Socialistët e ndershëm nuk i përbuzin denoncimet e opozitës…

947
Sigal

Kristo MËRTIRI

Përsiatje nga cikli “Antiharresa”

Vetëkënaqësia të deh shpejt e të lë në mes të rrugës, o miku ynë në metropol! Sidomos kur kapardisesh hipur në kalin e pushtetit dhe fryn e shfryn kundër të gjithë atyre që nuk janë në një mendje me ty. Dhe jo vetëm me opozitën. Por edhe brenda familjes politike ku befas i zuri qoshen e u bë zot i saj sa hap e mbyll sytë. Ndërsa votuesit e thjeshtë, socialistë e simpatizantë, tani i shikon nga maja e Dajtit. Pa harruar forumet grykëzëna ku nuk pipëtin gati asnjë mendim ndryshe përballë “Biçimnjëshit” të plotfuqishëm, mujshar i pandreqshëm e Timonier Tepsie vetmitar. Marrëzia donkishoteske e madhështisë së rreme, nuk paska kufi. Në krye të kupolës rilindiste me shërbëtorë nga ish Lëvizja e “pavarur” dhe tejet hipokrite “Mjaft”, lëvizje që mbahet mend për topat me letra higjienike kur i hodhën mbi selinë e PS; nga Bashkia 11 vjeçare kryeqytetase; nga nëntëdhjetenëntshat e “G 99” dhe nga rrethi i ngushtë nepotik (familjar, miqësor e krahinor), të tjerët i shkel me këmbë e u skërmitet me dhëmbë. Pa llogaritur sojin e sorollopin e atyre që përmendëm më lart, të cilët kanë pushtuar majat e Administratës qendrore e lokale dhe u bëjnë karshillëk e maskarëllëk socialistëve të ndershëm të mbetur supengritur në udhët e zhgënjimit pas-elektoral. Premtimet lumë dhe llafet e bukura si ilaç për gjumë, humbën si karamelet e hedhura nëpër dasma në fshat e qytet. Dhe kujtojnë e citojnë Sami Frashërin e mençur me fjalët melhem: “S’ka ligësi më të madhe se mosmirënjohja!” Tingëllimë gjithnjë aktuale. Por pusht-pushtetit rilindist nga një vesh i hyjnë e nga tjetri i dalin! Shumë prej tyre ne i kemi pagëzuar si “karcinë vjeshte” që nuk dinë as ku lidhet gomari. Pa punuar asnjë ditë në këtë qerrata shtet, fët e fët e shikojnë veten në kolltukë të lartë parlamentar, ministror e kryeministror, agjensira kombëtare e lokale. Të gjithë me firmën e miratimin e Timonierit me shkrim a me gojë, me celular a me pordhal. Pa hedhur fare vështrimin nëpër nene e kritere, në ligje e brigje. Dhe shajnë e mallkojnë opozitën, përgënjeshtrojnë gati tërë denoncimet e saj, lëshojnë përrenj me jargë mburravece dhe i lëpihen tmerrësisht e deri publikisht Kryeministrit “yll bote” me citjane e këmbëzbathur pa nallane. Por harrojnë që populli jashtë zyrave e borderove shtetërore, nuk i ka sytë e veshët të dyllosur. Dhe mjaft denoncime të drejta të Opozitës i pret në heshtje e me nofulla shtrënguar, por edhe me shpërthime të sinqerta e dëshpëruese kundër kupolës laramane me brekushe e çitjane të Ekzekutivit dhe shërbëtorëve të saj faqezinj. Me këtë, miku ynë i vjetër, nuk duam ta thjeshtëzojmë problemin, ta bëjmë limonadë, t’i hedhim ujë verës apo të perifrazojmë atë thënien e moçme : Opozitës (pleqve) vetëm pordhët mos ia dëgjo, por të tjerat vuri vëth në vesh e reflekto në praktikë!

