Flet Prof. Lush Susaj: Universitetet tona kanë nevojë për demokraci, studentët tanë janë më të varfërit dhe të harruarit në rajon dhe Europën, ku aspirojmë të bëhemi pjesë. Në Itali studentët flejnë në konvikte falas, këtu zhvaten nga qiratë e larta të banesave
– Universitetet tona sot kanë nevojë për demokraci, e jo për autokraci.
– Në universitetet e Shqipërisë, krahasuar me vitet 2013-2014, studiojnë rreth pesë mijë studentë më pak.
- Studentët janë zemra e universiteteve, stop margjinalizimit të tyre.
- Sipas anketës së ditëve të fundit, rezulton që studentët e Shqipërisë janë më të varfërit në rajon dhe Europë,
- Madje edhe më të varfër, më të harruar e më të margjinalizuar se sa studentët e Gjeorgjisë.
- Edhe pas protestës studentore të viteve 2018-2019, kjo harresë dhe varfëri e skajshme e rinisë shkollore e studentore, është rritur.
-Studentët në Itali, flejnë në konvikte falas, ndërsa në Shqipërinë e varfër, familjet e studentëve paguajnë nga 250-300 euro/muaj për qiratë e banesave.
-Në Kosovë dhe rajon janë hequr edhe tarifat e studimeve të nivelit të parë, si dhe janë ulur me 60-70% tarifat e studimeve të nivelit të dytë.
- – Programet nuk u mbyllën, ato po i mbyllin vendimarrjet dhe zgjidhjet arbitrare
- Të bashkohemi kundër autokracisë dhe margjinalizimit të studentëve dhe të punonjësve të universiteteve publike.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Arsimi i lartë dhe arsimi në tërësi nuk është parë prioritet, por qeverisjet të ardhura të gjitha nga një sistem totalitar, e kanë shfrytëzuar atë edhe për fushata elektorale, edhe për hapje universitetesh me vend edhe pa vend, por asnjëherë nuk është parë arsimi si element i qenësishëm i zhvillimit të vendit. Ndërkohë që të gjitha vendet e Rajonit subvencionojnë arsimin deri në 5% të PBB, pa folur për Finlandën që shpenzon 7% të PBB, qeverisjet tona,edhe kjo aktuale, vazhdon të bëjë shumë slogane për arsimin, por në fakt nuk i jep rëndësinë e duhur duke shpenzuar 5% të PBB, gjë që do ta vendoste edhe arsimin e lartë në ato parametra që ka Rajoni apo edhe vendet e OECD-së. Në këto kushte, studentët shqiptarë përballen vit pas viti me ndryshime, me probleme, me protesta dhe reagime të kësaj natyre. Politika e ka konsideruar Reformën në Arsim të lidhur me mandatin e qeverisë. Arsimi është një e mirë publike kombëtare. Dhe përballë kësaj të mire publike duhet një politikë kombëtare.
- -Flitet shumë për studentët shqiptarë, për auditorët e universiteteve dhe për situatën ekonomike të studentëve. Me pak fjalë si është situata ekonomike e studentëve shqiptarë? Si do t’i cilësoni ju studentët?
Sipas anketës së ditëve të fundit, rezulton që studentët e Shqipërisë janë më të varfërit në rajon dhe Europë, madje edhe më të varfër, më të harruar e më të margjinalizuar se sa studentët e Gjeorgjisë.
Këtë na e thonë anketat dhe studimet ndërkombëtare, ndërsa këtë situatë mund ta shohim e prekim çdo ditë në mjediset tona shoqërore, familjare dhe universitare.
