Rushan Dosti: Mensur Hoxha, socialisti – idealist, qëndrestar i pushteteve të korruptuara

57
Sigal

“Edhe pse është ndëshkuar për rrebelizmin e tij, ai ka qëndruar stoik ndaj bindjeve të tija për një shoqëri ndryshe, ndaj nëse ka rast për t’i dhënë “Çezarit atë që i takon Çezarit”, e pakta kjo duhet marrë në konsideratë në rastin e jetës së intelektualit dhe drejtuesit të shumë institucioneve vendore në Berat, ekonomistit Mensur Shyqyri Hoxha…”

Ka njerëz që punojnë e jetojnë pa bujë, pa bërë reklamë ndaj vetes, pra, njerëz që kanë mbetur përjetësisht besnikë të idealizmit të tyre. Janë pikërisht kjo kategori njerëzish, që i japin kuptim jetës dhe frymëzojnë të tjerët pa folur e pa dhënë leksione shkollareske. Pavarësisht profesioneve që kanë të shënuar nëpër diplomat e tyre, me thjeshtësinë dhe ndershmërinë e tyre të tepërt, shpesh bëhen mosbesues ndaj vetes dhe konsiderohen nga “kutitë e mendjeve” si njerëz që rrojnë kot së koti.

Thënë më qartë, në shoqërinë tone ka patur dhe ka njerëz idealist, që punojnë e jetojnë me gjithë energjitë e tyre fizike dhe mendore, të bindur se kjo shoqëri duhet të jetë ndryshe e më ndryshe. Përpos idealizmit të tepruar, kjo kategori intelektualësh, shfaqin hapur shpirtin qëndrestar, disidentë dhe deri në rrebelizim, ndaj dukurive e problematikave të pushteteve të këqija, të korruptuara, pavarësisht ngjyrimeve politike, që ato përfaqësojnë.

Mes kësaj kategorie, kam zgjedhur të sjell tek lexuesi i “Telegraf”, një figurë të veçantë të idealizmit dhe ndershmërisë një ikonë të socialistëve beratas, një ekonomist dhe specialist të sprovave të mëdha, një intelektual dhe drejtues në dy sisteme shoqërore të vendit tonë, njeriun që ka bërë gjithmonë “rrebelin e mirë” përballë pushteteve të këqija, opozitarin dhe qëndrestarin brenda forcës së tij politike dhe me kundërshtarin politik.

Edhe pse është ndëshkuar për rrebelizmin e tij, ai ka qëndruar stoik ndaj bindjeve të tija për një shoqëri ndryshe, ndaj nëse ka rast për t’i dhënë “Çezarit atë që i takon Çezarit”, e pakta kjo duhet marrë në konsideratë në rastin e jetës së intelektualit dhe drejtuesit të shumë institucioneve vendore në Berat, ekonomistit Mensur Shyqyri Hoxha…

Vetë Mensuri e ka deklaruar publikisht qëndrimin e tij kur e pranon me zë të lartë: “Kam qënë e jam për mendimin ndryshe të shfaqur kudo, në politikë, në qeverisje, e ekonomi e në shoqëri. Ky vend nuk mund të ec pa mendimin ndryshe!”

Pak biografi nga jeta aktive e Mensur Hoxhës

Mensur Hoxha i përket një familje të madhe patriotike në fshatin Starovë të Beratit, e cila njihet si një nga bazat më të rëndësishme të LANÇ, ku janë promovuar shumë ngjarje të rëndësishme të Luftës në Krahinën e Spiragut siç është krijimi  i KANÇ, i Organizatës Antifashiste të Gruas dhe Rinisë së fshatit etj. Babai i tij Shyqyri Hoxha është një nga figurat më të njohura të Krahinës së Shpiragut, pasi ai ka kryer detyrën e Kryetarit të Këshillit Antifashist të fshatit dhe Anëtar i Këshillit Krahinor të Shpiragut dhe komandant i çetës terrritoriale të fshatit Starovë.

Një nga ngjarjet kulmore dhe më të bujshme për kohën ka mbetur vizita e Enver Hoxhës, në shtëpinë e Shyqyri Hoxhës më 6 Tetor 1958, ngjarje, e cila nuk u përdor kurrë nga kjo familje për të favorizuar pjestarët e saj. Edhe pse kjo familje lindi dhe rriti 10 fëmijë, 7 djem e 3 vajza, dhe arriti të numëroj mbi 36 nipër e mbesa, të gjithë me arsim të lartë, nuk u përdor asnjëherë vizita e udhëheqësit të kohës, por kjo ka ndodhur vetëm për merita të tyre dhe edukatës së marrë nga familja e madhe Hoxha.

