Ilir Meta: LSI, rol kyç për realizimin e shumë reformave në vend

479
Sigal

 

 Kryetari i LSI-së,
z. Ilir Meta, mori pjesë në një takim me banorë të Beratit, ku iu dhanë kartat
edhe 600 anëtarëve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Të pranishëm në
këtë takim ishin edhe N/Kryetarja e LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj, deputetët znj.
Silva Caka dhe z. Gledion Rehovica, Kryetarja e KDK-së së LSI-së, znj. Erisa
Xhixho, anëtari i Kryesisë së LSI-së, z. Nasip Naço, Kryetarja e LRI-së, znj.
Floida Kërpaçi, Kryetari i Bashkisë Berat, z. Petrit Sinaj, Kryetari i Bashkisë
Kuçovë, z. Selfo Kapllani, etj. 

Në fjalën e mbajtur
gjatë këtij takimi, që u zhvillua në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit për
Kryetarin e LSI-së, z. Ilir Meta vlerësoi rolin e Lëvizjes Socialiste për
Integrim në realizimin e reformave më madhore të vendit, që do të bëjnë të
mundur çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.  

“Ne presim javën e
ardhshme një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen negociatave
midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Padyshim që roli i Lëvizjes Socialiste
për Integrim ka qenë kyç për realizimin e shumë reforma në vend dhe në mënyrë
të veçantë për arritjen e konsensusit për reformën kryesore, atë të drejtësisë.
Sepse vetëm përmes bashkëpunimit për çështjet më të mëdha që i interesojnë të
ardhmes afatgjatë të vendit dhe qytetarëve tanë, ne do të arrijmë të plotësojmë
të gjitha ato standarde që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian, por që
kërkon edhe përmirësimi i vazhdueshëm i standardeve të jetesës së qytetarëve
tanë”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Gjithashtu, z. Ilir
Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të kërkojë shumë më tepër
nga vetja në mënyrë që t’i shërbejë më mirë Shqipërisë dhe të gjithë atyre që
besojnë tek kjo lëvizje. Sipas z. Meta, hapja e LSI-së është një kontribut
shumë i rëndësishëm për forcimin e saj, ashtu sikurse demokratizimi i mëtejshëm
i vetë LSI-së e ndihmon atë që të bëhet akoma më e fortë.

“Një LSI më e fortë
do të thotë një Shqipëri më e qetë, më e stabilizuar dhe më e sigurt në rrugën
e integrimit evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Ndaj rritja e LSI ,
fuqizimi i saj, ruajtja e vlerave që kjo forcë politike ka sjellë dhe për të
cilat qëndron në jetën politike të vendit është një shërbim në radhë të parë
ndaj vendit, – deklaroi z. Meta. – LSI do të kërkojë shumë më tepër nga vetja në
mënyrë që t’i shërbejë më mire Shqipërisë dhe të gjithë atyre që besojnë tek
kjo lëvizje. LSI gjithmonë gjen fuqinë për të reflektuar dhe për të përmirësuar
vetveten. Dhe kjo është një nga avantazhet më të mëdha të saj në raport me
forcat e tjera politike që shkëputen nga realiteti”.


Nënkryetarja e
Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj tha në fjalën e saj se
zgjedhjet brenda strukturave të LSI-së janë një mundësi e mirë për të afruar
edhe më shumë njerëz të dijes brenda strukturave drejtuese të partisë.


“Është shumë e
nevojshme që në politikë të angazhohen të rinjtë, është shumë e nevojshme që në
politikë të angazhohen gratë, por mbi të gjitha është e nevojshme që në
politikë të angazhohen intelektualët, njerëz të dijes, njerëz të arsimit të cilët
kanë fjalë të ndryshme për t’i thënë politikës përtej asaj që ne bëjmë
aktualisht. Në këtë kuadër mendojmë se në zgjedhjet e datës 6 nëntor, por në të
njëjtën kohë edhe Konventa Kombëtare që do të mbahet në dhjetor, do të na
shërbejë për t’u hapur ndaj faktorëve të cilët duhet të sjellin risi në LSI.
Sepse këto zgjedhje brenda LSI-në në të vërtet janë zgjedhje për Shqipërinë,
për shqiptarët dhe për të ardhmen tonë”,- theksoi Nënkryetarja e LSI-së, znj.
Kejdi Mehmetaj.


Deputetja e LSI-së
për qarkun Beratit, znj. Silva Caka theksoi në fjalën e saj se e anëtarësia e
Lëvizjes Socialiste për Integrim duhet të votojë në datën 6 nëntor për
kandidatët që përfaqësojnë interesin e qytetarëve.


“Do të doja që të
shkonit ditën e diel t’i drejtoheni kutive të votimit, duke patur vetëm një gjë
në mendjen tuaj, që të votoni atë kandidaturë dhe ata delegatë që do të
përfaqësojnë më së miri interesin tuaj”,- tha deputetja Caka.


Kryetarja e
Këshillit Drejtues Kombëtar, znj. Erisa Xhixho theksoi në fjalën e saj përpara
anëtarësisë së LSI-së në Berat e Shqipëria ka nevojë për një parti politike që
përfaqëson interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e vendit duke shtuar se: “Ne
kemi nevojë për një parti dhe një politikë shumë më konstruktive e cila mendon
mbi të gjitha për të ardhmen e vendit. Jam bërë shumë krenare për qëndrimin e
LSI për një nga reformat më të dëshiruara nga shqiptarët që ishte reforma për
drejtësi. Një qëndrim shumë konstruktiv për miratimin me konsensus të kësaj
reforme, larg konfliktualitetit që na ka lënë pas këto 25 vite”.

Kryetarja e
Lëvizjes Rinore për Integrim, znj. Floida Kërpaçi u shpreh në fjalën e saj se
Berati është nga ato qarqe që anëtarësia e LSI-së rritet çdo ditë.

“Ka një gjë që
rritet në Berat në çdo stinë të vitit dhe ajo është mbështetja për LSI-në,
anëtarësimi i qytetarëve të Beratit në familjen tonë të madhe dhe siç është
angazhimi jonë si LSI për t’i ndihmuar, për t’i krijuar qytetarëve, të rinjtë e
Beratit në çdo stinë, kohë, ditë të vitit. Por ajo gjë që rritet dhe kamë ndier
unë këtu në qytetin e Beratit ka qenë energjia e të gjithë të rinjve që janë të
angazhuar me LRI-në, të pa lodhur, vizionar dhe ëndrrat, shpresat dhe pasionin
e tyre e kanë besuar tek LSI”, – pohoi kryetarja e LRI-së.