Më konkretisht, ja të pyesim ne ty: Sikur të mos bëzante fare Opozita, a do të pastrohej Parlamenti nga disa deputetë të kriminalizuar e mashtrues me “diplomë” lumpeni dhe të promovuar me dorën e vetë Timonierit të çartur që nuk dha llogari kurrë?! Ai nuk është prift me temjanicë.

Po ata kryetarë Bashkie, drejtorë të rëndësishëm e lukuni falsifikatorësh që dolën fiasko para pasqyrës opozitare, për llogari të kujt mbetën?

Ore babam, si nuk u dëgjua asnjë zë publik nga brenda PS-së për këto hynere e dallavere jo pa qedere, por vetëm rrinë e vështrojnë si guakë Kryetarin mujshar që u vërvit ndonjë kockë “bamirësie” në këtë tollovi Shqipërie?

Apo vetëm kështu i bëjnë hyzmet borderosë së majme dhe favoreve pa fund të pushtetit rilindist. Ndërsa socialistët e ndershëm jashtë borderove shtetërore, falënderojnë hapur apo kokulur kurajën e djemve të rinj e të pastër të Opozitës. E të tjera, e të tjera që po humbasin si guri në lumë…Miqtë e mi besnikë e vërsnikë te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, pa asnjë teserë partiake në xhepa i ndjekin zhvillimet politike ndajnate dhe kuvendojnë shkoqur, drejtpërdrejt, pa shtesa e mbulesa servilizmi te kafeneja e vetme e Mirës aq të mirë të Hajros e Letës që mbyllën sytë shumë para kohe e ikën zemërplasur nga kjo botë e trazuar e dhembje-mbuluar. Pa tavolina luksoze e salltanete akademike. E duan mendimin e kundërt dhe i peshojnë saktë me shpirtin e tyre praktik e të sinqertë. Qofshin nga çdo krah politik. Kjo është një nga bukuritë e rralla të pluralizmit. Në rastin konkret, ndalen më tepër te socialistët e vërtetë që nuk i përbuzin e as i qesëndisin denoncimet e hidhura e të vërteta të Opozitës. Dhe këtë e quajnë me të drejtë vlerë reale. E përçmojnë fudullëkun kokëbosh të rilindistëve dhe qeshin e përqeshin me çarçafët shumëngjyrësh të fasadistëve të paepur. Më në fund u bindën se e djeshmja e Ramës në opozitë ishte thjesht si “gjakim për pushtet” dhe një politikë e dalë boje “Ku rafsha mos u vrafsha”! Por le të mirëkuptohemi më tej:

Së pari, të vërtetat e Opozitës jo përkëdhelëse as militantët e verbër nuk i hedhin pas krahëve. Më e pakta mund të heshtin në mjediset e përziera, por pastaj monologojnë me veten për pisllëqet e pushtetit ekzekutiv që është larguar shumë nga shtresat e paprivilegjuara e në nevojë. Unë kam dëgjuar e dëgjoj shumë prej tyre, prej njerëzve të thjeshtë që nuk i bëjnë hesapet kaluar nëpër yzengjitë e pushtetit. Zhgënjim i prekshëm për ata liderë kalanderë që ulërinin “përtej të majtës e të djathtës”. Dhe nuk janë kurrsesi ata pehlivanët mashtrues nga ish-“Mjafti” që deri dje përmbytnin rrugët e Tiranës për të larguar PS-në nga pushteti, që ditën bënin sikur betoheshin për të vërtetën dhe natën putheshin me intrigat sterrë të zeza të “Fatligxhafërisë” e gënjeshtrat këmbëshkurtra të Ramës. Opozitën e drejtë e vlerësojnë jo ata që shiteshin pacipërisht si “të pavarur”, të përgjëruar e të përvëluar për fatet e asaj force politike të reformuar nga intelektualë të zotë, trima e atdhetarë të kulluar. Socialistët e ndershëm janë realistë, jo rrogëtarë të rëndomtë e aspak euforikë të mbytur në interesa meskine dhe me këmbët në tokë.