Për merita të veçanta ndaj LANÇ babai i Mensurit është vlerësuar me Urdhëra, Tituj e mesazhe mirënjohje, personale e familjare, të cilat i ka merituar plotësisht dhe nuk ia ka dhënë askush për mëshirë. Është dekoruar me Urdhërin”Naim Frashëri” Klasi Dytë, me titullin “Nderi Qarkut Berat”, “Qytetar Nderi i Komunës”, Çertifikata Mirënjohje” nga Bashkia Berat,  nga Organizata e Veteranëve Berat dhe nga Komiteti Kombëtar i LANC “Nderi Kombit” etj.

Është lindur më 13 Maj të vitit 1952, në fshatin Starovë të rrethit Berat, në një familje me origjinë fshatare, me shpirt patriotik dhe atdhetar, bazë e LANÇ. Mbas vitit 1978, Mensuri bashkë me familjen e tij ka banuar dhe punuar në qytetin e Beratit në shumë detyra të rëndësishme politke dhe shtetërore.

Arsimin fillor dhe tetëvjeçar e ka kryer në fshatin e lindjes nga viti 1959 – 1967 dhe në vitet 1967 – 1971 ka kryer shkollën e mesme në Teknikumin Ekonomik “Nako Spiru” në Tiranë me statusin e nxënësit konviktor dhe pas kësaj  nga viti 1971 – 1976 ka kryer studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, dega “Ekonomist për Industrinë”. Më 14 Maj 1976 mbrojti Diplomën dhe u diplomua Ekonomist i Përgjithshëm, me profil jo bujqësor (Për industri, tregti, ndërtim e transport).

Pas diplomimit, ai ka provuar e kontribuar në shumë sektorë të vështirë, duke qënë i vetmi ekonomist dhe drejtues që ka shërbyer në dy sisteme të ndryshme shoqërore.

Në 42 vite të punës së tij, ka kontribuar si specialist dhe drejtues në disa kooperativa Bujqësore si specialist në Starovë,  Kryetar i Degës së Planit në Donofrosë, Kryetar i Kooperativës Bujqësore në Sinjë, në disa Ndërmarrje Shtetërore si Drejtor në Bankën Bujqësore Berat, Drejtor i Ndërmarrjes së Grumbullim, Përpunim Mish – Qumështit në Berat, Drejtor i Ndërmarrjes së Shfrytëzimit Pyjor Berat.

Rrallë mund të gjesh qytetar në Berat, e aq më shumë vartës e kolegë që kanë punuar me Mensurin, që të mos e vlerësojnë për thjeshtësinë, idealizmin dhe mbi të gjitha për korrektësinë dhe ndershmërinë me të cilat ka kryer detyrat. Asnjëherë nuk ka punuar për veten apo xhepat  e tij, ndaj askush deri më sot nuk e ka akuzuar, qoftë edhe opozita. Asnjëherë nuk ka ndëshkuar njerëz të pafajshëm, qoftë i majtë apo i djathtë,  edhe kur një gjë të tillë ia kanë kërkuar të motivuar politikisht.

Pas viteve 1990, pasi provoi disa herë asistencën sociale, madje dhe efektet e ligjit famëkeq 24/1, ai rikthehet në detyra të rëndësishme drejtuese në disa institucione me peshë në Berat si Kryetar i Degës së Tatim Taksave, Degës së Sigurimeve Shoqërore, Drejtor i Tregut Rajonal me Shumicë e Pakicë Fruta – Perime në Berat etj.

Nga Marsi 2006 deri Qershor 2007 zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste në Berat dhe dy legjistatura anëtar i Këshillit Bashkiak Berat, ku ka shfaqur hapur shpirtin e tij opozitar, disident, qëndrestar dhe rrebel, jo vetëm me kundështarët politikë, por edhe brenda forcës së tij politike dhe për këtë e pagoi me largimin nga posti i Kryetari të PS – së.

