Serbia të pranojë pa kushte njohjen e Kosovës

901
Sigal

Prof. Qemal Lame

Njohja e pavarësisë dhe shtetit sovran të Kosovës mbetet zgjidhja e krizës politike të Serbisë në marrëdhëniet me Kosovën dhe realizimin e integrimit evropian. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Anglia, Franca etj., dëshmojnë përkushtim në politikën e tyre të përbashkët ndaj Serbisë dhe Kosovës për njohjen e pavarësisë, normalizimin e marrëdhënieve dhe të ardhmen e këtyre dy shteteve në Bashkimin Evropian. Në shtypin e përditshëm gjerman po shkruhet më konkretisht për gjendjen politike në Serbi dhe qëndrimet e ndryshme ndaj krizës me Kosovën. Zgjidhja e çështjes së Kosovës: Presioni ndaj Serbisë po rritet (“Losung der Kosovo-Frage: Der Druck auf Serbien nimmt zu”) ehte ky titulli i gazetave gjermane nga takimi i fundit e presidentit serb Aleksander Vuçiç në Berlin me kancelaren Merkel, ku janë përmendur edhe shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës. Situata politike në Serbi ka qenë e tensionuar prej disa javësh. Pothuajse çdo ditë në mediat raportohet për një njohje të hershme të mundshme të Kosovës nga Beogradi, e cila nuk paraqitet si e tillë. Zyrtarisht gjithmonë flitet për “nënshkrimin e një kontrate të detyrueshme ligjore për normalizimin e kushteve” me Prishtinën. Një datë e mundshme përfundimtare do të jepet, jo më vonë se në fillim të vitit 2019. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, më 23 prill 2018, u takua papritur e çuditërisht me Sekretarin e Përgjithshëm të, Kombeve të Bashkuara Antonio Gutierres në Nju Jork. Ai u detyrua të pranojë e të deklarojë më pas, duke folur një një përshtypje mjaft zhgënjyese. Pavarësia e provincës së Kosovës mbetet e pa negociueshme dhe një kusht që nuk do të shmanget në kushtet aktuale dhe në të ardhmen. “Nuk jam veçanërisht i kënaqur, prita jo vetëm një mirëkuptim më të madh për serbët në Kosovë dhe Metohi, por edhe për vetë Serbinë”, tha Vuçiç. “Unë kam krijuar përshtypjen dhe jam i bindur, se shtetet perëndimore nuk duan të flasin në asnjë mënyrë, se kush zotëron territorin e Kosovës përshtypje. Për ta kjo është një çështje e mbyllur”, tha presidenti serb në televizionin shtetëror RTS. Qëndrimi i vendosur i shteteve perëndimore shkakton trauma në politikës serbe. Thellohen ndarjet politike dhe njëkohësisht evidentohen edhe mendimet për gjykime objektive, njohjen e pashmangshme të realitetit politik e gjeografik në Kosovë dhe bëhet më e qartë detyrimi që imponon largimin nga politikat e vjetra shoviniste, pranimin me dhimbje të humbjes së Kosovës dhe ndërtimin e marrëdhënieve të barabarta e miqësore me shqiptarët. E përditshmja serbe “Danas” shkruan duke cituar qarqet e brendshme, se nga kreu i shtetit serb nuk është thënë në mënyrë të qartë e përfundimtare detyrimi që Beogradi duhet të njohë pavarësinë e provincës së shkëputur. Megjithatë, duket se kjo do të jetë një kusht në të ardhmen. Opozita akuzoi kreun serb të shtetit, edhe për të drejtën për të kryer negociatat sekrete me presidentin kosovar Hashim Thaçi për një shkëmbim të mundshëm të territoreve para qëndrimit të tij në New York, e cila u prezantua fillimisht si një udhëtim privat. Kryetari i Partisë Popullore Vuk Jeremiç, i njohur për ultranacionalizëm dhe antishqiptarizëm, akuzoi presidenti serb, për politikën për Veriun e Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën, se ai i ka ofruar homologut të tij të Kosovës, Serbinë Jugore, ku popullata shqiptare përfaqëson shumicën. Me të drejtë në median ndërkombëtare theksohen dhe vihen në dukje qëndrimet e padrejta për Veriun e Mitrovicës dhe Luginën e Preshevës. Në territoret shqiptare të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në jug të Serbisë, vlerësohet se janë të banuara nga më shumë se 120 000 banorë etnikë shqiptarë. Kosova e Veriut ku përfshin Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun dhe pjesët e Mitrovicës dhe Podujevës, është i banuar nga rreth 50 000 serbë. (Rund um die Gemeinden Presevo, Bujanovac und Medvedja im Suden Serbiens sind von den gut 120.000. Zu Nord-Kosovo, Diese Region wird von rund 50.000 Serben bewohnt…), ka shkruar RTDeutsch dhe transmeton agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”. Shkëmbimi i territoreve ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, por institucionet shtetërore dhe gjithë populli shqiptar në Kosovë, si dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë që kontribuan për çlirimin e Kosovës nuk e kanë pranuar asnjëherë këtë alternativë të dëmshme serbe që do të shkatërronte arritjet e deritanishme dhe do të dëmtonte rëndë paqen, sigurinë e stabilitetin politik në gjithë rajonin e Ballkanit. Është e domosdoshme të theksojmë se serbët në Mitrovicën e Veriut kanë ardhur kryesisht pas Luftës në Kosovë, Qeveria e Serbisë ka financuar ardhjen e serbëve, iu ka garantuar atyre paga mujore, shtëpi dhe kushte të mira jetese. Ka ndërtuar në mënyrë të njëanshme institucionet paralele duke krijuar vështirësi për veprimtarinë e institucioneve të ligjshme të Kosovës dhe penguar realizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë periudhë, u ndalua kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tokat e tyre në Mitrovicën e Veriut, nuk u lejua rindërtimi i shtëpive të shkatërruara nga lufta, ose i shtëpive të reja etj. Formimi i një rrjeti të komuniteteve serbe në Kosovë, pranohet nga institucionet shtetërore të Kosovës vetëm në zbatim dhe respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Bashkimi Evropian, nën udhëheqjen e të cilit negociatat po çojnë në “përfundimin e një marrëveshjeje historike”, kundërshton një skenar të tillë. Në fund të muajit prill 2018, në Bruksel, u zhvillua një takim midis Vuçiç dhe Thaçit. Një nga temat më të rëndësishme ishte krijimi i një unionit të komuniteteve serbe në Kosovë, i cili është vendosur në vitin 2013. Deri më sot, janë zhvilluar diskutime të shumta, por qëndrimet e ndryshme midis Serbisë dhe Kosovës kanë ndikuar të mos arrihet asnjë sukses konkret në këtë temë. Problemi themelor qëndron në ruajtjen e sovranitetit shtetëror dhe veprimtarisë së institucioneve të Kosovës në gjithë territorin. Asociacioni i komunave serbe nuk duhet të marrë formën e një shteti serb brenda Kosovës. Serbia kërkohet të respektojë sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe të mos krijojë de fakto një shtet serb të ri në Kosovë. Sqarimi i këtyre parimeve të pa negociueshme, do të mundësojë edhe zgjidhjet e mundshme. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, serbët e Kosovës, do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësimin e tyre parlamentar, të emërojnë një president dhe zëvendëspresident. Shqiptarët janë të pakënaqur dhe shqetësohen për diferencën e madhe midis të drejtave e lirive të serbëve në Kosovë, në krahasim me atë të shqiptarëve në Serbi. Me të drejtë theksohet kërkesa për barazi dhe standarde të njëjta të garantuara për serbët dhe shqiptarët.