Së dyti, denoncimet e drejta të Opozitës nuk mund t’i shikojnë drejt në sy ata që befas një ditë hoqën maskat dhe spaletat vezulluese “të pavarura” dhe pushtuan pa çak e pa bam majat e Partisë Socialistë! Një tinzarllëk e hipokrizi sipërore që nuk dëmtoi rëndë vetëm Shoqërinë Civile, por edhe vetë strukturat e njohura partiake e sidomos meritokracinë e ëndërruar e përgjithësisht të realizuar herët. Dhe shfaqjet tragjikomike u shtruan vendçe. Fjala vjen, udhëheqësi i Bashkisë e i Partisë, “lali Eri”, një të hënë në mbrëmje pasi bëri petullat me ujë selite duke nisur “trenin” te stacioni i vjetër me një tabor të posaçëm propagande, u kumbis te një festë e rrallë. Populli i Kryeqytetit e sidomos tiranasit safi, sa nuk fluturuan nga gëzimi kur morën vesh se kryetari sevdalli vendosi të quajë “Festën e Fërgesës” si festë zyrtare të Bashkisë. Dhe ku vallë ? Mu në Ceren të Surelit! Tym e flakë nën saçet me mish, përkrah valltareve ekskluzive dhe bollëkut me verë e raki. Thonë se erërat nuk depërtuan dot te streha e betonuar e Kryeministrit vetëm me 3 mijë euro kursime nga mosha 11 vjeçare e Bashkisë! Ndërsa kryetar “lali Eri” paska lënë një shënim të rëndësishëm e taze: “Kush na ka inot, kshu na paft përnot!” Prandaj shtirakët nuk i besojnë as në shkallë e as në mëhallë…

Së treti, denoncimet e Opozitës nuk i vlerësojnë dot ata që shkumën e fasadave përpiqen të na e shesin për ajkë! Gojë kycur e lëpirës të shkallës sipërore përballë Njëshit. E, siç thotë një kolegu ynë “Rilindja” është thjesht një kod identifikimi dhe s’ka asgjë ideologjikisht të veçantë dhe të respektueshme”. Eurosocialistët e djeshëm mbetën me gisht në gojë. Demokracia e brendshme në parti u godit rëndë. Sundon lepepeqëria ndaj Timonierit. Shkurt, të tjerë punuan e luftuan, të tjerë në sofër u shtruan! Madje si “këmbëkryq përmbi selishtë”, pendëfryrë dhe torbat me tagji në qafë. Kacagjelat e “Mjaftit” na shesin aguridhe. Dhe dikush ia merr një kënge të adhuruar dikur nga Rama: “Nuk jam hajn qi vjedhi pula/ po cub qi thej kulla!”.

Së fundi, jo vetëm që hidhen përpjetë në ekrane e pordhale përballë çdo denoncimi e kambane publike me thumb, por vazhdojnë të “Sillen si pushtues me pushtetin” pa e hequr asnjëherë kostumin e fasadës ediramiste. Demokracia e brendshme po lëngon e rënkon. Kush e solli kohën e gëk-mëkut në atë forcë politike të madhe, që deri dje e kishin zili të tjerët majtas e djathtas? Sepse një ditë do “dalin hiletë, si koqevetë”. Jo çdo kakarisje ka nevojë për show. Fjala vjen, në Tepelenën time, rrëfejnë, jo pa humor, një tip anekdote që flet vetë: “- Grua, kam bërë një koqeve, – i tha bashkëshortes Nastradini. Ajo sikur vuri tellallin dhe po thërriste :”E muartë vesh? Nastradini bëri dy koqeve !”. Dhe llafi mori pazarë. Po, për një cikë,- siç thoshin, – ai na kish bërë 98 koqeve. E mori vesh mbreti dhe e thirri :-Ti ke bërë 99 koqeve, më kanë thënë… -E ke gabim, zotrote, -iu përgjigj Nastradini, – unë kam bërë 100 koqeve ! -Po si i shtove në furrik, mua më kanë thënë që ke bërë 99 ? – Meqenëse zotrote besove se unë kisha bërë 98 dhe nga ana tënde shtove edhe një, pse të mos shtoj edhe unë që jam i zoti i punës?!…