmen, nyjën Gordiane që mban të tensionuar marrëdhëniet shqiptaro-greke prej 70 e ca vjetësh. Ata që e kanë lidhur këtë nyje gordiane shqiptaro-greke e kanë lidhur qëllimisht që ajo të mos zgjidhet dot nga askush. Mirëpo, vjen një ditë, që del dikush dhe kërkon, që t’i japë fund nyjës së koklavitur shqiptaro-greke dhe ky është Kryeministri Rama. Ashtu si Aleksandri i Madh që, kur e pa se nyja gordiane nuk zgjidhej dot, nxori shpatën dhe e preu, ashtu edhe Kryeministri Rama po kërkon ta presë këtë nyje duke çliruar dhe shtensionuar problemet e mbartura midis fqinjëve të të njëjtës racë pellazgo-ilire-shqiptaro-greke. Po ta shohim në planin perspektiv, Rama është krejt normal dhe kërkon t’i japë zgjidhje problemeve të pazgjidhshme, duke u thënë grekëve, “zbuloni rrogozin”. Zbuloni rrogozin, se është kalbur nga krimbat dhe duhet pastruar përmes dritës së diellit që ngroh dhe ndriçon të dy popujt tanë. Kjo gjë është e vështirë, por jo e pamundur dhe tani topi ndodhet në fushën e grekëve. A do të dinë ata ta shtendosin situatën dhe të forcojnë akoma më shumë miqësinë midis të dy popujve tanë apo do vazhdojnë të rrinë shtrirë mbi rrogozin e kalbur të së kaluarës problematike?! Rama u ka shtrirë grekëve dorën e miqësisë dhe mirëkuptimit dhe i fton që të ulemi si fqinjë dhe t’u japim zgjidhjeve problemeve të trashëguara, për të ecur bashkë përpara. Nuk ka probleme të pazgjidhshme sot në botë, në qoftë se ekziston vullneti i mirë. Këtu nuk është puna për të sfiduar njëri-tjetrin duke mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta, nga frika se mos humbasim pikë përpara popujve tanë apo të bëjmë nacionalistin e sëmurë që të jemi në rregull me nacionalistët e sëmurë që kemi në radhët tona. Jo! Shqiptarët dhe grekët kanë ecur së bashku në histori, kush më herët e kush më vonë, ata janë sot pjesë e një gadishulli që nuk mund të rikonfigurohet përmes nacionalizmave, por mund të pajtohet përmes miqësisë dhe mirëkuptimit reciprok. Por janë disa që nuk e duan miqësinë midis popujve grek dhe shqiptar, që duan me çdo kusht të tregojnë supermacinë ekonomike dhe ushtarake, siç bëri ditë më parë Ministri i Jashtëm i Greqisë, zoti Kotzias. Janë disa politikanë nacionalistë në Greqi që fryhen përpara ekraneve dhe kërcasin dhëmbët ndaj fqinjit të tyre paqësor, që nuk luftojnë si fqinjë të mirë për të hequr, madje zhdukur nga analet e historisë së marrëdhënieve dypalëshe ligjin famëkeq të luftës, që ka mbetur aty si gozhda e Nastradinit, në të cilën varin xhaketat politikanët grekë sa herë ua do puna. Politika greke e mashtruar dhe e pa informuar mirë nga spiunët e saj në Shqipëri, hidhet përpjetë sa herë ka ndonjë problem shqiptar në Himarë, duke futur hundët në punët e brendshme të shtetit shqiptar, çka është e papranueshme për çdo logjikë demokratike. Nuk do të thotë asgjë, nëse në Himarë flasin greqisht, nëse në Vlorë flasin edhe italisht e kështu me radhë, por të thuash që në Himarë ka minoritarë është njësoj si të thuash se, në Hënë u poqën bananet?! Aaaa, se desh harrova. A ka himarjotë që duan të ndihen grek, që hiqen si grek, që flasin dhe shajnë si grek, që marrin pensione greke, që spiunojnë në favor të Greqisë, që zhgarravitin në pllakat e varrit në gjuhën greke? Padyshim që ka dhe këtë e di e gjithë bota, por këta nuk janë minoritarë dhe nuk mund të quhen minoritarë, sepse kanë lindur në Himarën shqiptare dhe nuk kanë ardhur në Himarë nga Greqia dhe janë vendosur aty në rrethana të caktuara historike, si për shembull dropullitët. Kryeministri Rama foli hapur dhe e ftoi edhe një herë Greqinë fqinje, që së bashku të zgjidhin problemet e mbartura pa pasur frikë nga e vërteta. Foli Rama, por foli edhe Dulja, i cili është spiun, por nuk di të spiunojë, por të ngatërrojë. Dulja harron se ekonomia shqiptare dhe greke janë tashmë të lidhura me njëra-tjetrën dhe askujt nuk i intereson të nxisë përplasje të panevojshme mes palëve. T’u tregosh fqinjëve disa të vërteta historike, të cilat nuk janë shpikje shqiptare, por të autorëve, historianëve, gjuhëtarëve, arkeologëve dhe antropologëve të botës, kjo nuk do të thotë, se i ke treguar babait arat. Në këtë rast babai, pra politika greke ose nuk i di ose i di të fabrikuara në kurriz të shqiptarëve. Profesori i studimeve ballkanike dhe atyre lindore në Universitetin “Maqedonia”, Konstandino Çieliqi, duke folur kohë më parë në CCN grek në lidhje me gjenocidin në Çamëri, thotë se: “Shkaqet e këtij gjenocidi nisin në vitin 1913, kur Epiri kaloi nënë sovranitetin e Greqisë”. Po ashtu ai përmend si shkak tjetër edhe “Traktatin e Lozanës”, i cili përcaktoi këmbimin e popullsisë, i cili do të sillte edhe “ankimimet e drejta”, sipas tij, që janë njohur edhe nga Elefterio Venizelio në vitet 1925-1926. Pikërisht këtu u deformua e vërteta historike. Padrejtësitë e 1913-s, si dhe handikapi i Traktatit të Lozanës do rrisnin zemërimin dhe armiqësinë në Shqipërinë e Poshtme dhe kjo armiqësi do vazhdonte deri në ndodhitë e gjenocidit të çmendur të grekëve të Zervës ndaj popullsisë të pa mbrojtur çame. Ndërkaq preteksti grek për bashkëpunëtorët e nazizmit dhe mbajtja e ligjit të luftës, nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra që u artikuluan në kuzhinat e nacionalizmit ekstrem, i cili nuk pyeti as për gratë dhe fëmijët çam, por i kaloi të gjithë në satër. Këto fantazma vijnë nga një epokë e kaluar, ku edhe Evropa plakë e ka paguar shtrenjtë këtë brutalitet mes luftërave botërore. Por Profesori Konstandino Çiçeliqi e pranon gjenocidin grek kundër popullsisë çame dhe kërkon që Greqia të hyjë në diskutime e t’i japë një zgjidhje kësaj çështje duke e mbyllur atë, sepse sa më shumë ta fshehin nën rrogoz, aq më shumë e nxjerrin përpara syve të botës.