“Rrebel i mirë” me pushtetet e këqija

Rrallë mund të gjesh qytetar në Berat, e aq më shumë vartës e kolegë që kanë punuar me Mensurin, që të mos e vlerësojnë për thjeshtësinë, idealizmin dhe mbi të gjitha për korrektësinë dhe ndershmërinë me të cilat ka kryer detyrat. Asnjëherë nuk ka punuar për veten apo xhepat  e tij, ndaj askush deri më sot nuk e ka akuzuar, qoftë edhe opozita. Asnjëherë nuk ka ndëshkuar njerëz të pafajshëm, qoftë i majtë apo i djathtë,  edhe kur një gjë të tillë ia kanë kërkuar të motivuar politikisht. Specialistët i ka vlerësuar dhe shpërblyer si specialistë dhe jo si militantë të njërës apo tjetrës force politike, dhe për këtë është ndëshkuar nga forca e tij politike.

Ka mbetur në kujtesën e socialistëve dhe qytetarëve beratas, kundërshtimi i hapur i tij ndaj Kryesocialistit Rama, kur bëhej fjalë për listën e këshilltarëve socialistë të Bashkisë, kur Mensuri qëndroi stoik ndaj zgjedhjes së votuesve e jo imponimit  nga lartë. Fakti që ai u ndëshkua me largimin nga detyra e Kryetarit të PS Berat dhe më pas edhe nga detyrat që kryente, nuk e zbehu aspak figurën e tij, përkundrazi e lartësoi më shumë para syve të socialistëve dhe qytetarëve beratas, të cilët e vlerësojnë edhe tashmë që prej vitesh jeton epokën e pensionimit.

Mensur Hoxha ka provuar disa herë lëmoshën e asistencës sociale dhe përsëri është rikthyer falë ndershmërisë dhe kontributit që ka dhënë, duke mbetur një staturë politike dhe drejtuese me doza të larta idealizmi dhe transparence. Në 42 vite pune si drejtues e specialist, madje në sektorë me buxhete të larta shtetërore, ai nuk futi kurrë duart në fondet publike dhe ndoshta është njeriu i vetëm pushtetar me ofiqe nga më të ndryshmet që jeton në një apartament të dhuruar nga prindërit e bashkëshortes, ndërkohë që për vite me radhë ka jetuar në një dhomë e një kuzhinë bashkë me dy fëmijët e tij.

Është njeriu që për bindje politike dhe i motivuar politikisht për mendimin ndryshe, sipas nenit famëkeq 24/1, ka provuar dy herë largimin nga puna, por në asnjë rast nuk u dorëzua, sepse për të rëndësi ka profesionalizmi, zotësia, ndershmëria, korrektësia në zbatimin me përpikmëri të ligjeve, cilësi që ai i ka manifestuar në çdo kohë e në çdo detyrë që ka kryer.

Nuk është se kështu mendon artikullshkruesi, i cili duhet thënë se është njohës shumë i mirë i këtij personazhi, “të rrahur me vaj e me uthull”, por për persekutimin politik në kohë moderne të Mensur Hoxhës flasin faktet dhe para fakteve duhet heshtur.

Unë konkretisht flas me fakte dhe jo duke dhënë mendime të stisura personale. Konkretisht largimet e Mensurit nga puna kanë qënë tërësisht të motivura politikisht, ku arsyeja kryesore ka qënë shfaqja hapur e mendimit ndryshe ndaj kundërshtarëve dhe brenda forcës së tij politike dhe kundërshtimet e demaskimet për veprime jo ligjore.

E them me bindje të plotë se zbatimi i ligjit të vitit 1992 me nenin përkatës 24/1, ka qënë një përndjekje e trajtim politik në periudhën e demokracisë ashtu siç ka qënë e imponuar dorëheqja e tij nga detyra e Drejtuesit Tatimor të Beratit, largimi i pamotivuar, largimi i pamotivuar nga detyra e Kryetarit të Degës së PS së Beratit, largimi nga detyra e Drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore Berat, siç donte një deputet etj.

Gjithsesi, ai edhe tashmë që shijon jetën me familjen e tij, i konsideron të shkuara e të harruara. Ai ka një bashkëshorte, Vjollcën, ekonomiste dhe intelektuale e njohur, aktualisht Kryetare e Organizatës së Veteranëve të Beratit, bijë e atdhetarit të njohur Xhevahir Arapi dhe luftëtares së shquar Hava Arapi, me të cilën kontribuon në radhët e pasardhësve të veteranëve për të ruajtur vlerat dhe idealet e LANÇ për të cilat luftoi babai dhe familja e tij e madhe.

Mensuri gëzon për dy fëmijët e tij, Arbeni dhe Elonën, djalin dhe vajzën me arsim të lartë e të punësuar si specialist, të cilët i kanë dhuruar një nip e një mbesë të bukur duke e pajisur me statusin më të lumtur në jetë, atë të të qënurit Gjysh!