Nga këndvështrimi i shumë politikanëve të opozitës, kërkohet:

Në radhë të parë, njohja nga Serbia e pavarësisë së Kosovës. Njohja e shtetit të Kosovës është e domosdoshme të realizohet me vendime konkretet nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë.

Në radhë të dytë, të pranohet veprimtaria e asociacionit të komunave me shumicë të popullsisë serbe, sipas parimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, para se të bëhen lëshime të tilla për pakicën serbe.

Në radhë të tretë, të krijohet edhe asociacioni i komunave me shumicë shqiptare në Serbi Presidenti Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë janë në ofensivë të gjerë ndërkombëtare dhe po punojnë intensivisht edhe në politikën e brendshme për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Është e qartë se vendimi për njohjen e Kosovës do të sjellë edhe pasoja në të ardhmen politike të Presidentit Vuçiç dhe të Qeverisë serbe. Për të ardhmen më të sigurt të serbëve dhe realizimin e integrimit evropian, mendoj se do të vihen në plan të parë interesat e së ardhmes së serbëve e të Serbisë. Për këtë qëllim, Vuçiç u takua dhe bisedoi për rreth pesë orë edhe me Presidentin Putin, në Moskë, në vizitën e bërë për inaugurimin e tij në rizgjedhjen si president. U njoftua mendimi i Putinit se çështja e Kosovës është një problem i Serbisë me Bashkimin Evropian. Zgjidhja nuk mund të arrihet pa Rusinë. Me këtë qëndrim, Rusia kërkon të ruajë e zgjerojë influencën e saj në Serbi e në gjithë hapësirën Ballkanike. Njohja e Kosovës, dihet se është kushti që Putin kërkon për njohjen e bashkimit të Krimesë me Rusinë.