Unë mendoj që edhe pas protestës studentore të viteve 2018-2019, kjo harresë dhe varfëri e skajshme e rinisë shkollore e studentore, vetëm sa është rritur, e ku përveçse demagogjisë dhe premtimeve sofiste të drejtuesve dhe institucioneve qeveritare, nuk pati e nuk ka mbetur asgjë. Studentët e Shqipërisë dhe familjet e tyre, janë të vetmit në rajon dhe Europë, që nuk janë buxhetuar me 100 euro/muaj, as sa studentat e Kosovës. Studentët e Shqipërisë janë të vetmit në rajon dhe Europë që nuk kanë fjetore, as mensa studentore, as kampus universitarë, madje edhe karta e studentit nuk ju shërben për asgjë. Studentët e Shqipërisë, janë të vetmit studentë që gjobiten me pagesa e taksa jashtë çdo realiteti, e pa i pyetur askush. Kështu mund të shikoni se si edhe studentët në Itali, flejnë në konvikte falas, ndërsa në Shqipërinë e varfër, familjet e studentëve paguajnë nga 250-300 euro/muaj për qiratë e banesave. Në Kosovë dhe rajon janë hequr edhe tarifat e studimeve të nivelit të parë, si dhe janë ulur me 60-70% tarifat e studimeve të nivelit të dytë (MSh dhe MP), ndërsa në Shqipëri paguhet nga 200-400 euro/vit për nivelin e parë, dhe nga 1200-1700 euro/vit për studimet mastër. Në rajon dhe Europë, studentët janë të lumtur dhe jetojnë jetën e tyre studentore, ndërsa studentëve shqiptarë u është vjedhur jeta më e bukur studentore, pasi studentët tonë janë të detyruar të punojnë nëpër kafenetë dhe byrektorët, e deri edhe në punë e veprimtari të paligjshme, pasi ju duhet me përballu çmimet e larta dhe alternativën e vetme të ndjekjes së studimeve me kohë të plotë. Prandaj është koha për ta çliruar studentin nga margjinalizimi dhe gjobat, kjo pasi studenti ka për detyrë të mësojë e të jetë reagues, e jo të zgjedhë rrugën e eksodit.
Koha tregoi për përmasat e papërgjegjshmërisë dhe pandjeshmërisë së institucioneve të arsimit ndaj situatës reale në shkolla dhe universitete, e për pasojë edhe ndaj rritjes së varfërisë dhe mjerimit mbi studentët dhe profesoriatin, nga ku buron edhe rënia e numrit të studentëve dhe boshatisja e auditorëve, mbyllja e disa degëve e programeve mësimore, si dhe reduktimi drastikë i kapaciteteve teknike e menaxheriale të administratës publike të vendit.
Në këtë kontekst, mjafton që të kujtojmë faktin që në universitetet e Shqipërisë, krahasuar me vitet 2013-2014, studjojnë rreth 5000 studentë më pak. Në universitetet publike të Shqipërisë, aktualisht janë mbi 7000 kuota apo karrige të mbetura bosh. Përkundrejt faktit që në çdo vit ikin për të studjuar jashtë vendit rreth 10000 – 12000 maturantë.

- Thuhet se janë mbyllur shumë degë në universitete shqiptare, por edhe në Universitetin Bujqësor. Kush ishte shkaktari i mbylljes së tyre dhe i uljes së numrit të studentëve?
Si fillim dua të sqaroj se programet apo degët nuk u mbyllën, ato po i mbyllin vendimarrjet dhe zgjidhjet arbitrare. Publikut po i thuhet që janë mbyllur disa nga degët prioritare të mësuesisë, të agronomisë, të matematikë-fizikës që ka mbetur me 3 studentë, apo degët e gjuhës e letërsisë, etj. Në të vërtetë situata është krejt ndryshe. Programe dhe degë jetike janë mbyllur dhe po mbyllen për shkak të politikave të gabuara dhe zgjidhjeve të përsonalizuara, e të ardhura nga lart. Po mbyllen për shkak të ligjeve dhe rregulloreve absurde, për të cilat nuk janë pyetur fare as universitetet, dhe as studentët e maturantët e Shqipërisë. Po mbyllen për shkak të korrupsionit dhe të dorës së rëndë të politikës me administratën, pikë së pari për shkak të brutalitetit me zgjidhje të imponuara nga jashtë, e paasnjë diskutim me studentët dhe me profesorët, që mbajnë peshën dhe përgjegjësinë kryesore të punës në IAL. Sjell në vemendje shëmbullin se si është mbyllur dega themelore e agronomisë, kur përballë kësaj situate të trishtë e të pashëmbullt, janë mbi 25 maturantë-studentë nga Tirana e Durrësi që vazhdojnë çdo të shtunë e të dielë studimet e larta për agronomi në Maqedoni. Këta studentë shpenzojnë mbi katër herë më shumë me vajtje ardhjet e tyre, si dhe marrin mësim nga ish studentët e Universitetit Bujqësorë, i njohur ndryshe edhe si universiteti më i vjetër në trojet shqiptare. Interesi për të vazhduar studimet për agronomi ka rënë edhe për shkak se, përkundrejt propagandës bajate për punësimin e agronomëve dhe të veterinerëve (që tashmë po i kërkon t’i marrë edhe Britania), shohim që punësim real e meritokratik nuk ka. Punësimet janë bërë e po bëhen në mënyrë nepotike, ku po shohim e dëgjojmë që në qëndrat e këshillimit dhe në drejtoritë bujqësore, janë punësuar edhe biologë e muzikantë, por jo agronomë që kuptojnë nga teknologjia, standartet dhe siguria ushqimore e mjedisore.
Ne i ndjekim studentët tanë edhe pas përfundimit të shkollës, e ku shohim që masterat shkencorë e professional në agronomi, pavarësisht nga aplikimet, janë lënë pa punë e po largohen drejt Anglisë dhe vendeve të tjera, ose punojnë si shitës në butik rrobash, në ndërtim, etj. Për pasojë prodhimet tona bllokohen në dogana, sepse nuk kapin standartet e sigurisë ushqimore, dalin me mbetje kimike, sepse nuk janë trajtuar nga agronomët, etj. Në të njëjtën mënyrë është rrënuar edhe statusi i mësuesit dhe profesorit, nga ku për shkak të pagave të ulëta, janë të detyruar që të bëjnë punë të tjera, qoftë edhe të rëndomta.
- Pra në tërë universitetet shqiptare shikohet një situatë e nderë. Një situatë mosbesuese dhe frenuese për studentët. Çfarë kanë nevojë më shumë sot universitetet shqiptare?
Universitetet tona sot kanë nevojë për demokraci, e jo për autokraci.
Është koha që të flasim troç, e të reagojmë sa nuk është vonë. Kjo për faktin që pavarësisht nga demagogjia dhe sofistika në shërbim të trashjes së korrupsionit dhe të nepotizmit, duhet të kuptojmë që aktualisht, në universitetet publike shqiptare mbizotëron autokracia universitare, e konsoliduar si pasoje e zbatimit selektiv e pjesor të ligjit aktual të arsimit të lartë, i cili ka eleminiuar de fakto e de jure ekzistencën e të gjitha organeve dhe instancave kolegjiale në universitete, e që ishin dhe janë garanti i funksionimit demokratik të universiteteve. Në këtë mënyrë, ligji aktual, në mënyrë të rafinuar, ka goditur dhe zevendësuar organet kolegjiale sikurse janë: Këshillat e Fakulteteve, për t’i zëvendësuar me Dekanatet e Fakulteteve; Këshillat e Departamenteve për t’i zëvendësuar me Përgjegjësat e Departamenteve dhe Asamblete e personelit, për t’i zevendësuar me drejtuesit e radhës.
Arsyeja kryesore për mos funksionimin e Asambleve të përsonelit akademik në fakultete, qëndron në faktin sepse, në kundërshtim me frymën e ligjit, ato kryesohen nga Dekani, i cili është në konflikt interesi, pasi presupozohet që dekani duhet të japë llogaridhënie para asamblesë. Supozojmë sikur Kryeministri të jetë njëkohësisht edhe Kryetar i Kuvendit. Kujtoj faktin që asambletë duhet të mblidhen të pakëen 2 herë në vit, ka raste që në tre vjetë, realisht nuk janë mbledhur asnjëherë. Madje brutaliteti në mekanizmat nepotikë e korruptivë të shkatërrimit të demokracisë universitare është aq i lartë, saqë në mbledhjet e asambleve ku më parë kishte debat e diskutime, aktualisht nuk ka asnjë pyetje, asnjë diskutim nga studentët as pedagogët. Mbledhjet janë monolog, ato hapen nga drejtuesit, dhe pamja më e shëmtuar është ajo duartrokitja e gjatë, e që më kujton durtrokitjet pasi përfundonte fjalimi i shokut Enver. Korrupsioni, nepotizmi dhe brutaliteti politik, pothuajse e kanë shuar demokracinë, duke e zëvendësuar me autokracinë e një grupi shumë të vogël njerëzish. Nga ky zëvendësim nuk mund të burojë asgjë e mirë për universitetin, për studentët, as për pedagogët e as për Shqipërinë.
Praktikisht, në univesitetet publike të Shqipërisë, është konsoliduar një simbiozë piramidale nepotike dhe autokratike, e tillë ku shefat e departamenteve janë njëkohësisht edhe antarë të dekanatit, e ku nga ana tjetër dekanët janë njëkohësisht edhe antarë të Rektoratit. Kjo skemë, pavarësisht nga shkresat dhe demagogjia, funksionon në të gjitha universitetet publike, ku ka bllokuar edhe transparencën, edhe vendimarrjen kolegjiale dhe qarkullimin e mirëfilltë të elitave drejtuese e shkencore. Është koha për të reaguar kundër skemave të hermetizuara e autokratike. IAL, kanë nevojë për debat dhe demokraci. Kjo skemë është kundër profesionistëve dhe profesioneve bashkëkohore, është kundër studentëve dhe zërit të pastër të tyre, është kundër transparencës dhe llogaridhënies së vërtetë.
Kujtojmë faktin që, në të gjitha universitetet publike, transparenca është kthyer në demagogji dhe le shumë për të dëshiruar. Mjafton të kujtojmë procesin e miratimit të projekt-buxheteve vjetore aktuale (për vitin 2023), ku sipas ligjit të buxheteve publike, ky proces duhet të paraprihet nga raportimi me shkrim i analizës së detajuar të shpenzimeve për vitin e kaluar (vitin 2022). Miratimi në njësinë bazë (department) të propozimit të projekt-buxhetit për vitin aktual. Por, sikurse dihet, tjetër shkruhet e tjetër bëhet. E sikurse dihet, pavarësisht se edhe në ligjin e arsimit të lartë të vitit 2015, departamenti është njësia bazë, realisht departamentin nuk e pyet askush, ose thjesht niset një email që të kujton shprehjen e njohur “më ka çue nana me la gojën”. E në këtë mënyrë në departamente shkojnë vetëm njoftimet formale të projekt propozimit të rakorduar ndërmjet shefit të departamentit dhe dekanatit. Praktikisht stafi akademik dhe antarët e departamentit nuk kanë asnjë rol në hartimin e projekt buxhetit, dhe si pasojë ata ndjehen të nënvlerësuar, të papaguar dhe të pamotivuar për mbarëvajtjen e buxhetit dhe punës së departamentit.
Çfarë krijon një situatë e tillë?
Një situatë e tillë krijon terrenin më të mirë për të mos patur asnjë transparencë dhe efektivitet në përdorimin e fondeve buxhetore, të cilat gjithsesi janë të pakta dhe të pamjaftueshme. Është koha për të reaguar e për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe të rregullave demokratike, në mënyrë që fondet, investimet, projektet, doktoraturat, vendimarrja të mos përqendrohet në 10-15 duar. Është koha për transparencë reale mbi pagat dhe përfitimet e pamerituara të autokracisë. Ndaj të bashkohemi kundër autokracisë dhe margjinalizimit të studentëve dhe të punonjësve të universiteteve publike.





















